Zgjidhen forumet e PD-së. Ristani fiton bindshëm postin e Sekretarit të Përgjithshëm

433
Sigal

Zhgënjehen Selami dhe Alibeaj. Në asnjë nga fituesit, në kryesi dhe komisione, nuk ka nga ‘garda e vjetër’

Dita e djeshme ishte një ditë e ngjeshur për Partinë Demokratike Demokratët mblodhën Këshillin Kombëtar, për të zgjedhur strukturat e reja drejtuese. Gjithsej ishin 270 anëtarë të Këshillit Kombëtar. Ajo që ngjalli interes ishte gara për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Për këtë post, kandiduan Eduard Selami, Enkelejd Alibeaj dhe Arben Ristani, ku fitues rezultoi ky i fundit. Po kështu u votua edhe për drejtuesit e 22 departamenteve dhe 6 sekretarëve. Gjithçka shkoi normalisht, ku me interes pritej zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm. Fituesi me 101 vota, Arben Ristani në prononcimin e parë pas zgjedhjes u shpreh se kjo ishte “Një garë e lirë midis njerëzish me kontribute dhe figura te çmuara të PD”. Menjëherë pasi emri i Arben Ristanit u bë i ditur si fitues për Postin e Sekretarit të Përgjithshëm, kreu i PD, Lulzim Basha duke shkruar në FB e cilësoi këtë garë, tepër të fortë, por edhe të bukur. Sipas tij, procesi i votimit ishte transparent dhe demokratik. “Garë e fortë dhe e bukur mes tre kandidatëve për Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Demokratike. Të tre personalitete me kontribute dhe vlera unike për demokratët dhe të gjithë vendin. Urimet e mija të përzemërta Arben Ristanit, Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Partisë Demokratike! Urime edhe Enkelejd Alibeajt dhe Eduard Selamit për performancën dinjitoze! Proces transparent dhe festë demokracie”.

REZULTATI NË VOTIM
Nga numërimi i kutisë së parë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së rezultoi se Arben Ristani kryeson me 101 vota, Eduart Selami me 76 vota kurse Enkelejd Aliebaj me 85 vota. Nga 270 anëtarë të Këshillit votuan 266, ku 13 persona munguan, dhe 3 fletë votimi u shpallën të pavlefshme.
NGA FJALIMI I BASHËS

Ndër të tjera, kreu i PD Basha theksoi:“Secili prej të zgjedhurve duhet të jetë çdo ditë pranë qytetarëve për t’i dëgjuar, për t’i mbështetur, që ata të ndjejnë se nuk janë vetëm në braktisjen e  madhe që u ka bërë dyshja Rama Meta… Përgjegjesi për të mos u dhënë paqe mashtrimeve, dështimeve, klientelizmit, krimit dhe korrupsionit qeveritar. Marrim përgjegjësi për të mbrojtur me çdo çmim demokracinë. Marrim përgjegjësi për të përgatitur alternativën e ri ngritjes së vendit dhe të ekonomisë” Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Sot është një ditë e shënuar për Partinë Demokratike: zhvillojmë mbledhjen e parë të Këshillit të ri Kombëtar; do të votë besojmë nënkryetarët, dhe anëtarët e kryesisë që vijnë si rezultat i detyrave të tyre në Grupin Parlamentar, do të zgjedhim sekretarët dhe krerët e departamenteve, të cilët, së bashku me kryesinë e Grupit Parlamentar, kryetarët dhe nënkryetarët demokratë të  komisioneve parlamentare do të përbëjnë Kryesinë e re të Partisë Demokratike… Partia Demokratike numëron sot 105 mijë anëtarë të rregullt. Në asnjë moment të jetës së saj kjo parti nuk ka qenë një parti  në letër. Përkundrazi, ka qenë dhe është një parti e gjallë e veprimit, e për balljeve në fushë të hapur me çdo lloj te keqe, e arritjeve, e zgjidhjeve, e punëve të mëdha, e veprave konkrete… Me shurdhërinë, verbërinë dhe kryeneçësinë tipike të dy oligarkëve të regjur, Rama dhe Meta, u injorua zëri i protestës, zëri i qytetarëve, kërkesat e tyre. Injoruan paralajmërimet dhe argumentet e opozitës se me paketën e tyre të re  fiskale dhe  me buxhetin e ri të vitit 2015, ekonomia do të rrokulliset  në një recesion edhe me të thellë,  me pasoja të rënda për sipërmarrjen e ndershme, për familjet dhe individët pa dallim. Injoruan pa asnjë argument profesional, por vetëm me të folurën në delir të kryeministrit, 31 propozimet e opozitës. Nuk u konsultuan me asnjë grup interesi. Vulosën me një votim sa për të kaluar radhën, si  paraardhësit e tyre politikë, buxhetin më arbitrar kundër qytetarëve dhe më klientelist për vete të dy dekadave të fundit”-Theksoi Basha.

SOM 1

“Gjithsej ishin 270 anëtarë të Këshillit Kombëtar. Ajo që ngjalli interes ishte gara për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Për këtë post, kandiduan Eduard Selami, Enkelejd Alibeaj dhe Arben Ristani, ku fitues rezultoi ky i fundit. Po kështu u votua edhe për drejtuesit e 22 departamenteve dhe 6 sekretarëve. Gjithçka shkoi normalisht, ku me interes pritej zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm. Fituesi me 101 vota, doli Arben Ristani”

Fituesit për sekretariatet e PD

-Sekretariati për Burimet Njerëzore, Fatbardh Kadilli
-Sekretariati për Organizimin, Enno Bozdo
-Sekretariati për Zgjedhjet, Ivi kaso
-Sekretariati për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma
-Sekretariati me Organizatat Partnere, Valbona Mezini
-Sekretariati për Shoqërinë Civile, Nevila Xhindi

Fituesit për departamentet e PD

-Departamenti për Energjinë dhe Burimet Natyrore, Zana Guxholli
-Departamenti për Infrastrukturë dhe Transportin, Ervin Minarolii
-Departamenti për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Agro-industrinë, Enkelejda Sollaku
-Departamenti për Shoqërinë e Informacionit Endri Hasa
-Departamenti për Ekonominë dhe tregun, Florion Mima
-Departamenti për Financat, tregun ekonomik e bankar, Sherefedin Shehu
-Departamenti për Antikorrupsionin, Lealba Pelinku
-Departamenti për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore, Elvin Salianji
-Departamenti për Çështjet Sociale Kastriot Sulka
-Departamenti për Emigracionin dhe Diasporën, Bardh Spahia
-Departamenti për të Përndjekur dhe ish-pronarët, Belind Klliçi
-Departamenti për Sigurinë e Rendin Publik, Bashkim Shehu
-Departamenti për Drejtësinë dhe Çështjet Ligjore, Eduard Halimi
-Departamenti për Pushtetin Vendor, Voltana Ademi
-Departamenti për Ambientin, Pyjet, Turizmin, Jamarbër Malltezi
-Departamenti për Arsimin Shkencë, Luciano Boçi
-Departamenti për Kulturën, Rininë, Sportin, Arben Skënderi
-Departamenti për Shëndetësinë, Tritan Shehu
-Departamenti për Integrimin Europian Laura Vorpsi
-Departamenti për Politikën e Jashtme, Kreshnik Çollaku