PD, Basha në Tropojë: T’i japim kuptim lirisë dhe demokracisë duke fuqizuar qytetarin

498

Lulzim Basha me qytetarët
dhe demokratët e Tropojës: “PD përgatitet të marrë përgjegjësi konkrete të
qeverisjes. Detyra jonë kryesore, misioni ynë më i shenjtë që prej ditës së
parë në qeverisje, të bëjmë gjithçka për njerëzit” 

 

Me demokratët e Tropojës, Lulzim Basha vuri në dukje
se Partia Demokratike është sërish në mision historik për të sjellë valën e
fundit të demokratizimit të vendit, të modernizimit të politikës, të kthimit të
pushtetit tek qytetarët.

Liria dhe demokracia kanë humbur kuptimin, tha Basha,
dhe që këto koncepte të marrin fuqi, duhet fuqizuar qytetari, duke ia kthyer
atij kontrollin e qeverisjes me instrumentat që i takojnë.

“Vendi është robëruar nga një kastë, nga një klikë të
korruptuarish dhe kriminelësh të cilët kanë vetëm një interes, të përfitojnë e
të pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Koha ka ardhur që Partia Demokratike t’i
japë Shqipërisë dhe shqiptarëve fazën e fundit të modernizimit të një vendi,
drejt lirisë dhe demokracisë. Ashtu si demokracia dhe liria erdhën për shkak të
nevojës, domosdoshmërisë për të shporrur diktaturën, atëherë kur s’kishte më ku
të shkonte, nuk kishim më nga t’ia mbanim, edhe sot kjo vjen si një
domosdoshmëri t’i kthejmë qytetarëve qeverisjen, të fuqizojmë qytetarin, duke i
dhënë instrumentat kushtetuese dhe ligjore që ai të përcaktojë të gjitha
vendimmarrjet dhe vendimmarrësit lirisht dhe jo i kërcënuar dhe as i
shitblerë”, tha Basha.

Basha u kërkoi anëtarëve të Partisë Demokratike të
qëndrojnë pranë njerëzve, të prekin realitetin e tyre dhe të evidentojnë hallet
e qytetarët në nevojë.

“Halle konkrete, emra konkretë, fate konkrete
njerëzish i njohim, i dimë, i takojmë ditë për ditë në komunitetet, por ne
duhet të kemi një evidencë të plotë. Kjo është një parti politike që përgatitet
nesër të marrë përgjegjësi konkrete të qeverisjes, jo demagogji, jo premtime
koti. Dhe po ju them se detyra jonë kryesore, misioni ynë më i shenjtë që prej
ditës së parë në qeverisje, pa asnjë alibi është të bëjmë gjithçka për njerëzit
në nevojë”, pohoi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike shpjegoi se si do të
përdoret buxheti i qeverisjes së tij. 

“Buxheti i shqiptarëve do të shpenzohet për
shqiptarët. Objektivi ynë, qëllimi ynë është që asnjë familje të mos mbetet pa
bukë, pa ujë, pa drita, kjo nënkupton një sërë masash të menjëhershme; siç
është pagesa për çdo familje në nevojë ekonomike e 200 kilovatëve të parë të
energjisë elektrike drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit; dhe e njëjta gjë edhe
për faturat e ujit, e për nevojat jetike. Po kështu rritja e ndihmës ekonomike
për të bërë të mundur që ata të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të
ushqyer veten e tyre dhe fëmijët të marrin mjaftueshëm ndihmë ekonomike për të
mbajtur veten gjallë, jo thjesht t’i marrin me një dorë dhe t’i paguajnë me
dorën tjetër”.  

Tropoja po vuan 3 vitet e braktisjes nga qeveria. Në
rrugë takon njerëz me halle e probleme.

“Jam në gjimnazin “Asim Vokshi” dhe më një mesatare me
notën mbi 9.5. Kam një kërkesë; jetoj në një familje prej gjashtë personash dhe
të ardhurat ekonomike nuk janë edhe aq të favorshme sa për të mundësuar
shkollimin tim dhe për të vazhduar shkollën”, thotë Ardita Celaj.

“Universitetet publike do të jenë të hapura për
fëmijët e shqiptarëve. E vetmja gjë që të kërkoj ty dhe bashkëmoshatarëve tu të
“Asim Vokshit”, Tropojës e anembanë Shqipërisë, mbajeni mendjen tek mësimet,
përkushtojuni mësimeve, ndryshimi po vjen dhe ju do shijoni, do të gëzoni këtë
ndryshim, sepse ju jeni ndryshimi i vërtetë i Shqipërisë”, siguron Lulzim
Basha.

Sigal