Zbatimi i opinionit të Venecias, detyrim kushtetues !

35

Prof. Dr. Bamir Topi Ish President i Republikës

“Personi që është më shumë i interesuar që të mos funksionojë Gjykata Kushtetuese, është KRYEMINISTRI, që është i dashuruar marrëzisht me pushtetin e tij pa kufi”

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Bamir Topi, Ish Presidenti i Republikës, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”  shprehet, se Shqipëria prej kohësh po përjeton një situatë krejt të veçantë dhe të papranueshme lidhur me mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe personi që i intereson që kjo Gjykatë të mos funksionojë, është Kryeministri Rama,vetëm për të patur një pushtet pa kufi. Prandaj, është detyrim kushtetues, që pa kushte dhe pa alibi të zbatohen opinionet e “Venecias”. Prof. Topi, duke iu referuar fenomenit “Dvorani”,  thotë se karta e personave që përdoren  nga politika, përherë kanë fundin e hidhur të zhvlerësimit dhe hedhjen pa mëshirë të çdo individi të përdorur. Prof. Topi bën përgjegjës dhe fajtorë pushtetarët (e rradhës),  që Bashkimi Europian  i shton çdo  vit  Shqipërisë kushte për hapjen e negociatave, sepse “Politikanët, me përjashtime të vogla,janë të paformuar, inatçorë e pa vizion me lider egzibicionist e jo modest,  dhe një administratë për të qarë hallin. Paaftësi dhe korrupsion që natyrisht të penalizojnë. Ish presidenti Topi, nuk shpreh asnjë optimizëm për marrëveshjen zgjedhore, shprehet se kjo marrëveshje nuk e garanton votën e lirë nga manipulimi, sepse  në fakt janë të njëjtët autorë e aktorë të masakrimit të zgjedhjeve. Nuk po bëjnë gjë tjetër, por vetëm po mundohen të ndërtojnë një mënyrë të re për atë që nesër do të quhet një proces zgjedhor i manipuluar, ku një forcë do marrë qeverinë dhe tjetra do akuzojë sërish për vjedhje votash dhe hapje kutish.

-Zoti President, derisa Komisioni i Venecias dha opinionet, në bazë të kërkesave të përcjella nga Presidenti i Republikës të Shqipërisë, nga Kryetari i Kuvendit dhe nga Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar (Ulsi Manja), a duhet që institucionet Kushtetuese në Shqipëri, (Presidenca, Parlamenti shqiptar, Qeveria) t’i respektojnë këto opinione?

– Padyshim që po. Shqipëria prej kohësh po përjeton një situatë krejt të veçantë dhe të papranueshme lidhur me mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në këto kushte çdo nevojë për të zgjidhur çështje të karakterit kushtetues dhe përplasjen midis institucioneve duhet ta adresojmë tek “Venecia”. Në kohën kur u thirr në ndihmë Komisioni i Venecias, palët politike kanë shprehur besim tek verdikti i saj. Tani, që Komisioni i Venecias ka dhënë opinionin, politika shqiptare e në mënyrë të veçantë Kuvendi i Shqipërisë, duhet të jetë i pari që  duhet të koordinojë veprimet për risjelljen në normalitet të punës,  pasi të gjithë pushtetet e tjera prodhohen pikërisht aty. Nuk ka dhe nuk mund të ketë alibi, ndërkohë çdo ditë që kalon pa Gjykatë Kushtetuese na bën gjithnjë e më shumë një shtet qesharak pa shokë të ngjashëm.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë alibi nga institucionet shtetërore dhe kushtetuese për moszbatimin e opinioneve të Komisionit të Venecias, ndërkohë çdo ditë që kalon pa Gjykatë Kushtetuese, na bën gjithnjë e më shumë një shtet qesharak”

–  Kush e pengon akoma ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, (kujt i intereson mosfunksionimi i saj), edhe pse kjo është një nga kushtet primare të PE-së, KE-së dhe Budenstag-ut  gjerman për hapjen e negociatave?

– Tanimë kanë kaluar vite pa Gjykatë Kushtetuese. Bëni një pyetje vetes: Cili ka bërë ligjëratat më të forta për nevojën e asgjësimit të kësaj Gjykate dhe nevojën e nxjerrjes së djallit prej andej? Cili ka patur detyrimin parësor për rigjenerimin dhe rindërtimin e Kushtetueses? Cilit i ka interesuar të mos kishte supervisor kushtetues për ligje e vendime të dyshimtë dhe favorizuese në ushtrimin e pushtetit  absolut? Përgjigjja del vete. Mjafton një arsyetim normal, pa qenë nevoja të vuash shumë për të gjetur përgjigjen: KRYEMINISTRI, që është i dashuruar marrëzisht me pushtetin e tij pa kufi. Sado të ketë përgjegjësi tek të tjerët, janë minimale përballë asaj çka shpreha më lart.

