Bujar Qesja: Namik Sadiku, pjesë e artë e Durrësit

1685
Sigal

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Jeta jo rrallë, kalon në përmasat e një ëndërre. Jeta është me shans, dëgjohet të flitet shpesh në mjediset tona shoqërore, pse jo edhe familjare. Por unë do ta modifikoja paksa, këtë sentencë jo timen. Por jetën varet edhe si ta kërkosh. Një gjë çmohet dhe nuk të len në baltë: puna e jashtëzakonshme, që duhet bërë në këtë jetë. Besimi se mund t’ia dalësh, në çfardo nisme që mund të ndërmarrësh. Mbeshtetur në këtë besim, mund të realizosh edhe ëndërra pse jo. Djersa e pastër, e dalë nga balli i punës, kthehet në flori. Dhe në këtë pasazh, që shërben si hyrje i këtij materiali, kam të vendosur në ekranin e memories time, filmin e jetës të një shoku, të një miku, të një djali bashkëqytetar i imi, me emrin shumë të njohur Namik Sadiku. Thërras në ndihmë kujtesën, e cila ndonëse është zbehur disi, papritur më çfaqet shumë e ndezur, me një ndriçim që edhe vetë nuk e di se ekziston. Një djalë i ri, 22 vjeçar, teksa ngjitet në skenën e famshme të të dikurshmit pallati “Rinia”, të magjeps me zërin e tij. Me një qëndrim, që ngjasonte me një zog të trëmbur, këndonte tërë emocion dhe në fund duartrokitje dhe vetëm duartrokitje. Dhe për të hequr në çast një paralele, këto duartrokitje, vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Dhe është i njëjti solist. Por jo në skenën e një teatri, por në skenën gjigande të konkurencës, ku tani ai ka mbështetur biznesin e tij, në përmasa që rrit krenarinë. Namik Sadiku! Emër që tentonte të thonte diçka, në fund të viteve 70-të. “Këngë moj” është rregjistrim i ruajtur përsosmërisht, në fonotekën e pasur të Radio Tiranës. Është kënga i Namik Sadikut, zëri i të cilit kishte filluar të imitohej nga të rinjtë e qytetit. Çfarë zëri! Ishte vetëm një mekanik, i përgatitur nga arsimi i mesëm profesional, por me “patentë” të pakundërshtueshme nga klasa punëtore, e bazës së njohur të hekurudhave. Anketat muzikore aq të njohura të rinisë, e kishin anëtar permanent djaloshin, që vinte me një trup të brishtë, por me një kolonë zanore perfekte dhe shumë lakmitare për t’u dëgjuar. Eh Namik, kur të kujtojmë, sa bukur këndoje! Dhe Skënder Myshketa, artisti ynë kryelartë, që na la pas një vepër kujtuese, bëri një “blerje” të bujshme, kur të mori nga hekurudha dhe të veshi “fanelen” e UEM-it të njohur. Çfarë suksesi! Fundi i të gjithë kësaj historie 1986. Dhe më pas….. Dhe më pas, një histori e veçantë ndodh. Një Namik Sadiku tjetër, ashtu siç nuk e kishim menduar. Madje thellë në shpirtin e tij, mund të lëvizë ende befasia e fillimit të viteve 90-të, ku jeta e tij mori një rrjedhë të çuditshme, por shpresëdhënëse. Ai kaloi dhe eci në disa shtigje jo vetëm të panjohura, me një diskutim sigurie, pasi në këto hapa të para, vlente më shumë guximi dhe inisiativa, se sa suksesi për t’ia dalë. Dhe ky Namik Sadiku, na çfaqet me një veshje krejt tjetër, që vitet e më pasme, do të na jepnin një portret aq të bukur, aq tërheqës, aq kurajoz, ku “notonin” cilësitë më konkuruese të një biznesmeni të ardhshëm. Fjalë e madhe biznesmen. Por shumë më e madhe, mbetet puna i këtij njeriu, që kurrë nuk e trëmbi thjeshtësinë e viteve të rinisë, ndonëse tashmë interpretonte në një skenë tjetër gjigande, pa kuinta, pa mikrofonë dhe bokse, pa karrike, ku uleshin dhe e inkurajonin fansat e tij të panumërt, duke thërritur në kor: Namiku! Namiku! Namiku! Zoti ia kish dhënë dhuntinë, për të zhbiruar në tregti dhe biznes, duke e pajisur me një lloj intuite, që e dallonte ndër konkuruesit. E filloi me një çantë shpine, për të mbajtur mbi trupin e tij, një det të tërë. Këto janë përmasat e biznesit të tanishëm. Ti dhe biznesin Namik, e ke si një këngë, duke interpretuar mbi një tekst të vështirë konkurence, e në një ritëm muzikor, që bën të dëgjohesh nga të gjithë. Dhe zemra yte, dhe shpirti yt, që këndon e këndon vazhdimisht, nuk do të ndante kurrë nga njerëzit, nga miqtë dhe shokët, duke i shtuar dita ditës ato, e duke e ndjerë të gjithë së toku, hapat e rritjes. Dhe atëhere dhe tani, ne vetëm duartokasin dhe vazhdojmë të duartrokasim, duke thërritur përsëri e përsëri: Namiku! Namiku!

