Zbatimi i vettingut, i vetmi kusht i BE për datën e çeljes së negociatave

450
Sigal

Kryeministri, Edi Rama, ka zgjedhur që përmes një interviste të Ambasadores së Bashkimit Europian në Tiranë Romana Vlahutin, të theksojë edhe njëherë se zbatimi i ligjit të vettingut është i vetmi kusht i Unionit për datën e çeljes së negociatave për Shqipërinë.

Në një postim në fb, Rama thotë se përpjekja e bllokuesve të Reformës në Drejtësi për të çoroditur shqiptarët me gënjeshtra për qëndrimin e BE-së ndaj Shqipërisë, është e përditshme dhe përbaltja e paepur e vendit prej tyre është mbresëlënëse.

Më poshtë pjesë nga intervista e ambasadores se BE, Romana Vlahutin, me gazetarin Sokol Balla.

Ambasadorja Vlahutin: …Eshtë shumë e qartë se çfarë pret BE nga Shqipëria. Komisioni ka nxjerrë rekomandimin pozitiv, por ka një rekomandim, një kusht që është ligji i Vettingut dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me pesë prioritetet kyçe. Në mënyrë që të hapen negociatat është tërësisht e rëndësishme që të zbatohet Vettingu.

Sokol Balla: A do të thotë kjo që një datë për negociatat mund të jetë një opsion real për vitin e ardhshëm?

Ambasadorja Vlahutin: Nëse është ose jo e mundur, varet tërësisht nga Shqipëria. Unë nuk dua që të përsëris veten, por është shumë e qartë që rekomandimi thotë që duhet të fillojë Vettingu, pra ligji i rivlerësimit dhe në rast se nuk fillon Vettingu dhe nuk do të ketë rezultate, atëherë nuk do të ketë kthim tek ky rekomandim.

Sokol Balla: Për rastin e mirë, zoti Lajçak përmendi atë që e quajti ‘procesi urë’, çfarë do të thotë kjo?

Ambasadorja Vlahutin: Ne po kërkojmë instrumente përsa i përket gjithë sektorit të sundimit të ligjit, që do të thotë që nga janari shërbimet tona nga Brukseli do të vijnë këtu në Tiranë dhe do të shohin sesi mund ta ndihmojmë ne Shqipërinë që të përqendrohet tek zbatimi i kësaj reforme. Ju e dini që nuk bëhet fjalë vetëm për angazhimin e drejtorisë së përgjithshme që merret me zgjerimin, por edhe drejtoria e drejtësisë, e çështjeve të brendshme dhe gjithë ato që kanë të bëjnë me kapitujt 23 dhe 24. Pra, ne dëshirojmë të gjejmë një mënyrë që të kemi angazhim më të thellë me Shqipërinë dhe sidomos për këtë vit zgjedhor ne të mund t’i mbajmë të gjithë të përqendruar për atë që duhet bërë në reformën në drejtësi.

Sokol Balla: Thatë diçka interesante, por që meriton shpjegim. Ju folët për vit zgjedhor dhe këmbëngulët tek reforma në drejtësi. Që ta kuptojmë pak më qartë, janë pesë prioritete, siç tha zoti Lajçak, siç thoni edhe ju? Janë shtatë, siç kanë thënë disa eksponentë politikë të vendeve të rëndësishme të BE-së? Janë zgjedhjet apo është vetëm reforma në drejtësi kushti i nevojshëm dhe mjaftueshëm për të hedhur hapin e radhës drejt BE?

Ambasadorja Vlahutin: Kjo duhet parë me shkallë. Komisioni ka qenë i qartë. Ka një rekomandim pozitiv që të hapen negociatat me Shqipërinë, por është thelbësore që të fillojë Vettingu dhe të jepen rezultatet. Ky është hapi i parë. Pesë prioritetet do të vazhdojnë të qëndrojnë me ne deri në fund dhe ajo që është shumë e rëndësishme dhe që ne e marrim si të mirëqënë, është progresi. Pra si garanci që do të vazhdohet më tej, nuk do të ketë kthim pas, nuk do të ketë qëndrim në vendnumëro. Sa u përket zgjedhjeve, kjo ka të bëjë me demokracinë. Nuk është kusht në vetvete, por ne e marrim për të mirëqënë, sepse zgjedhjet e lira dhe të ndershme kanë të bëjnë me vlerat demokratike të një vendi.

Sokol Balla: Çfarë ndodh nëse Gjykata Kushtetuese kthen totalisht ose pjesërisht ligjin e Vettingut duke bllokuar minimalisht në kohë reformën në drejtësi, a do të thotë kjo fundin e shpresave për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm?

Ambasadorja Vlahutin: Po. Gjatë gjithë kohës kemi qenë shumë të qartë. Miratimi i kësaj reforme duhet të kishte ndodhur që në maj, por u shty deri në mes të korrikut. Është e qartë, Vettingu nuk mund të negociohet. Ai duhet të fillojë dhe duhet madje të japë disa rezultate në mënyrë që Komisioni të rikonfirmojë rekomandimin e vet.