– Fenomeni “Dvorani” (ku edhe “Venecia” dha opinionin e saj) a është tregues i qartë sesi u keqpërdor Reforma në Drejtësi për të cënuar pavarësinë e  Gjyqësorit nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ?

– Historia politike e Shqipërisë së tranzicionit njeh shumë raste të ngjashme, kur individë të caktuar shfrytëzohen pa mëshirë, duke i ofruar në dukje mbrojtje politike dhe privilegje. Në çdo rast fundi ka rezultuar i hidhur për të gjithë, pasi askush tjetër, përveç politikës nuk zotëron më mirë artin e mashtrimit, të zhvlerësimit  dhe hedhjen pa mëshirë të çdo individi të përdorur. A nuk e kemi dëgjuar se kur nuk  ka argument tjetër për denigrimet që i bëjnë personazheve publike, shfaqësohen, duke thënë se politikë po bëjmë. Në këtë vend të gjithë mund të marrin kosto dhe vetëm politikanët vendimarrës jo. Nuk më habit dhe nuk  më jep asnjë keqardhje që individë,  shërbëtorë të pushtetit hidhen pa mëshirë dhe  si gjë pa vlerë.

– PE-ja u shpreh me votë (gati me votim absolut) se Shqipëria duhet të plotësojë 15 kushte, (nga 4 kushte që ishin para 2 vjetësh) për hapjen e negociatave. Pyetja është: Pse PE-ja, KE-ja, BE-ja i shtojnë Shqipërisë më shumë kushte çdo vit? Nuk na duan? Apo fajësohemi ne?

– Pak nga të dyja. Sot jetojmë në një kohë tjetër, ku çdo gjë shikohet objektivisht, por pa iu shmangur qëndrimeve subjektive. Së pari, pesha kryesore e fajit qëndron tek ne, formimi ynë dhe mënyra si e administrojmë përgjegjësinë e pushtetit dhe qeveria. Nga ky këndvështrim, politika shqiptare nuk ka një të dytë në Europë. Politikanët, me përjashtime të vogla, janë të paformuar, inatçorë e pa vizion me lider egzibicionist e jo modest dhe një administratë për të qarë hallin. Paaftësi dhe korrupsion që natyrisht të penalizojnë. Një vend që nuk bën zgjedhje normale dhe parti politike, që kur ndërtojnë ligjin zgjedhor gjithçka e ndërtojnë mbi psikozat e vjedhjes së votave të të tjerëve, sigurisht nuk merr respekt nga qeveritë europiane, lidhja me të cilët qëndron thjesht në faktin që jetojmë fizikisht në një kontinent. Askush prej tyre nuk ka asnjë detyrim të bëjë lëshime nga parimet që mbajnë në këmbë BE-në. Nga ana tjetër, ka një frymë, ndonëse në minorancë, që nuk janë aleatë me shqiptarët. Kjo diktohet nga tradita e marrëdhënieve dhe nga influenca politike sllave kundrejt Shqipërisë, gjë që kohët e fundit po bëhet edhe më e deklaruar.

– A ka forca politike, udhëheqës politikë në Shqipëri që nuk u intereson integrimi i plotë i Shqipërisë në BE, prandaj sabotojnë reformat integruese?

– Në mënyrë deklarative jo, por me veprime po. Përshembull, si mund ta dëshirojnë Europën disa politikanë, që nuk njohin limit në karrierën e tyre dhe fjala rotacion pushteti është herezi. Të gjithë këta flasin me pathos për Europën dhe asnjëherë nuk e ndjejnë shpirtërisht atë. Nëse sot nuk jemi ende në Evropë, arsyeja janë pikërisht këta. Nga kjo pikëpamje fatkeqësisht nuk arrij të ndaj kush e do e kush, jo, pasi gjithçka është e lidhur me kohën kur je në pushtet dhe opozitë. Në mënyrë ciklike është përsëritur fabula se kush është në opozitë e shikon si sukses të kryeministrit të rradhës anëtarësimin në Europë.

“Për hir të së vërtetës çdo parti politike, shikon interesat e saj dhe nuk kushtëzohet nga debati midis dy forcave politike, që po mbajnë peng Shqipërinë me çështje që ata i kanë monopolizuar, sikurse është ligji zgjedhor. Askush prej tyre nuk mbron interesat tona”

– SPAK-u funksionon, por ende asnjë zyrtar i lartë nuk është hetuar për korrupsion, ndonëse lufta kundër korrupsionit është një nga 15 kushtet e PE-së ndaj Shqipërisë. Është ende herët të gjykojmë SPAK-un, apo SPAK-u është nën influencën politike?

