Zoti Rama, kryeministër i kujt jeni?

463
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Shkodra dje në luftë. Qytetarët shkodranë kërkonin të shkonin në sheshin e qytetit të tyre, ku kryeministri Rama do të mbante fjalimin e tij elektoral. Ndërsa përballë tyre qindra policë të armatosur deri në dhembë, të maskuar me kundragaz. Qytetarët shkodranë donin të shkonin në vendin e tyre, në sheshin e qytetit të tyre, mirëpo policët, të ardhur nga qytetet e tjera, të cilët kanë zaptuar bulevardin, rrugët dhe rrugicat e qytetit të tyre, thua se Shkodra jeton në shtetrrethim, i shtynin, i qëllonin me shkopinj gome, u hidhnin në sy, nga një distancë 1 metër gazin lotsjellës, që t’i pengonin qytetarët shkodranë, me çdo mjet, me çdo kosto, me çdo çmim, të lëvizin të lirshëm në qytetin e tyre. Live nga ekranet e televizionit pamë qytetarë që u helmuan nga gazi lotsjellës dhe rrëzoheshin përtokë, ndërsa policët, si trupa të pashpirt, as që reagonin, thua se ata ishin armiqtë e ardhur nga larg dhe përballë kanë armiqtë e tyre. Policët u sillen si armiq, si pushtues qytetarëve shkodranë, edhe pse qytetarët janë ata që paguajnë me taksat e tyre, rrogat e policëve, shkopin e gomës të policëve, gazin lotsjellës të policëve, por që ato të përdoren kundër kriminelëve, e jo kundër qytetarëve. Kush ka dhënë këtë urdhër që policët të sillen ndaj taksapaguesve të tyre, me atë dhunë të egër, sa thua se përballë kanë armiqtë e betuar? Dhe përse policët i pengojnë qytetarët shkodranë të shkojnë në takimin elektoral të kryeministrit, duke ushtruar dhunë? Kush ka urdhëruar që kryeministri Rama në takime elektorale lejon të marrin pjesë vetëm ata qytetarë që duartrokasin çdo fjalë të thënë nga ai? Dhe Policia duhet të ndalojë, qoftë edhe duke dhunuar egërsisht qytetarët që janë politikisht kundër kryeministrit? Kushtetuta e ka të shkruar këtë ligj? Nëse, jo, atëherë, cili Kod Penal mund të dënojë qytetarët pse kundërshtojnë takimet elektorale të kryeministrit, derisa ai vetë, i përjashton me dhunë të jenë të pranishëm? Qytetarët shkodranë duan të shkojnë tek takimi elektoral i kryeministrit Rama dhe t’i shprehin në sy çfarëdo kundërshtimi kanë për qeverisjen e tij. A janë armiqtë e kryeministrit Rama, qytetarët që kritikojnë kryeministrin, sa t’u ndalohet edhe me dhunë policore pjesëmarrja në mitingjet elektorale? Po kryeministri Rama, për kë bën mitingun elektoral në Shkodër, derisa me dhunën policore, deri në përdorimin e gazit lotsjellës, pengon qytetarët e Shkodrës të marrin pjesë në takimin e tij elektoral? Përse kryeministri Rama importon qytetarë nga rrethet e tjera dhe i sjell në Shkodër, ndërkohë që me dhunën policore ndalon qytetarët e Shkodrës të marrin pjesë në takimin e tij elektoral? Zoti Edi Rama, kryeministër i kujt jeni? Vetëm i atyre njerëzve që ju duartrokasin me histerizëm pas çdo frazeologjie që ju thoni? Zoti Rama, a jeni kryeministër edhe i atyre qytetarëve që dhunohen me kamxhik e gaz lotsjellës nga policia e Shtetit, që ta pengoni të mos vijë në mitingun tuaj elektoral, edhe kur qytetarët do t’u kundërshtojnë në sy, ballë për ballë? Zoti Rama, a jeni kryeministër edhe i atyre qytetarëve, që ju bllokojnë rrugët e nuk ju lejojnë të kaloni, sepse kështu shprehin kundërshtinë e tyre ndaj keqqeverisjes suaj, kundër korrupsionit të pandëshkuar të zyrtarëve të lartë, kundër bashkëpunimit të ministrave dhe deputetëve tuaj me njerëzit e botës së krimit për të blerë votat?