Zgjedhjet, Gjinushi dhe Milo rebelohen ndaj Edi Ramës

596
Duket se partitë e vogla politike, të cilat në zgjedhjet e mëparshme kanë qenë në të njëjtin koalicion me Partinë Socialiste, të bashkohen sërish. Por dy prej tyre dalin kundër
Partia Socialiste i ka bërë thirrje aleatëve të saj për tu bërë pjesë e fushatës së përbashkët në këto zgjedhje. Gjatë ditës së djeshme forca që qeverisi vendin për katër vite me radhë, ka marrë “ok” e tre partive të vogla, ndërsa ka hasur në kundërshtinë e dy prej aleatëve të cilësuar më të vjetër atë të Paskal Milos dhe Skënder Gjinushit. Nga ana tjetër tre aleatë të Edi Ramës u bënë thirrje votuesve të tyre që votat t’ia japin Partisë Socialiste. Petro Koçi i PSV 91, Gjergj Koja i Partisë Socialiste të Moderuar dhe Idajet Beqiri i Partisë së Unitetit Kombëtar ua drejtuan thirrjen nga selia e PS, pasi u pritën në një takim nga një drejtues socialist, por jo nga Rama. “Çdo votë për partitë e vogla dëmton koalicionin. Tërhiqemi nga regjistrimi. Votat për partitë e vogla dëmtojnë fitoren e PS”, tha Petro Koçi. Por ndërsa ata bënë thirrje për bashkimin e votave dalin edhe parashikimet e para se si mund të dalin tre partitë e vogla të së majtës së bashku në këto zgjedhje. Nga të dhënat zyrtare të siguruara PSV 91 e Petro Koçit, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 mori 6135 vota, ose 0.36 % të tyre në rang kombëtar. Partia Uniteti Kombëtar e Idajet Beqirit mori 513 vota në të gjithë vendin, ose 0.03% të votave. Partia Socialiste e Moderuar mori 3119 vota në të gjithë Shqipërinë, ose 0.18% të votës së përgjithshme. Me të gjitha votat, tre aleatët e Ramës nuk do të prodhonin një deputet së bashku. Petro Koçi mban postin e zv.ministrit të Mbrojtjes, ndërsa Gjergji Koja është drejtor i Drejtorisë së Shëndetit Publik. Duke garuar të vetëm në zgjedhje për të provuar forcën reale në elektorat, asnjëri prej tyre nuk do të kishte nxjerrë deputetë, siç tregojnë rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të vitit 2013. Por ajo që duket se ka shtyrë këta aleatë për të dhënë votat e tyre për PS është vetëm fakti se duhet të kenë të sigurtë një vend pun, nëse PS rivjen në pushtet në 25 qershor. Dy aleatët historikë të PS, Milo e Gjinushi refuzuan të marrin pjesë në takim. Partitë e tyre rezultojnë me afro 11 mijë vota secila në rang kombëtar në zgjedhjet e vitit 2013.
Gjinushi: Rama gaboi me marrëveshjen dhe tani po e thellon akoma më shumë
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi thotë se PD bëri hile në marrëveshjen Rama-Basha duke marrë nën sqetull aleatët e saj, ndërsa PS gaboi dhe tani do ta thellojë gabimin me thirrjet e dëshpëruara të aleatëve që mbetën rrugëve. Gjatë një prononcimi për mediat Gjinushi tha, se koalicionet lejohen nga Kodi dhe i lejon marrëveshja e partive, ky është skandali juridik që ka ndodhur në Shqipëri. Ndërkohë shton se me porosi të Lul Bashës, nuk lejohen të garojnë aleatët e PSD-së. Por duket se Gjinushi gabimin e Ramës e gjen tek e djathta që sipas tij përmes Lul Bashës është thelluar. Ai thotë se Basha apo Berisha më saktë, aleatët e vet i mori nën sqetull dhe PS ka ngelur vetëm. Dhe e vetme nuk fiton. “Ia kemi thënë në 2009, nuk dëgjoi, na kërkoi falje, dhe nuk duam që të na kërkojë falje prapë. Me këtë rast i bëj thirrje dhe Edi Ramës t’i bëjë llogaritë mirë sepse i duhet absolutisht bashkëpunimi me PSD, pavarësisht presionit që ka nga të vetët për interesa personale. Sepse pa mandatet e PSD-se e majta nuk fiton dot mbi 70 mandate.
Në thelb është kjo: Hajde të merremi vesh me njëri – tjetrin dhe të lëmë në baltë të tjerët. PD prapë bëri një “hile” sepse aleatët e vet i grumbulloi. PS gaboi dhe tani do ta thellojë gabimin me këto thirrje të dëshpëruara të aleatëve që mbeten rrugëve. Për aleatët që mbeten rrugëve unë shpreh keqardhje dhe tani të jenë më në krah tonin, sesa të PS-së, ase PS dhe PSD sepse vetëm kështu fitohet”, deklaroi Gjinushi.
Sigal