– Besoj se SPAK-u është një institucion, që ndonëse është ndërtuar me ligje të shtetit shqiptar, ka një ndërtim dhe kuptim jashtë atributeve shqiptare. Është ndërtuar dhe ka dukshëm një përkrahje nga partnerët tanë ndërkombëtarë për të përmirësuar frymën e mosndëshkueshmërisë. Nga kjo pikëpamje, shpreh besimin se do të dinë me profesionalizëm t’u shpëtojnë presioneve politike. Tek e fundit, prandaj doli nevoja të ngrihen e të funksionojnë.

-Zoti President, përse kërkohet që të sanksionohet në Kod Zgjedhor mosbërja e koalicioneve parazgjedhore? Deri tani, koalicionet zgjedhore a kanë dëmtuar procesin zgjedhor? (Kemi parasysh zgjedhjet parlamentare të 2013-s, ku fitoi koalicioni parazgjedhor i së Majtës).

– Për hir të së vërtetës çdo parti politike shikon interesat e saj dhe nuk kushtëzohet nga debati midis dy forcave politike, që po mbajnë peng Shqipërinë me çështje që ata i kanë monopolizuar, sikurse është ligji zgjedhor. Askush prej tyre nuk mbron interesat tona dhe në këtë rast shpreh vetëm opinionin tim dhe bindjen personale se jo domosdoshmërisht duhet të futesh në koalicion që të garosh për të fituar. Mendimi im është se  çdo parti politike të futet vetëm në garë dhe pesha e saj elektorale, do të diktojë të drejtën e formimit të qeverisë. Përkundrazi, e dëmshme ishte ajo që kryeministri socialist i kërkoi elektoratit në 2017, që ta kishte vetë timonin. Dhe në fakt qëllimi i garës elektorale është që secili të provojë mbështetjen që ka çdo parti dhe se askush nuk duhet të përfitojë nga të qenurit në koalicion, edhe pse në rol figuranti.

“Janë të njëjtët autorë e aktorë të masakrimit të zgjedhjeve. Nuk po bëjnë gjë tjetër, por vetëm po mundohen të ndërtojnë një mënyrë të re për atë që nesër do të quhet një proces zgjedhor i manipuluar, ku një forcë do marrë qeverinë dhe tjetra do akuzojë sërish për vjedhje votash dhe hapje kutish” 

– Ju, zoti President, si e gjykoni, që negociatat për një marrëveshje zgjedhore u  zhvilluan në rezidencën e ambasadës të SHBA-së në Tiranë dhe jo në institucionet kushtetuese të Shqipërisë?

– Nga jashtë gjykoj se, së pari, ka një gjuhë simbolesh për të treguar marrjen e inisiativës për diçka që politika shqiptare nuk e bën. Së dyti, interesi i partnerëve është që kriza e Kodit Zgjedhor të mos provokojë destabilizim politik dhe institucional në Shqipëri. Së treti, situata në rajon nuk është e qetë dhe nga kjo pikëpamje kërkohet një stabilitet makropolitik, ku Shqipëria ka rol kyç.

– Cili është gjykimi Juaj, për produktin e marrëveshjes zgjedhore? Garanton proces zgjedhor të barabartë dhe mbrojtjen e votës nga manipulimi?

– Jam totalisht indiferent për një gjë që e kanë në dorë të tjerë, pasi nuk mund të influencoj, ndonëse kam folur dhe propozuar gjëra konkrete në kohë. Janë po këta që bënë deformimin e kushtetues në 2008, dhe beteja ime ka filluar qysh në atë kohë. Asnjë reflektim. Për këtë arsye nuk pres të rregullojnë ndonjë gjë ata që ndërtojnë ligje për  pushtet personal, dhe jo për demokraci e prosperitet. Sërish votat nuk do jenë të sigurta. Ju do të thoni pse po e paragjykoni? Kam parasysh një fakt: janë të njëjtët autorë e aktorë të masakrimit të zgjedhjeve. Nuk po bëjnë gjë tjetër, por vetëm po mundohen të ndërtojnë një mënyrë të re, për atë që nesër do të quhet një proces zgjedhor i manipuluar, ku një forcë do marrë qeverinë dhe tjetra do akuzojë sërish për vjedhje votash dhe hapje kutish. Histori shqiptare, që përsëritet.

“Janë po këta që bënë deformimin e kushtetues në 2008, dhe beteja ime ka filluar qysh në atë kohë. Asnjë reflektim. Nuk pres të rregullojnë ndonjë gjë ata që ndërtojnë ligje për  pushtet personal dhe jo për demokraci e prosperitet. Sërish votat nuk do jenë të sigurta”

– Gazeta “Telegraf” ju falenderon për intervistën, zoti President Topi!