Zgjedhjet e 14 Majit/ Kryebashkiaku Veliaj: Të mbajmë ritmin e punëve të mira për Tiranën me unifikimin e votës për socialistët

121
Sigal

Në prag të zgjedhjeve të 14 Majit, kryebashkiaku Erion Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që krahas votës për kandidatin, të votojnë edhe për këshilltarët socialistë. Veliaj tha se unifikimi i votës është e vetmja mënyrë për të mbajtur ritmin e këtyre punëve të mira për Tiranën.

“Dua t’u them qytetarëve se një kryetar bashkie, sado të punojë, të përpiqet, të ketë ambicie e vizione për të transformuar qytetin, nuk mund t’i realizojë dot këto nëse nuk ka vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak. Kur Këshilli Bashkiak ishte pre e koalicioneve, e negociatave pa fund, kur ti bllokoheshe me ditë të tëra, humbisje shumë kohë.

Do të doja patjetër të kisha privilegjin dhe nderin e jetës sime të bëja edhe këtë mandat të fundit, në shërbim të qytetarëve të Tiranës, por nuk do vlente kjo nëse e njëjta votë nuk do ishte edhe për Këshillin Bashkiak. Parimi ynë është unifikimi i votës; votë për kryetarin dhe për këshillin Bashkiak të PS, si e vetmja mënyrë që ne mund të mbajmë ritmin e këtyre punëve të mira për Tiranën”,- tha Veliaj.

Teksa renditi disa prej investimeve, që priten të nisin këtë vit, Veliaj tha se sot Tirana është në ditët e saj më të mira.

“Sot Tirana është në ditët e saj më të mira, jo në ditët perfekte, por në ditët e saj më të mira. Para ca minutash u largua delegacioni i këngëtarit të famshëm grek, Argiros dhe ata që kishin qenë në Tiranë para ca vitesh nuk e dallonin dot, mendonin se kishin ardhur në një qytet tjetër, shumë më modern, shumë më perëndimor, njerëzit shumë herë më aktivë. Jeta publike shumë herë më prezente dhe e gjallë. Ndaj, edhe unë besoj që ne duhet të vijojmë këtë ritëm të Tiranës.

Tirana vjet ishte Kryeqytet Evropian i Rinisë, tani është Qyteti Evropian i Sportit, vitin tjetër do jemi Presidenca e gjithë qyteteve të Ballkanit. Unë besoj që gjithë këto aktivitete e rrisin reputacionin e qytetit, vlerën e pronës dhe ekonominë tonë dhe që të vazhdojmë me këtë ritëm na duhet jo vetëm vota për kryetarin, por edhe për këshillin bashkiak që na liron duart të fokusohemi tek puna dhe na jep mbështetjen që na duhet për këto punë”,- deklaroi Veliaj.