Jo për t’iu përgjigjur qëndrimit të një të ashtuquajturi kryetar bashkie, por për të qenë në anën e qytetarëve dhe për të ngritur zërin bashkë me ta, po e bëj të qartë se unë, më së pari si grua dhe si nënë, por edhe si deputete dhe pedagoge, shkova në shkollën “Ibrahim Basha” në Bashkinë Kamëz në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, sepse 900 nxënës nesër nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollën e tyre, por do të detyrohen të shkojnë në shkolla dhe 1 orë larg vendbanimit në turnin e dytë.
Unë jam deputete e Partisë së Lirisë e zgjedhur me votë dhe nuk i njoh kufijtë administrativë të korrupsionit tuaj kur është fjala për të qenë zëdhënëse dhe mbrojtëse e interesit qytetar.
Një shkollë që nuk hap dyert në ditën e parë të vitit shkollor është barrë për një shkollë tjetër, për nxënësit e saj dhe prindërit e tyre.
Ju fajësoni kontraktorin që është tërhequr për shkak të çmimeve të rritura nga lufta në Ukrainë. Çuditërisht ky kontraktor nuk paska përfituar nga aktet normative të kaluara me urgjencë në mars 2022 që rimbursojnë kostot e shtuara të materialeve të ndërtimit që përdoren në projekte publike.
Ju thoni se pas 30 vitesh, Kamza ka gjetur rrugën e zhvillimit. Por ky i fundit nuk mund të vijë kurrë nëse qytetarët injorohen e nuk dëgjohen dhe ju duhet të mësoheni me llogaridhënien.
Prindërit do të protestojnë e do të kërkojnë llogari.
Sa për replikën tuaj fyese dhe të zbrazur nga argumentet, as nuk marr mundimin t’i përgjigjem.
Ju duhet të jepni llogari nesër, në ora 8.00, tek shkolla “Ibrahim Basha” para prindërve dhe fëmijëve.
Do t’ju dorëzoj dhe kërkesën time personale për informacionin, si qytetare dhe si deputete. Mbetem në pritje të përgjigjes me shkrim, siç funksionon shteti i së drejtës.
Mos i jepni urdhra politikë policisë, pasi asgjë nuk mund t’ju shmangë nga llogaridhënia popullore dhe drejtësia.
As ju, as Rilindjen!
Nesër në orën 8.00, deputetja Erisa Xhixho dhe Sekretari Organizativ, Endrit Braimllari do të jenë bashkë me prindër në shkollën ‘Ibrahim Basha’ në Kamëz.




















