Fushata, pakti Rama-Basha ndaloi posterat e flamujt

569
Deputeti demokrat, Luçiano Boçi shprehet, se pjesë e marrëveshjes ishte edhe një fushatë pa banderola
Marrëveshja politike mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Basha duket se ka pasur edhe një pjesë të veçantë për fushatën zgjedhore, e cila nuk ka qenë në fokusin e publikut. Ka qenë deputeti demokrat, Luçiano Boçi, i cili duke denoncuar sjelljen e socialistëve në fushatë, ka zbuluar pjesë të paktit politik Rama-Basha. Në marrëveshje është përcaktuar “forcimi i kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to”. Megjithatë, Rama dhe Basha duket se kanë shkuar edhe më tej, duke përcaktuar rregulla më të detajuara. “Një nga pikat e marrëveshjes përcaktonte qartë një fushatë pa banera, pa banderola apo flamuj. Pra, pa shpenzime marramendëse me burime të padeklaruara. Çdo simbol partiak duhet të vendoset në jo më pak se 5 metër nga zyrat elektorale”, është shprehur deputeti demokrat, i cili ka treguar edhe fotot nga qyteti i Elbasanit, ku shfaqen posterat e Partisë Socialiste. Sipas deputetit Boçi, PS nuk e respekton këtë pikë të kodifikuar dhe në Kodin Zgjedhor. “Sa më e madhe frika në PS aq më i madh është baneri! Megjithatë KQZ duhet të ndërhyjë urgjentisht”, shprehet Boçi.

Megjithatë pas paktit Rama-Basha nuk ka pasur ndryshime të Kodit Zgjedhor, por vetëm të ligjit për partitë politike. Aty është përcaktuar se “në çdo rast, është e ndaluar përdorimi i materialeve propagandistike, përfshirë flamuj dhe postera të çdo lloji apo madhësie, në një distancë më të madhe se 5 metër larg zyrës elektorale të subjektit zgjedhor apo kandidatit”. Do të jetë kjo fushata e parë ku posterat do të jenë të përcaktuar për t’u vendosur vetëm pranë zyrave të subjekteve politike. Me ndryshimet ligjore do të ketë edhe kufizime të tjera për partitë apo institucionet publike. “Ndalohet transmetimi i reklamave të prodhuara, financuara apo paguara nga institucionet shtetërore apo çdo ent tjetër shtetëror apo publik, për periudhën tre muaj përpara datës së zgjedhjeve, me përjashtim të atyre që shërbejnë për informimin e zgjedhësve, sipas përcaktimeve ligjore. Mosrespektimi i rregullave të parashikuara në këtë nen, përveç parashikimeve në Kodin Penal, përbën kundërvajtje administrative dhe sjell dënimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të personit përgjegjës për financat, përkatësisht me gjobë nga 1 milion deri në 3 milionë lekë”, thuhet në ndryshimet ligjore që pasuan paktin Rama-Basha.
Çfarë parashikonte marrëveshja për zgjedhjet:
1 – Presidenti i Republikës dekreton datën e re të zgjedhjeve më 25 qershor 2017.
2 – Regjistrimi i menjëhershëm i partive politike të opozitës. Regjistrimi i listave shumë emërore të partive politike të opozitës brenda datës 26 Maj 2017.
3 – Listat e zgjedhësve
a – Përfshirja në listat e zgjedhësve e zgjedhësve të rinj që votojnë në datën e re të zgjedhjeve. 
b – Dhënia e aksesit opozitës në informacionin e mbledhur nga projekti i Adresave dhe çështjet të tjera të lidhura me zgjedhësit, nëpërmjet auditeve të KQZ-së. 
4 – Mbështetje KQZ-së për përgatitjen e materialeve zgjedhore.
5 – Plotësimi i komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit. 
6 – Zgjedhjet e pjesshme për bashkinë e Kavajës, do të zhvillohen në të njëjtën ditë me zgjedhjet e përgjithshme. 
7 – Pezullimi i çdo iniciative për kontrata të përkohshme në nivel qendror dhe vendor.
8 – Mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitorimit të listës së zgjedhësve.
9 – Mbështetje ndërkombëtare për KQZ- për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës për vëzhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës.
Ndryshimi në ligjin e partive
“Në çdo rast, është e ndaluar përdorimi i materialeve propagandistike, përfshirë flamuj dhe postera të çdo lloji apo madhësie, në një distancë më të madhe se 5 metër larg zyrës elektorale të subjektit zgjedhor apo kandidatit”.
Sigal