Integritetin e Shqipërisë e shpëtoi Lufta Nacional-Çlirimtare

537
Sigal

 

Intervista e fundit në “Telegraf”

 

 

Flet historiani, Prof. Arben Puto:
“Integritetin e Shqipërisë e shpëtoi Lufta Nacional-Çlirimtare”

-Diplomatja më e saktë për
Shqipërinë në periudhën e LANÇ-it, ishte BBC 

-Musolini, Hitleri dhe Metaksai
ishin diktatorët e Luftës Italo-Greke

 

Nga Albert Z. ZHOLI

 

Takimi me Prof. Arben Puto
ishte plot mbresa. Brenda tij ishte akumuluar një bibliotekë me vete, ku në çdo
pyetje do të 
 gjeje përgjigje nga më interesantet. Biseda filloi me problemin
tashmë të bërë publike, rastin e konsullit grek në Korçë, (Ikonomus), një rast
i rrallë ku një diplomat bën thirrje për ndërrimin e kombësisë, të cilin Puto
ishte ndër të parët që e denoncoi. Prof. Puton e gjen mes librave, por më shumë
e gjen duke shkruar. Tashmë ai po përgatit një libër historik mbi Luftën e
shumë e diskutueshme Italo-Greke, luftë, e cila solli dhe ligjin e luftës që
Greqia i shpalli Shqipërisë. Një ligj lufte, i cili çuditërisht ekziston edhe
sot, një ligj lufte që shpesh herë ka çuar në acarimin e marrëdhënieve
Shqipëri-Greqi. Në këtë libër Prof. Puto sjell fakte historike përse Shqipëria
nuk mund të quhet shtet pushtues në atë periudhë dhe rolin e qeverisë kuislinge
shqiptare në atë periudhë. Por 
 në këtë libër Prof. Puto nxjerr
dhe fate të reja për rolin e luftës Nacional Çlirimtare dhe atë të BBC në këtë
luftë. Sipas tij, BBC ishte diplomatja më e mirë e Shqipërisë në Luftën e Dytë
Botërore pasi pa propagandën e saj, ku Shqipëria renditej në krahun e aleatëve
kundër boshtit Romë-Berlin Toki, integriteti i Shqipërisë pas lufte do të ishte
shumë i dyshimtë. Në këtë libër, që mendohet të dalë në vjeshtë të këtij viti
Prof. Puto sjell fakte dhe komente të reja mbi këtë luftë që do t’u hapin një
dritare të re historianëve, por dhe Historisë së Shqipërisë.

 

Ju jeni duke punuar një libër
të ri mbi Luftën Italo-Greke. Pse keni zgjedhur këtë temë dhe cilat janë
problemet kryesore që trajton?

 

Pse e kam zgjedhur këtë teme?
Është një ngjarje e Luftës II, një nga agresionet e Italisë Fashiste dhe
Gjermanisë hitleriane. Po të mungojë, tabloja e Luftës II Botërore, historia
nuk do të jetë e plotë. Por duhet të pohoj ajo që më shtyu më shumë t’i vihem
kësaj ngjarjeje është fakti se, përveçse pjesë e historisë së Luftës II, në
tërësi ajo është dhe një ngjarje që është pjesë e historisë së Shqipërisë gjatë
okupimit të huaj. Në Luftën Italo-Greke përcaktohej qartë, tre diktatorët
ishin 
 Musolini, Hitleri dhe Metaksai
(edhe ky  diktator grek). Ndoshta këta ishin tre nga diktatorët më të egër
në gjithë historinë e njerëzimit. E gjithë kjo luftë (jo vetëm në planin e
zhvillimit të luftimeve), praktikisht u zhvillua në territorin shqiptar kur në
vendin tonë drejtonte pushteti kuisling që u vendos gjatë okupacionit të
rëndë. Fjala Kuisling vjen nga Kryeministri i Norvegjisë (Kuislingu),
i cili, gjatë Luftës së Dytë Botërore kur u sulmua Norvegjia dhe e morën
gjermanët, qëndroi sërishmi në krye të qeverisë të ngritur nga gjermanët

 

Sa është lidhur Shqipëria me
Luftën Italo-Greke?

