Zyrtari i PD tregon pikat që pengojnë marrëveshjen për Reformën Zgjedhore

276
Sigal

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, ka shpjeguar se ku ndahen dhe ku bashkohen palët për të arritur ‘tymin e bardhë’ për Reformën Zgjedhore.

Sipas Kasos, deri më tani janë dakordësuar një pjesë e mirë e kushteve për procesin parazgjedhor duke përjashtuar implementimin e një qeverie kujdestare, por shtoi se kushti që ndan palët nga një marrëveshje është pikërisht futja e teknologjisë në zgjedhje.

Zyrtari i selisë blu shtoi se, mazhoranca ka ardhur në tryezë pa asnjë propozim dhe me qëndrimin e saj duket se kërkon të bllokojë propozimet e opozitës për të blinduar rezultatin përfundimtar, duke i hapur kështu rrugë një miratimi të njëanshëm.

“Ka dy qajse, maxhoranca që thotë për ne çdo gjë shkon mirë. Për të gjitha këto rekomandime maxhoranca ka ardhur pa zgjidhje. Ka një grup ekspertësh që kanë hartuar një draft me zgjidhjet e tyre. Nga mazhoranca nuk ka asnjë lloj reflektimi. Mazhoranca është shumë komode. Nuk e ka vënë ujin në zjarr për rekomandimet..

Kemi vajtur me propozime të ndryshme. Ne kemi kërkuar mekanizmin e qeverisë tranzitore dhe kujdestare, që garanton çdo opozitë të kohës derisa të futemi në BE, edhe kur ne të jemi në pushtet. Nuk e shohim si ndëshkues për këtë mazhorancë. Ka qenë domosdoshmëri. Meqë u tha se kjo është kërkesë publike, për të trajtuar këtë lloj sensibiliteti. Kemi dhënë edhe zgjidhje të tjera teknike për ndërhyrje në kod, ndërhyrjen e SPAK për krimet zgjedhore. Në përfshirjen e SPAK kemi rënë dakord dhe më vjen mirë që mazhoranca erdhi në logjikën e propozimit tonë.

Mënyra si do të adresoheshin krimet zgjedhore do ishte me një vetëdeklarim. Qeveria do të betohej që nuk do t’i vidhte zgjedhjet.

Kemi propozimin ton për rekomandimet e ODHIR, futja e elementëve që nuk do të varen nga partitë politike dhe nuk duhet të sillen si persona politikë në administrin e procesit zgjedhor. ODHIR kritikon sjelljen politike. Bëhet fjalë për nivelin e parë të administrimit që mund të arrijnë 45 mijë komisionerë. Depolitizimi i tyre do të ishte i pamundur brenda natës. ODHIR nuk e kërkon menjëherë. Ne kemi thënë se pjesa më e madhe e pushteteve është marrë në mënyrë të paligjshme. Opozita nuk ka asnjë garanci”, u shpreh Kaso.

Ai u ndal edhe në propozimin e depolitizimit të administratës zgjedhore, e cila sipas tij, do t’i jepte fund vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri. Megjithatë ai theksoi se, kjo nuk mund të bëhet brenda natës, ndaj PD ka sjellë në tryezë një propozim neutral, për një komisioner të depolitizuar në çdo qendër zgjedhore.

“Maxhoranca të kapë edhe numërimin edhe administrimin. Ne kemi propozuar një model miks në të gjitha nivelet. Sot kemi shtatë persona politikë me një balancë mes mazhorancës dhe opozitës. Opozita ka propozuar futja e një elementi të depolitizuar. KQZ bën një thirrje për administrues zgjedhor që janë të punësuar me kohë të plotë në KQZ për periudhën para zgjedhjeve, të paktën dy muaj.

Nuk mund të marrim dakordësi për njërën paketë pa marrë garanci të plotë që procesi i parë do të implementohej. Heqim dorë nga garancia që kemi sot, dhe kërkojmë garanci për teknologjinë. Nëse bien dakord për verifikimin biometrik, pranojmë propozimin për ekspertët e pavarur. Kemi pranuar që të diskutojmë sepse janë tjegulla të lidhura zinxhir.

Ne kemi kërkuar gjyqtarë me shtatë vjet vjetërsi në detyrë dhe pa masa disiplinore në fuqi. Në total bëhen 120 gjyqtarë për tetë vende. Të hidhet shorti për këta gjyqtarë. Ata që nuk e kanë nisur vettingun t’i pezullohet procesi i vettingut dhe të rifillojë në katër-vjeçarin tjetër. Nuk kërkojmë minim të vettingut. Deri më sot nga këta e kaluar rreth 47-48 gjyqtarë vettingun.

Ata nuk kanë dhënë konsesus për asgjë dhe as propozime. Edi Rama nuk e do reformën por ushtrimin e reformës dhe për të thënë se unë i bëra të gjitha përpjekjet dhe opozita nuk dakordësoi dhe unë e miratova vetëm. Ka pasur axhendë për t’u mbledhur ditën e hënë dhe ka thënë se nuk diskutohen propozimet tona dhe e provokoi tryezën.

Mungesa e dakordësisë për teknologjinë mban peng aspektet e tjera. Rezultati përfundimtar është blinduar”, përfundoi Ivi Kaso.