Zgjedhjet në Dibër, Rama takim me banorët: Maqellara do jetë kthesa e fitores

889
Sigal
Maqellara ishte ndalesa e radhës në fushatën e kandidatit të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Dibrës Muharem Rama. Në mitingun e organizuar në sheshin kryesor të kësaj njësie administrative mori pjesë Kryetari i Grupit Parlamentar të socialistëve Gramoz Ruçi, deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Socialiste për Integrim Përparim Spahiu, deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Aqif Rakipi, ministrat Gjiknuri e Beqaj dhe deputetët Balla e Abazi.
Pasi ju kërkoi votën për doktor Muharemin, Ruçi shprehu besimin e tij të plotë se kandidatura është më e mira për banorët e Maqellarës por edhe gjithë Dibrës.
“Ka 20 vjet që subjekti ynë e kërkon për të kandiduar dhe ai ka hezituar. Kësaj radhe, nuk hezitoi. Pse nuk hezitoi? Sepse profesioni i tij e ndihmon për një gjë, që përpara se të shërosh një pacient duhet të përcaktosh diagnozën dhe ai tani ka përcaktuar diagnozën se ku i dhemb popullit të Peshkopisë. Para se ta ulë në sallë duhet të bindet tek suksesi i operacionit. Tani, ai është i bindur se është në gjendje vërtet të operojë për hallet, problemet e shqetësimet e shumta që ka populli i Peshkopisë”, u shpreh Ruçi.
Deputeti Përparim Spahiu i Lëvizjes Socialiste për Integrim konfirmoi mbështetjen për doktor Ramën ndërsa vuri në dukje edhe mbështetjen e qeverisë. “Qeveria shqiptare duhet t’ia lehtësojë punën sepse Rema sigurisht që do të fitojë dhe do të jetë kryetari i Bashkisë Dibër. Unë jam shpresë plotë që këtë herë do të kemi mbështetjen e qeverisë. Faleminderit që jemi të gjithë bashkë këtu sot”, theksoi Spahiu.
I të njëjtës linjë në deklaratën e tij para banorëve të Maqellarës ishte edhe deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi që tha se kudo që ka pyetur për doktor Muharemin, nuk ka dëgjuar asnjë fjalë të keqe e kjo konfirmon se është kandidatura e duhur për tu votuar në 11 Shtator. Kordinatori i socialistëve për Qarkun e Dibrës Damian Gjiknuri insistoi se zgjedhja e dibranëve në 11 Shtator është shumë e qartë. “Më mirë ai që ju ka shërbyer dhe e keni këtu sesa ata njerëz që kanë ikur, kanë premtuar mbi 8 vjet se e keni zgjedhur dhe deputet dhe tani vijnë dhe ju kërkojnë votën”, tha ai.
Mes entuziazmit të mbështetësve në miting, kandidati për Bashkinë e Dibrës Muharem Rama premtoi çertifikimin e të gjitha pronave e tokave në Maqellarë, investime në infrastrukturë, rikonstruksion të shkollave dhe qendrave shëndetësore, investime në sistemin e ujësjellës/kanalizimeve. “Kam besimin e plotë se Maqellara do të jetë kthesa më e madhe për fitoren e bashkisë së Dibrës”, vlerësoi Rama.
NOA