 

Ka një parahistori. Ajo është
një orvatje e re e politikës ekspansioniste italiane e depërtimit të saj në
Ballkan. Fillon me agresionin e 7 Prillit. Unë them se pushtimi i Shqipërisë në
prill 1939 ka qenë  preludi i agresionit kundër Greqisë. Shqipëria shërbeu
kryeurë dhe do të bëhet shesh lufte. Çuditërisht Qeveria greke e kohës e
kryesuar nga gjeneral Metaksa u tregua e shkujdesur, gati indiferent ndaj
afrimit të 7 prillit. Jo vetëm që nuk pati asnjë reagim për ta argumentuar si
një akt që kërcënonte edhe Greqinë, paqen në Ballkan, por Metaksai mbajti një
qëndrim sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Në fakt, ai nxitoi të deklaronte se
Greqia ishte e vendosur të ruante marrëdhëniet miqësore me Italinë. Ai dha
menjëherë një provë. Me ikjen e Zogut dhe daljen e tij në Follorinë, Metaksai
iu drejtua personalisht Musolinit për të shmangur çdo keqkuptim se: “Mbreti Zog
do të gjente vetëm një strehim të përkohshëm dhe nuk do të lejohej për asnjë aktivitet
politik”. Dhe Zogu u largua pas disa ditësh.

 

-Ju i përshkruani marrëdhëniet
italo-greke në këtë periudhë si krejt normale. Çfarë ka ndodhur që Musolini
vendosi të sulmonte edhe Greqinë. Si u zhvillua lufta?

 

Ka qenë vërtetë disi e
papritur. Për historianët, studiuesit që e kanë trajtuar këtë, ajo që mendohej
më pak në ato rrethana ishte një luftë midis Italisë dhe Greqisë, aq të ngushta
dukeshin marrëdhëniet midis tyre. Kishte diçka reale që e justifikonte këtë
opinion. Kryesorja ishte se, gjenerali Metaksai inspirohej nga fashizmi i
Duçes. Kishte një afërsi ideologjike midis tyre. Dhe Metaksai, një ushtarak dhe
politikan i vjetër, pasi mori kryesinë e qeverisë më 1935 filloi të zbatonte
modelet fashiste në jetën e brendshme. Ai vetë ishte diktator, vendosi një
regjim  autoritar me liri të kufizuara dhe me masa represive Musolini e
quante si dishepullin e vet. Por kjo nuk do ta ndalojë Duçen të përgatitet për
sulmin kundër Greqisë pak më shumë se një vit nga pushtimi i Shqipërisë në fund
të tetorit 1940. Musolini kishte idenë obsesive të rikrijimit të Perandorisë së
Romës. Vetë lufta, zhvillimi i operacioneve në front ishte krejt i papritur me
kthesën që morën operacionet ushtarake se Musolini  ishte i bindur se do
të mbaronte punë me Greqinë brenda disa javësh. Objektivi i parë Pireu, pastaj
Athina e Selaniku. Por ndeshja është quajtur si fabula biblike, ajo e Davidit
në Goliathin. Agresioni italian do të bllokohej  dhe trupat greke hyjnë në
territorin shqiptar, madje, mbërrijnë në thellësi dhe zunë gjithë hapësirën që
në gjuhën e politikës greke quhet Vorio-Epir. Ishte një disfatë e turpshme dhe
për të evituar të keqen më të madhe, sepse kishte rrezik të hidhej në det.
Musolini kërkoi ndihmën e Hitlerit. Me forcat e kombinuara italiane dhe
gjermane, rezistenca greke vërtet ishte e pashpresë dhe Greqia kapitulloi në 24
prill 1941.

 

Cili
ishte roli i qeverisë “kukull” të Tiranës që u vu në pushtet pas agresionit?

 

