Zyrtarët në dyert e SPAK/ Kreu i Transporti Rrugor Blendi Gonxhe jep një orë llogari para SPAK, lidhjet me aferën e inceneratorëve dhe tenderët korruptivë

145
Sigal

Afera e inceneratorëve dyshohet se është çështja që ka çuar në SPAK edhe kreun e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe. Pas daljes nga prokuroria, në një prononcim për gazetarët, Gonxhe tha se thirrja e tij në SPAK nuk ka lidhje me detyrën që mban si kreu i DPSHTRR. “Nuk ka lidhje DPSHTRR për këtë, isha për një verifikim, për një sqarim, nuk ka lidhje me detyrën time. Është një çështje që është në hetim, nuk ka lidhje as me ministrinë, as me rrugët, është një çështje. Deklarova për një situatë që më pyetën që nuk ka lidhje dhe rëndësi. Unë jam këtu si Ben Gonxhja. Nuk ka lidhje me institucionin shtetëror, as me tendera”, -tha Gonxhja, por pyetjes së gazetarëve se cila ishte çështja për të cilën u thirr nga organi i akuzës, ai nuk e tregoi: “Nuk mund ta them”, u shpreh. Mediat kanë publikuar se burime pranë SPAK kanë deklaruar se arsyeja e thirrjes së tij në SPAK lidhet me milionat e fituara nga kompania e tij nga shoqëria koncesionare e landfillit të Sharrës. Kompania “Albarent” në pronësi të Drejtorit të Patentave, Blendi Gonxhe, ka marrë mbi 150 milionë lekë të vjetra nga shoqëria koncensionare e landfillit të Sharrës, “Integrated Energy BV”. Gjatë periudhës 2019-2021, kompania off-shore që ka fituar kontratën 128 milionë euro për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, ka kryer mbi 70 pagesa në llogari të kompanisë së makinave me qera të Blendi Gonxhes. Të dhënat konfirmohen nga dokumentet zyrtarë të administratës Tatimore. Kompania “Albarent” është krijuar në vitin 2009 dhe ka pronar të vetëm Blendi Gonxhen. Shoqëria private administrohet prej vitesh nga bashkëshortja e tij, Elda Gonxhja. Blendi Gonxhe është një prej bashkëpunëtorëve më të vjetër e më të ngushtë të kryeministrit Edi Rama. Rrugëtimi i tij politik ka ecur paralel me aktivitetin privat të makinave me qira. Gjatë periudhës 2014-2022, kompania e tij “Albarent” ka përfituar rreth 200 milionë lekë të vjetra nga institucionet publike, referuar të dhënave zyrtare të Thesarit të Shtetit. Dy vite më parë, Nisma Thurje kallëzoi në Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion Blendi Gonxhen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tenderë.