Shërbimi i ‘check up-it’, një simotër e sterilizimit, është koncesioni tjetër i hetuar/në hetim i Ministrisë së Shëndetësisë. Ai është një kontroll bazë mjekësor për shëndetin, i cili tregon parametrat e trupit tonë si dhe shërben për të parandaluar sëmundjet që në fazat e para. Pra një kontrolli mjekësor periodik diagnostik, një pjesë shumë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor një kontroll që nga viti 2016, ofrohet falas për të gjithë grup-moshat nga 35-70 vjeç. Në këtë mënyrë ‘check -up’ ka për qëllim të përcaktojë statusin tuaj shëndetësor, për të zbuluar shenjat e hershme të sëmundjeve kur shanset për trajtim dhe shërim janë më të mira, për të mësuar në lidhje me rreziqet që ju mund të keni për shkak të historisë familjare, identifikimin e faktorëve të rrezikut për sëmundjet e zakonshme kronike, zbulimin e sëmundjeve që nuk kanë simptoma të dukshme dhe menaxhimin sa më të lehtë të sëmundje që keni tani. Kështu thuhet teorikisht kur qeveria u kujdes për shëndetësinë falas. “Asnjë lek nga xhepat e qytetarëve, gjithçka do të përballohet nga buxheti i shtetit”, – ulërinte në Parlament me një ironi të lexueshme i shumëkërkuari i sotëm, më 2015. Kështu erdhëm te koncesioni në fjalë…
Çështja 1: Nga rreth 1 mijë shërbime online të ‘e-Albania’, rreth 50 lidhen me fjalën analizë dhe 4 prej tyre me Covid-19. ‘Check up’ mungon dhe a e dini përse? Sepse nëse do të ishin hedhë të dhënat në sistem, do të realizohej edhe qëllimi për të cilin u nënshkrua kjo kontratë, por… burime të ndryshme konfirmojnë se në vend kryhen 40-50% e kontrolleve mjekësore të parashikuara, por faturohen dhe mbi faturohen shumë më tepër se kaq… Madje edhe KLSH ka konstatuar pagesa për shërbime të pakryera, njëlloj si në koncesionet e tjera… Po kështu edhe shfrytëzimi i godinave/ambienteve të punës, ujit, energjisë, etj., që ishin në pronësi të shtetit, por “vullneti i mirë” i drejtuesve politikë i shndërroi në dhuratë për kompaninë private…
Çështja 2: Edhe me kërkesë sipas ligjit për informimin, Ministria e Shëndetësisë refuzon të japë çfarëdo informacioni mbi performancën e koncesioneve të saj, duke përfshirë edhe ‘check up-in’. Kjo jo se nuk e dinë se çfarë kërkohet, por nuk janë të interesuar për transparencën ndaj publikut. Kuptohet që vendim-marrja mbi gjetjet teknike e profesionale të ‘check up-it’ (nëse do të kishte të tilla) as që është në fokusin e këtij institucioni.
Çështja 3: A është e vërtetë se mjekët e familjes janë urdhëruar zyrtarisht që të plotësojnë numrin e pacienteve në territorin e tyre me qëllim që kompania “fituese” të vjelë buxhetin e shtetit? Në shtyp është shkruar dhe komentuar një urdhër i tillë, por vetëm kaq. Dikasteri i Shëndetësisë hesht… Unë nuk kam kryer kurrë kontrollin e ‘check up-it’, ndoshta kështu si unë janë qindra e mijëra shqiptarë të tjerë, viktima të keq-qeverisjes. Ndoshta këto radhë i lexojnë edhe prokurorët e SPAK, sepse kam bindjen se të katër koncesionet e shëndetësisë: sterilizimi, hemodializa, laboratorët dhe ‘check up-i’ ngjajnë si “dy pika uji”. Të paktën për nga “funksionet” që kryejnë në dobi të klientëve të qeverisë dhe në dëm të interesit publik. Go SPAK go!






















