Në Shqipëri, prej disa ditësh ka lindur një debat i gjerë, pasi disa databaza me të dhëna personale të qindra mijëra qytetarëve shqiptarë, si paga, numra të kartave të identitetit apo targa të automjeteve, po qarkullojnë në rrjetin social WhatsApp. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojten e të dhënave personale, i tha ‘Zërit të Amerikës’ se nga një inspektim në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, që dyshohet se është burimi i rrjedhjes së listpagesave, ka konstatuar se ky institucion nuk ka patur standartet e duhura për mbrojtjen e të dhënave personale. Ndërsa ekspertë dhe gazetarë, thonë se prokuroria, e cila ka nisur një hetim për veprën penale “Keqpërdorim i të dhënave personale dhe Shpërdorim detyre”, ka indicie të mjaftueshme, për të hetuar edhe për vepra të tjera penale si ajo e pastrimit të parave, korrupsionit dhe evazionit fiskal.
Mund të jemi përballë një synimi të caktuar, që ka për qëllim të zhvendosë vëmendjen nga një hetim i rëndësishëm
“Kjo nuk është një rrjedhje rastësore e informacionit pasi, siç e patë, doli lista e parë, një listë më e reduktuar, doli kryeministri të jepte shpjegime, doli një listë tjetër e detajuar. Ky proçes çon ne kolaps, dhe kjo do një ndërmarrje urgjentee”, tha për ‘Zërin e Amerikës’ avokati Genc Gjokutaj. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrotjen e të Dhënave Personale Besnik Dervishi, e konsideron një ngjarje të rëndë publikimin e pagave dhe numrave të kartave të identitetit, të qindra mijra qytetarëve dhe thotë se për këtë ka nisur një hetim adminstrativ. “Të njëjtën rrugë do të ndjekim nëse do të këtë raste të ngjashme në vazhdim”, “Në konstatimin tonë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ka patur standardet e duhura të mbrojtjes së sistemeve të menaxhimit të informacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe për këtë arsye ne kemi lënë dhe detyra përkatëse dhë në muajin gusht edhe është sanksionuar për të njëjtin qëllim”, tha ai. Përpunimi i një informacioni të tillë do një kohë relativisht të gjatë thotë Arben Xhaferi, ish punonjës në drejtorinë e hetimit tatimor. Mund të jemi pastaj përballë një synimi të caktuar, që ka për qëllim ose të zhvendosë vëmendjen nga një hetim i rëndësishëm, nga probleme thelbësore ose kërkohet të destabilizohet paqja në Shqipëri dhe Shqipëria dihet që është një nga faktorët e rëndësishëm në Ballkan”, tha për ‘Zërin e Amerikës’ Fabian Zhilla, ekspert për sigurinë. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një konferencë të posaçme për median në lidhje më ngjarjen e rëndë të qarkullimit të listpagesave të qytetarëve shqiptarë në rrjetin social WhatsApp, u kërkoi ndjesë atyre dhe inkurajoi autoritetet hetimore të kryejnë detyrën. Për këtë ngjarje është dorëhequr drejtori i Teknologjisë së Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Përfaqësues të komunitetit të gazetarëve i vlerësojnë të pamjaftueshme këto reagime nga autoritetet dhe shtojnë se kjo dorëheqje duhet të pasohet me të tjera, në nivele të larta./ VOA




