Namik Sadiku, i datëlindjes 14 gusht 1957. Me 19 qershor 1994, kur ishte vetëm 37 vjeç, ndërtoi hotelin e famshëm me emrin Bleart. Me siguri është një bashkim i dy emrave të çmuar të jetës së tij, të dy yjeve të kësaj jete vajzës Blerina dhe djalit Artur, që bashkuar edhe me gruan Natashën, përbëjnë familjen e shtrenjtë, të këtij njeriu të artë të Durrësit, me emrin tashmë që ka marrë dhenë Namik Sadiku. Dhe Blearti, që rritet, zgjerohet, e modernizohet dita ditës, në det dhe në tokë, në pishinë e lartësinë e kateve të ndërtimeve të tij, është ngritur si një argument historik i pashembullt. M’u tek Shkëmbi i Kavajës, është vendosur ky Bleart, ku është fiksuar nga betejat më të njohura dhe më të përgjakshme, ndërmjet dy prijësve të çquar të Romës së hershme, në vitin 48 para lindjes së Krishtit -Jul Qezarit dhe Pompeit. Dhe në një paralele të fuqishme, bie në konkluzionin e pazakontë, se m’u përballë kësaj sheshbeteje, bën betejën e fuqishme të biznesit të tij Namik Sadiku. Dhe sfidën e ka me veten. Ajo që vlen dhe krenaria më shtohet, që mëndja ma konstaton, është se rritja e biznesit dhe fuqia konkuruese, shkon ëmbël dhe bukur me zemrën e madhe dhe fisnike të Namik Sadikut, të këtij njeriu të mënçur, me një shkathtësi të lindur, me përshtatshmëri ndaj cilitdo deri në perfeksion, që dashuron punën, që dashuron tokën, rërën dhe detin që ka në zotërim dhe që është i përkushtuar ndaj shoqërisë dhe miqve. Sa herë e takon, sa herë bisedon në telefon, fjala e fundit është joshëse dhe bekuese: Hajde pimë një kafe nga lokali im. Merre edhe familjen. Jemi shokë të hershëm dhe kjo nuk duhet harruar. Po me 17 gusht 2019, humanizmi dhe zëmra e gjërë sa deti, i Namik Sadikut ka rastin më të mirë të rritë përmasat. Ai ka deklaruar gadishmërinë, për të mbështetur financiarisht, një prej veprimtarive më të bujshme, më të ndjera, më të prekshme, më spektakolare, pse jo edhe historike, që pritet të ndodhë tek Blearti i tij i njohur, pikërisht në të shtunën e 17 gushtit 2019. Po punohet fort dhe shumë gjëra janë në përfundim, që të mblidhen të gjithë këngëtarët, që bënë historinë e bukur të këngës durrsake dhe të këndojnë si në një kohë, të kujtohen si në një kohë, kur ishin të rinj dhe ëndërronin, ëndërronin pa fund. Oh, çfestë e madhe do të bëhet! Namikun nuk e mban vëndi. Skena do të jetë e magjishme. Pishina, kjo “bukuroshe”, kjo “lozonjare” që i luan syrin detit pranë, është skena e bukurisë së kësaj dite. Artistë me emër durrsakë, por edhe të ftuar, do ti thurin himn kulturës dhe artit durrsak, nisur nga legjenda e këngës Qemal Kërtusha, e vazhduar me brezin e Zija Saraçit, e deri tek më të rinjtë. Durrësi ka shumë, aq më shumë në historinë e tij. Dhe të gjithë këtë grumbullim të përmallshëm, ku një pjesë e këngës durrsake është strehuar në tokë të huaj, e ka marrë përsipër ti mbledhë në Bleartin e tij, ky Namik Sadiku ynë, biri dhe djali zotni i Durrësit. Gjithnjë ka harxhuar për Durrësin e tij ky Namik fisnik, me një botë të prekshme shpirtërore, ku nostalgjia e këngës durrsake dhe e miqve të tij, e bën të përlotet dhe të humbë në kujtime. Ka harxhuar rininë e tij, përkushtimin e tij në këngë, në punë dhe në angazhime pikante shoqërore. Dhe tani, nuk e ka mëndjen tek harxhimi i konsiderueshëm monetar, se sa tek realizimi i asaj gjëje të bukur dhe të veçantë që ka në mëndje dhe që kërkon me deomos ta realizojë, pikërisht në të shtunën e 17 gushtit 2019. Më luajti nga mentë e kokës, kur në ndarje më tha: -Ti mendon Bujar, se jam 62 vjeç, e kam hequr dorë nga kënga? Mbrëmë kam qenë tek kompozitori i njohur Ylli Ramzoti dhe bëra provë këngën e vjetër ruse, të vitit 1954, aq të bukur, me sentiment e ngjyra tërheqëse artistike, “Nezabudka”. Do ta këndoj me 17 gusht. Namik Sadiku! Këngëtari 22 vjeçar i vitit 1979. Namik Sadiku, biznesmeni aktiv dhe fluturues i vitit 2019. Harku kohor 40 vjeçar. Çfarë ndryshimi?! Çfarë ecurie?! Dhe ëndërra vazhdon.

-E nisi punën me një çantë shpine, për t’u shndërruar në një befasi
-Mënçuria dhe aftësia e tij një histori suksesi
-Blearti një mburrje i hotelerisë dhe turizmit shqiptar
-Ky njeri i veçantë, është edhe një artist ekselenc