Xhovan SHYTI: Deklarata e Presidentit Meta, që xhindosi kryeministrin Rama

390
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka dalë në konferencën e përjavëshme për mediat, duke plasur bombën e rradhës me denoncimin e faktin se shumë investitorë të huaj, po luajnë lojën e Arbitrazhit ndërkombëtar me Shqipërinë, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm Buxhetit të Shtetit, që mbushet kryesisht nga paratë e takspaguesve. Nuk se me këtë deklarim Presidenti i Republikës komunikoi ndonjë temë të paditur, pasi përmasat e korrupsionit që ka përfshirë çdo qelizë të administratës qeverisë, tashmë janë proverbial. E veçanta e këtij denoncimi qëndron në dy aspekte: Së pari, pasi Ilir Meta është unik në rolin e opozitarit konstruktiv që institucioni i Presidentit i bën qeverisë, dhe, së dyti, sepse kur denoncimi vjen nga instancë më e lartë e shtetit do të thotë se zullumi është trashur shumë-shumë. Gjë që është e vërtetë dhe këtë e theksojnë, përveç institucioneve shqiptare, edhe një sërë homologësh perëndimore, dashamirës të Shqipërisë. Sikundër është e vërtetë se, edhe pse raportimet e denoncimet e mediave për korrupsionin aktiv të zyrtarëve janë pothuajse të përditëshme, nuk ka asnjë reagim nga kreu i qeverisë Edi Rama, që në vend të godasë të korruptuarit, u vërsulet mediave. Këtë bëri edhe të premten me presidentin Ilir Meta, pas denoncimit që ky i bëri lojës me Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke akuzuar hapur Avokaturën e Shtetit, që me moskthimin e përgjigjes ndaj kërkesës së Presidentit, kishte shkelur Kushtetutën. “Shumë investitorë e kanë çuar Shqipërinë në Arbitrazh, për shkak të veprimeve arbitrare të zyrtarëve në Shqipëri. Janë përdorur edhe deklaratat e Kryeministrit në këto gjyqe dhe dëmi ekonomik është shumë i madh. Vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit, janë rrezik për financat e vendit. Ekonomia në Shqipëri është në situatë kritike dhe parashikimet e organizatave të huaja tregojnë keqmenaxhim. Shteti shqiptar nuk mund të marrë borxhe pa fund. Korrupsioni dhe veprimet e paligjshme të Kryeministrit dhe vartësve të tij, po shkatërrojnë financat e vendit. Avokatura e Shtetit, institucion në varësi të Kryeministrit, guxon dhe nuk i kthen përgjigje Presidentit të Republikës, është një shkelje kushtetuese”, -u shpreh Presidenti Meta në deklaratën javore. Ku nuk ngurroi të vijojë me akuza të forta ndaj qeverisë “rilindase” të Edi Ramës, teksa deklaroi se zyrtarë të saj janë të përfshirë në një veprimtari kriminale, që shkatërron financat e shtetit dhe rrezikon të çojë vendin drejt një katastrofe financiare”. …Ka dyshime për një lojë të dyfishtë korruptive të zyrtarëve të caktuar të qeverisë, që do të thotë që përfitojnë edhe nga kompania që merr apo trashëgon aktivitetin e investitorit, të cilit i zgjidhet kontrata, por bashkëpunojnë edhe me investitorin, i cili humbet kontratën në Arbitrazh, duke mos mbrojtur sic duhet interesat e shtetit shqiptar, ishte artikulimi vijues në ligjëratë të drejtë i Presidentit, që, ndërsa zbërthente skemën e operimit të kryeministrit Rama për të shmangur një penalizim të mundshëm në ditët vijuese, nuk kursente të bënte bashkëfajtor dhe Parlamentin. “Zotëria në fjalë ia ka marrë dorën, se nuk firmos vetë, firmosin të tjerët në qeveri, edhe në Parlament, se rastet më skandaloze janë në Parlament. Por çdo zyrtar i qeverisë duhet ta dijë dhe ta mbajë mend mirë sot, se për çdo firmë do të mbajë përgjegjësi, sepse ndryshe ky shtet shembet”, -denoncoi Presidenti Ilir Meta, i bindur për zbrazjen e “çiftes” nga Kryeministri që edhe këtë herë ia drejtoi grykën Presidentit të Republikës dhe jo problemit shqetësues që po nuk u ndal vërtetë mund të na shkatërrojnë financat e vendit. Mirëpo Edi Rama si Edi Rama, gjithmonë “i pagabueshëm” dhe “asnjëherë nuk ka faj”!