Më 11 shtator do të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste, ku pritet të prezantohet qeveria e re Rama 4 pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Mbledhja tashmë është zyrtare pasi është njoftuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi.
Asambleja e socialistëve do të mblidhet në orën 09:30 te kompleksi Xibraku.
Mbledhja do të nisë me fjalën e kryesocialistit Edi Rama, i cili do t’u drejtohet të vetëve për sfidat e këtij mandati të katërt qeverisës, ku fokusi pritet të jetë anëtarësimi i Shqipërisë në BE në fund të kësaj dekade, si dhe pritet të bëjë publike emrat e kabinetit të ri.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste fitoi e vetme 83 mandate deputetësh, kundrejt kundërshtarëve Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, që së bashku fituan 50 vende në parlament.
Partia Socialiste fitoi për herë të katërt zgjedhjet, që prej vitit 2013 kur po qëndron në pushtet. Në historinë pluraliste të Shqipërisë, asnjë forcë politike, nuk ka mundur të fitojë 4 mandate radhazi me shumicë qeverisëse.
AXHENDA:
Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës
Fjala e kryetarit të PS Edi RAMA
Mendime, pyetje dhe diskutime
Të ndryshme
Njoftimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosi:
Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftojmë se më datën 11.09.2025, ora 09.30, tek kompleksi “Xibraku” do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste me këtë rend dite:
Hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës
Fjala e kryetarit të PS Edi RAMA
Mendime, pyetje dhe diskutime
Të ndryshme
Pjesëmarrja juaj është e domosdoshme për vijimin e punimeve të Asamblesë.
Datat dhe procedurat/ Nga prezantimi i qeverisë, te konstituimi i Kuvendit: Politika zbret në fushë javën e dytë të shtatorit

Kryeministri Edi Rama duket se e ka ndarë mendjen për prezantimin e qeverisë së re. Sipas traditës, aty do të bëhet dhe prezantimi i ministrave të qeverisë së re dhe i kreut të Kuvendit. Ministrat aktualë janë të gjithë në ankth, pasi askush nuk ka siguri nëse do të jetë më në detyrë apo jo, ndërsa shumë deputetë presin me padurim me shpresën se mos emri është te lista e ministrave. Kjo pasi Rama nuk pyet askënd, por i shpall aty emrat dhe ka shumë nga ata që e mësojnë atë ditë që janë ministra.
Ndërkohë, flitet se një ditë më pas do të bëhet konstituimi i Kuvendit dhe pritet të bëhet betimi i deputetëve. Por kjo është në dorë të presidentit. Parlamenti aktual e mbyll mandatin më 10 shtator dhe legjislatura e re duhet të nisë punën brenda 10 ditësh. Pra, presidenti ka një kufi deri më 20 shtator. Data 12 është më e përfolura, teksa po ashtu shihet si opsion edhe data 15.
Megjithatë, në këtë seancë të parë të Kuvendit nuk pritet të ketë votim të qeverisë. Historikisht votimi i qeverisë së re ka ndodhur në seancën e dytë, pasi në seancën e parë bëhet betimi i deputetëve dhe zgjedhja e organeve të Kuvendit.
“Mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë. Tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit. Përbërja e Sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve”, thuhet në rregullore.
Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre.
Kuvendi, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh një Komision të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë. Menjëherë pas verifikimit të mandateve, deputetët ftohen të bëjnë betimin. Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët, procedohet me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit. Byroja e Kuvendit përbëhet nga Kryetari i Kuvendit, zëvendëskryetarët, sekretarët e sekretariateve.
Sa i takon qeverisë së re, pritet një seancë maratonë në javën e tretë të shtatorit, me gjasë rreth datës 18. Në vitin 2021 seanca nisi në orën 10:00 të datës 16 shtator dhe u mbyll në mëngjesin e datës 17. Rama pritet të prezantojë programin qeverisës për të gjithë sektorët dhe ministrat do të duhet t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve. Më pas do të bëhet votimi i qeverisë dhe, duke qenë se PS i ka numrat, nuk priten surpriza. Më pas do të bëhet betimi në Presidencë dhe me shumë mundësi në javën e tretë do të kemi gati qeverinë e re.
Ministrat dhe ministritë në dy qeveri
Qeveria “Rama 2”
Zv/kryeministër, Senida Mesi
Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ( U zëvendësua më pas me Sandër Lleshin)
Ministre e Mbrojtjes, Olta Xhaçka (U zëvendësua më pas nga Niko Peleshi)
Ministre e Drejtësisë, Etilda Gjoni
Ministër i Jashtëm– Ditmir Bushati (U zëvendësua nga Rama, Gent Cakaj nuk u dekretua)
Ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro (U zëvendësua më pas nga Elva Margariti)
Ministër i Financave, Ekonomisë dhe Punës, Arben Ahmetaj (U zëvendësua nga Anila Denaj)
Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Lindita Nikolla (U zëvendësua më pas nga Besa Shahini),
Ministre e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu
Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri (U zëvendësua më pas nga Belinda Balluku)
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi (U zëvendësua më pas nga Bledi Çuçi)
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi,
Ministër për Diasporën, Pandeli Majko
Ministrja e Shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes, Sonila Qato (U zëvendësua më pas nga Eduard Shalsi)
Qeveria ‘Rama 3’
Zëvendëskryeministër dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave– Arben Ahmetaj,
Ministër të Drejtësisë– Ulsi Manja,
Ministër i Financave dhe Ekonomisë- Delina Ibrahimi (U zëvendësua më pas nga Ervin Mete dhe Petrit Malaj).
Ministër i Shëndetësisë- Ogerta Manastirliu ( U zëvendësua nga Albana Koçiu),
Ministër i Brendshëm– Bledi Çuçi ( U zëevndësua nga Taulant Balla dhe Ervin Hoxha i fundit)
Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës- Belinda Balluku
Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme- Olta Xhaçka ( U zëvendësua nga Igli Hasani)
Ministër i Turizmit dhe Mjedisit– Mirela Kumbaro
Ministër i Arsimit dhe Sportit– Evis Kushi (U zëvendësua nga Ogerta Manastirliu)
Ministër i Mbrojtjes– Niko Peleshi (U zëvendësua nga Pirro Vengu)
Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural- Frida Krifca ( U zëvendësua nga Anila Denaj),
Ministër i Kulturës– Elva Margariti ( U zëvendësua nga Blendi Gonxhe)
Ministër Shteti për Standardet dhe Shërbimet– Milva Ikonomi,
Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin– Elisa Spiropali ( U zëvendësua nga Taulant Balla),
Ministër Shteti për Rininë dhe Fëmijët– Bora Muzhaqi.
Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes– Edona Bilali ( U zëvendësua nga Delina Ibrahimaj)
U shtuan rrugës
Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin– Adea Pirdeni
Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor– Arbjan Mazniku
Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit– Blendi Gonxhja






















