Suplementi Pena Shqiptare/ Silvana Berki: Ëndërra që marrin frymë

783
Sigal

NA ISHTE NJËHERË SHPRESA- na u kthye në realitet ditën e 13 qershorit 2019, me publikimin e antologjisë së poezisë së shqipfolësve në gjuhën finlandeze. Të ftuar për të prezantuar poezinë shqiptare ishin shkrimtarja dhe poetja Natasha Lako si edhe shkrimtari dhe poeti Arian Leka, të cilët më bënë krenare me profesionalizmin e tyre.

Në antologji janë të përfshirë edhe 25 poetë të tjerë: Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Mimoza Ahmeti, Suzana Zisi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, Sokol Zekaj, Gazmend Krasniqi. Adem Gashi, Ndue Ukaj, Sabri Hamiti, Kujtim Shala, Ramadan Musliu, Selajdin Saliu, Eqrem Basha, Xhevdet Bajraj, Anton Gjojcaj, Marg Shilipa, Zef Skiro Di Maxho, Mario Belizzi, Katerina Xukaro, Lindita Ahmeti, Lulëzim Haziri.

E veçanta e kësaj antologjie është se në brendi të saj ka përfshirë poetë të të gjitha trevave, kudo ndodhen shqipfolës: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe Arbëreshët e Italisë/Siçili.
”Çfarë ka të veçantë këtu?”- më pyetën gjatë bisedës në një panel me përkthyes:
Në pamje të parë nuk ka asgjë të veçantë, të gjithë janë shqiptarë me rrënjë, të gjithë flasin gjuhën shqipe. Gjatë përkthimit kuptova që nuk isha vetëm një përkthyese e gjuhës shqip-finlandisht, por edhe shqip-shqip. Kjo për arsye se ashtu si jeta edhe gjuha evoluon dhe jeton brenda kohës së vet dhe kufijve gjeografikë. Nëpërmjet këtyre poezive kupton këto diferenca dhe kulturën e vendit ku shqipfolësit jetojnë me gëzimet dhe brengat e tyre, por edhe pasurinë gjuhësore të këtyre trevave ku dialektet gjuhësore, edhe pse ma bënin përkthimin të vështirë, në të njëjtën kohë më dhanë shumë, duke ma pasuruar fjalorin tim.

Parathënien rreth gjuhës shqipe dhe historikut të saj e ka shkruar poeti dhe studiuesi Gazmend Krasniqi, i cili zbardh për lexuesin finlandez poezinë shqiptare prej fillimit të saj deri në ditët e sotme.
Gjithsesi nuk dua të lë pa përmendur se pikënisja e këtij projekti ka qenë humane, nisur kjo edhe prej pozicionit tim si emigrante, por edhe influencuar nga këndvështrimi i shkencave sociale (edukimi im) për të mbështetur kombet e vegjël dhe gjuhët e tyre të përhapen mbarë Evropës edhe më tej në rang global.

Kolonializmi gjuhësor si për shembull me anë të teknologjisë

Gjuha angleze, gjermane dhe ajo ruse ka kolonializuar gati të gjithë botën, dhe gjuhët e tjera të kombeve të vogla; si shqipja apo finlandishtja janë gati të pafolura në rang global (përveç shqipfolësve emigrantë). Ndaj e falënderoj institucionin KONE SÄÄTIÖ- i cili e mbështeti këtë projekt deri në realizim. Sa shumë nevojë kemi për të tilla institucione që, përveç profesionalizmit mbështetin edhe humanizmin.

Endrra ndez ëndrrën. Shpresoj që tani, kur themelet janë hedhur mund të ecim drejt të panjohurave të bukura duke iu dhënë edhe më shumë frymë.