Zbardhen emrat e parë për bashkitë kryesore

466
Sigal

Në Tiranë Mimi Kodheli përballë Halim Kosovës ose Gerti Bogdanit. Në Durrës, Vangjush Dako përballë Arqile Goresë ose Oerd Bylykbashi. Në Elbasan, Qazim Sejdini përballë Aurel Bylykbashit

Kur duhen dhe pak muaj që të bëhen zgjedhjet lokale, të majtët dhe të djathtët pothuaj kanë piketuar kandidaturat për bashkitë kryesore të vendit, ku siç pritet, rivaliteti më i ashpër do të jetë kryeqyteti, Durrësi, Vlora, Elbasani e Korça. Burime të “Telegraf” nga selia e PS-së dhe ajo e PD-së konfirmojnë se, “problem i kandidaturave për Tiranën e disa rrethe të mëdha të vendit është bërë objekt i diskutimeve të krerëve të partive përkatëse me të vetët, por dhe me aleatët”. Nga të njëjtat burime konfirmohet gjithashtu, se në pothuaj gjithë bashkitë e vendit, kandidatët do të jenë të PS-së dhe PD-së. Kjo jo se mungon besimi tek aleatët (si tek e majta, ashtu dhe tek e djathta), por eksperienca këtyre viteve në ballafaqimet vendore ka treguar se zgjedhësit janë fanatikë me të mëdhenjtë dhe nuk votojnë për përfaqësues të partive të vogla të krahut të tyre. “Shembulli më tipik është rasti i zgjedhjeve në bashkinë e Elbasanit, kur Durim Hushi, ish-deputet i PS-së kaloi me LSI-në dhe përfaqësoi koalicionin PS-LSI për Kryebashkiak. Hushi, me njohje të mëdha në këtë qytet, shënoi humbjen drastike dhe më të thellën në Elbasan për dy dekada përballë Qazim Sejdinit”,- shtojnë burimet e mësipërme. Po kush do të jenë përfaqësuesit e PS-së dhe PD-së për disa nga bashkitë e mëdha, përkatësisht për Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin!? Ndonëse nuk ka një vendim përfundimtar, burimet pranë dy kampeve politikë evidentojnë kandidatët më të mundshëm. “Tirana pritet të jetë shesh-beteja elektorale më e madhe. Kandidatura më e mundshme e PS-së e aleatëve pritet të jetë Mimi Kodheli, aktualisht ministre e Mbrojtjes në kabinetin qeveritar. Diskutohet dhe për një përfaqësues tjetër, këtë radhë nga drejtues LSI. Por kandidatura më e mundshme është ajo e Kodhelit. Ndërsa në kampin blu janë evidentuar dy kandidaturat më të mundshme që do luftojnë për Kryebashkiak të Tiranës. Ata janë deputetët aktualë, mjeku i njohur Halim Kosova dhe Gerti Bogdani”,- mësohet nga burimet e sipërcituara. Ashtu si për Tiranën, edhe për disa rrethe të tjera, PS e aleatët shpresojnë një ndihmesë dhe nga PDIU, aktualisht në koalicion me të djathtën. Fakti, që shumica e drejtorëve të PDIU-së që ishin në qeverisjen e PD-së nuk janë lëvizur nga e majta si dhe vota e PDIU-së pro ndarjes territoriale sipas projektit të qeverisë, lë hapur këtë mundësi. “Partia Socialiste dhe aleatët pritet që në ballafaqimin e afërt, në qytetin e Durrësit të rikandidojnë Vangjush Dakon, Kryebashkiakun aktual. Ndërsa e djathta ka dy kandidatura për bashkinë e qytetit bregdetar të Durrësit që synojnë ta marrin këtë njësi të rëndësishme vendore. Ata janë Arqile Goreja, ish-drejtor i Postave dhe deputeti Oerd Bylykbashi, ish-këshilltar i Berishës, deputet aktual i PD-së zgjedhur nga elektorati i Durrësit”,- shtojnë burimet e mësipërme. Elbasani, një nga qytetet e mëdha të vendit, në përballjen më të afërt elektorale, pritet të jetë epiqendra e një fushate të ashpër me pikësynim të qartë nga të dy kampet, ai i majtë dhe ai i djathtë. “Nga PS dhe aleatët, kandidatura e mundshme për Elbasanin është Qazim Sejdini, Kryebashkiaku aktual. Kjo, jo vetëm për faktin se në ballafaqimin e fundit ai arriti ndër rezultatet më të thella përballë rivalit, por dhe se ka njohje e respekt tek qytetarët e bindjeve të ndryshme. Mundësitë e një kandidature tjetër nga e majta për qytetin e Elbasanit janë të pakta. Edhe aleatët e PS-së janë dakord që t’i përfaqësojë Sejdini. Ndërsa nga e djathta, kandidatura më e mundshme për kandidim në Elbasan është deputeti i PD-së Aurel Bylykbashi”,- shtojnë burimet e mësipërme.

Po ndarja mes aleatëve për përfaqësim në ballafaqimin për kryevendor në zgjedhjet e vitit që vjen për 61 njësitë vendore!? PD dhe PS do të kenë ‘pjesën e Luanit’, ndërkohë që aleatët do të kenë numër të pakët përfaqësuesish. Nga kampi i majtë, në zgjedhjet e ardhshme lokale PS do të ketë 37 kandidatë, LSI 20 kandidatë dhe PBDNJ 4 kandidatë. Nga e djathta PD do të ketë 55 kandidatë, PDIU do të ketë 4 kandidatë, ndërsa PDK 2 kandidatë.