Zgjedhjet në PD/ Akademiku Artan Fuga: Partitë në Shqipëri kanë nevojë për demokratizim

80
Sigal

Më 13 qershor do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike, ku Lulzim Basha dhe Fatbardh Kadilli janë deri tani dy kandidatët.  I ftuar me anë të një lidhjeje direkte në studion e një emisioni televiziv, dha dhe mendimin e tij akademiku Artan Fuga.

“Këtë debat për demokratizimin e vetë Partisë Demokratike nuk e hapi shoqëria jashtë Partisë Demokratike, por ky debat u hap brenda PD-së. Drejtues të kësaj partie dhe figura të rëndësishme si Zoti Nishani kërkuan që të analizohet fushata.

Për rrethana nga më të ndryshme, partitë politike në Shqipëri kanë nevojë për demokratizim.

Për atë çështje që u vu në diskutim brenda Partisë Demokratike, unë do të mendoja që në PD kishte një lloj personalizimi gjatë fushatës te lideri siç është Zoti Lulzim Basha. Nuk gjykoj fare cilësinë e fushatës, pasi kjo mund të jetë një çështje tjetër, por ky përqendrim te një person i vetëm unë do ta shikoja që duhej që në media të kishin dalë figura shumë të rëndësishme si deputetë të cilët mund të kishin krijuar një zë polivalent dhe të ishte më i hapur.

E dyta, do të mendoja që zëri i shoqërisë civile të vinte më i strukturuar, të ftoheshin figura të rëndësishme të fushave të ndryshe që mund të jepnin mendime dhe mund të përpunonin platforma, të jepnin ide, programe apo edhe me studime. Kjo mua më duket shumë e rëndësishme.

E treta, mua më duket që edhe zëri i kryesisë dhe zëri i Këshillit Kombëtar është dëgjuar pak, pasi më duket se është zëvendësuar me forumin e krerëve të aleancave politike që ka Partia Demokratike.

Nga kjo pikëpamje, mendoj se ka vend për demokratizim. Mbi të gjitha mendoj se nëse sistemi i sotëm i qeverisjes në Shqipëri është autoritar, është piramidal, është i përqendruat te pushteti ekzekutiv, i cili dominon të gjithë pushtetet e tjerë, mua më duket që platforma e parë dhe më prioritare e Partisë Demokratike do të ishte një platforme e cila shkon te demokratizimi i sistemit politik.

Nga kjo pikëpamje unë them se mundet që të ketë hapësira për demokratizim”, tha Fuga.

Pyetjes se a duhet të japë Basha dorëheqjen, akademiku Artan Fuga iu përgjigj: “E para është gjykimi i tij. E dyta unë nuk mendoj se është një përgjegjësi personale e tij, edhe për shkak se kishte përballë një pushtet monolitik, ku partia në pushtet përdori asetet e shtetit për të shkuar në fushatë. Përgjegjësia nuk është vetëm e kryetarit, ka një përgjegjësi kolektive.

E treta, mua më duket që Zoti Basha nuk ka marrë mandat nga Këshilli Kombëtar, ka marrë nga masa e partisë. Kur them demokratizim, them respektimin e disa normave që ka statusi i partisë. Nuk mundet që Këshilli Kombëtar t’i kërkojë dorëheqjen.

Është hapur fushata për zgjedhje, por mua më duket që nuk është demokratik. Koha është shumë e nxituar, nuk i jepet koha e duhur kandidatëve të dalin, komisioni është në konflikt interesi. Një nga ato arsyet që kanë të gjitha partitë që krijohet një komision që ka konflikt interesi. Pra, mendoj se janë hapur këto zgjedhje, partia ka mënyrën më të mirë që kandidatët që mund ta përfaqësojnë PD-në më mirë se Zoti Basha, të kandidojnë. Nuk ka asnjë të pazëvendësueshëm. Është një garë, ka një statut, të hapet në mënyrën më normale. Gjykoj që opozita është ruajtja e asaj pak demokracie që në Shqipëri është bërë si një metal i rrallë.”