Zëvendëskryeministrja Mesi pret Komisioneren e BE për Ekonominë Digjitale dhe Shoqërinë, Mariya Gabriel

479
Sigal

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi priti Komisioneren Evropiane për Ekonominë Digjitale dhe Shoqërinë Mariya Gabriel. Fokus i takimit ishte “Axhenda Digjitale” e Shqipërisë dhe progresi i bërë deri tani, siguria kibernertike, marrëveshja e re për uljen e tarifave “roaming” ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe digjitalizimi i shërbimeve publike. Mesi u shpreh se Shqipëria po ecën përpara drejt shoqërisë dhe ekonomisë digjitale duke krijuar mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset për të përfituar nga teknologjitë e reja dhe inovacioni. “Një ndër elementët kryesorë për të cilët po punojmë dhe jemi në një linjë edhe me përqasjen rajonale dhe evropiane është edhe aftësimi digjital i të rinjve”, shtoi ajo, duke nënvizuar përparësinë që i jep qeveria shqiptare promovimit të nismave digjitale si një instrument thelbësor për modernizimin e qeverisjes dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik për qytetarët e saj. Mesi dhe Gabriel kanë vizituar sportelet e zyrave të shërbimeve të integruara ADISA pranë ZRPP, Tiranë. Komisionerja Gabriel në fjalën e saj e ka cilësuar si një shembull të shkëlqyer, shërbimin që qytetarët shqiptarë marrin pranë këtyre zyrave. Në lidhje me ‘Agjendën Digjitale”, Zëvendëskryeministrja Mesi u shpreh se Shqipëria është pjesë e strategjisë së BE për të përhapur agjendën digjitale në vendet e Ballkanit Perëndimor.