Qeveria “kukull”, e quajtur
ndryshe edhe “shushunja”, u vu në shërbim të politikës së agresionit fashist
kundër Greqisë. Ajo kreu një akt të rrezikshëm thellësisht komprometues,
duke i shpallur luftë Greqisë. Dekreti i Viktor Emanuelit i 28 tetorit 1940 veç
emërimit të Mbretit, kishte edhe nënshkrimin e Kryeministrit kuisling Shefqet
Verlaci, që e fuste Shqipërinë në gjendje lufte me Greqinë. Greqia nuk e quante
më Shqipërinë vend të okupuar, si viktimë e parë e agresionit fashist. Ajo
përfitonte nga rasti dhe shpallte gjendjen e luftës, jo vetëm me Italinë, por
edhe me Shqipërinë, një akt që do të ketë dhe pasojë me afat të gjatë.
Bashkëpunimin me okupatorin klasa drejtuese e justifikonte me aspiratat e moçme
të ndreqjes së padrejtësisë që ishin bërë me shkëputjen e trojeve nga trungu
shqiptar. Në fakt, pas ndërhyrjes së trupave gjermane Çamëria dhe Kosova u vunë
nën autoritetin e qeverisë së Tiranës. Popullsia pas vitesh të tërë persekutimi
e gjenocidi u lehtësua. Në këtë situatë të re, u krijua një hapësirë për
realizimin sadopak të drejtave të saj të mohuara dhe të shkelura agresivisht. U
hapën mjaft shkolla në Kosovë dhe u hodhën themelet e arsimit kombëtar.
Qeveritë Kuislinge që pasuan njëra-tjetrën, pretenduan, se kishin çliruar
Kosovën e Çamërinë dhe kishin arritur unitetin kombëtar duke zgjeruar kufijtë
dhe duke krijuar Shqipërinë e Madhe. Por ky nuk ishte “Çlirim”. Ky ishte një
rezultat i agresionit të kombinuar italo-gjerman. Në ato kushte nuk ishte
thjesht bashkim kombëtar, por ishte bashkim me fuqitë fashiste, një bashkim që
do t’i kushtojë shumë pas lufte, një “bashkim” që mund të vinte në rrezik edhe
vetë “Shqipërinë e Vogël”. Nëse nuk ishte tradhti, ishte verbëri politike, ku
pretendohej të lidhej fati i Shqipërisë me Boshtin nazifashist që do të humbaste
luftën.

 

A ka dalë përsëri çështja e
Vorio-Epirit, pretendimet greke mbi të, gjatë Luftës apo në mbarim të saj?

 

Gjatë Luftës, kur ushtria greke
zuri gati gjithë jugun, Greqia kishte bindjen se e kishte realizuar planin e
saj. Kishte zënë po aq territor, brenda asaj që ajo e quante Vorio- Epir. Veç
kësaj Fuqitë e Mëdha, sidomos Anglia nën përshtypjen e “mrekullisë” së luftës
së saj kundër Italisë, po e përkrahnin këtë si zgjidhja më e mirë që do të
shpërblente kontributin grek në triumfin e krizës aleate”. Në fakt edhe vetë
sjellja e autoriteteve greke ndaj popullsisë lokale tregonte qartë, se asaj do
t’i mohohej çdo e drejtë kombëtare. Zënia e Korçës dhe Gjirokastrës u festua në
Athinë si fitore që e kthente Vorio Epirin si pjesë të Greqisë. Banorët,
shumica shqiptarë u përpoqën të bashkoheshin me trupat greke në luftën kundër
pushtuesit fashist. Asnjë propozim për aleancë me shqiptarët nuk u pranua, as e
ardhur nga brenda, as nga jashtë nga emigracioni. Shqiptarët duhej të mbeteshin
të lidhur me Boshtin. Jo vetëm kaq, por grekët mohonin rezistencën shqiptare, Luftën
Nacional-Çlirimtare kundër pushtuesve. Qeveria greke në mërgim, në Londër
protestonte kundër Radio Londrës që jepte rregullisht lajme mbi aksionet e
forcave partizane. Nuk është rezistencë. Janë vetëm disa akte të izoluara të
organizuara dhe të nxitura nga jashtë. Shqiptarët nuk kanë ndërgjegje
kombëtare. Nuk ndryshoi qëndrimi i grekëve edhe pas deklaratës që bëri Britania
e Madhe, SHBA dhe BS në dhjetor 1942, në të cilën vlerësonin lart rezistencën
antifashiste dhe angazhoheshin për rimëkëmbjen e pavarësisë së Shqipërisë pas
lufte. Kjo u quajt një fyerje kundër Greqisë. Me një fjalë qeveria greke nuk e
njihte Shqipërinë dhe Luftën Çlirimtare, quante Shqipëri atë të qeverisë
“Kuislinge” me të cilën ishte në gjendje lufte. Pra, përfaqësuesja më e denjë,
diplomatja më e saktë për Shqipërinë në periudhën e LANÇ-it, ishte BBC. Ndaj e
kam quajtur dhe e quaj si një zë të fortë, serioz, që përfaqësonte
rezistencën shqiptare. Kjo nuk mund të mohohet kurrë.