Zgjedhjet e 25 prillit, Çuçi: Do të angazhohem që policia të mos njolloset nga politika dhe grupet kriminale

218
Sigal

Ministri i brendshëm Bledi Çuçi thotë se roli i policisë së shtetit ditën e zgjedhjeve të 25 prillit do të jetë i njëjtë me zgjedhjet e kaluara. I ftuar në emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi, Çuçi u zotua për angazhim maksimal që emri i policisë të mos njolloset nga politika apo grupeve kriminale.

“Edhe në këto zgjedhje nuk do të ketë një ndërhyrje te policisë. Unë do angazhohem maksimalisht që emrin e mirë të policisë të paktën për ditën e zgjedhjeve që ka bërë deri tani ta ruajmë edhe mos ta njollosim nga cdo tentativë qoftë nga politika qoftë edhe nga grupe të caktuar kriminale që mund të përdoren nga politika.”- tha Çuçi. Sipas ministrit të brendshëm, dosjet e famshme të Shijakut dhe Dibrës janë histori të shkëputura që nuk cënojnë integritetin e zgjedhjeve.

“Ato nuk tregojnë asgjë për integritetin e zgjedhjeve. Nuk cënojnë fare rezultatin dhe integritetin e zgjedhjeve. T’ia lëmë gjykatës çështjen konkrete që lidhet me ato përgjime. Nuk mund ta mbajë peng zhvillimin e Shqipërisë një histori e shkëputur. Kudo në botë, sot janë bërë shum, madje janë bërë dhe vepra penale në Amerikë dhe nuk thotë njeri që zgjedhjet e Presidentit Biden janë të pavlefshme. “- theksoi Çuçi.

Ministri Çuçi thotë se policia do të marrë masa për të parandaluar ngjarje të tilla. “Shqetësimi është gjithmonë prezent por ndaj është policia për të marrë masa t’i parandalojë ngjarje të tilla apo edhe për ti ndjekur ashtu siç ka ndodhur. Policia bën punën e vet.”- theksoi Çuçi në Përballë.