Përgjimet e dosjes së drogës: Tahiri fitoi 5 milionë euro në muaj

603
“Tahiri ndërtoi strategjinë e krimit në 2013. Rama e shiti për të mbrojtur veten”
Implikimi i Tahirit në rrjetin e drogës, flasin Hysni Burgaj, Mithat Havari, Edi Paloka, Nard Ndoka, Fabian Topollaj. Tahiri të pendohet e zbërthejë rrjetin
Rrjeti i trafikut të drogës Shqipëri-Itali, drejtuar nga Moisi Habilaj, i njohur si kushëri me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, paprekur politikën shqiptare. Ndonëse ky rrjet funksiononte prej më shumë se katër vitesh, autoritetet Italiane vetëm pak ditë më parë hodhën dritë mbi të vërtetën, teksa vunë në pranga kryesorët e grupit. Operacioni u zhvillua pikërisht disa ditë pasi në Itali zhvilloi një takim zyrtar kryeministri Edi Rama. Për lidhjet e Tahirit me Habilajt e Vlorës, kishte folur më herët edhe opozita. Madje e kishin akuzuar direkt. Edhe një ish-punonjës i policisë Dritan Zagani që tashmë ka marrë statusin e azilantit të Zvicër foli për këtë grup. Ky i fundit po hetonte për rrjetin e trafikut të drogës dhe papritur u cilësua mashtrues duke u përjashtuar nga policie. Më pas ai u detyrua të lërë vendin dhe t’i drejtohet autoriteteve zvicerane për strehim. Pas të gjitha akuzave të ngritura ish-ministri Tahiri shpërthente në mbrojtje. Këtë radhë emri i tij ka dalë në listat e gjata të përgjimeve nga hetuesit Italianë. Gazeta “Telegraf” pyeti lidhur për këtë çështje, ish-zyrtarë të lartë të Policisë së shtetit dhe politikanë. Mendimet lidhur me situatën janë të ndryshme. Por pjesa më e madhe bashkohet në një pikë. Ata e konsiderojnë Tahirin një prej personave të implikuar direkt në trafikun e drogës. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj shprehet se Tahiri e ka nisur strategjinë e trafikut të drogës që në vitin 2013, ku sipas tij largoi nga radhët e policisë të gjithë oficerët dhe ata që e pengonin në rrugën e tij. Burgaj beson se në këtë rast Rama e shiti Tahirin për të mbrojtur pozitën e tij. Ndërkohë Paloka dhe Ndoka shprehen se Rama e shiti Tahirin. 
Hysni Burgaj, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
E mendoj si një strategji të tij që në fillesat e punës si ‘ministër’: Për të realizuar këtë së pari, mori të gjitha kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Studioi e largoi nga puna të gjithë ‘zaganët’ rreth 1000 oficerë që e pengonin në objektivat madhore të hashashizimit të vendit. Me vartësit e tij të “dalluar” në këto punë arriti të hapë linja të reja ajrore (areodrome), zëvendësoi sistemin e QNOD-se, sistem amerikan me një sistem “qorr” që çuditërisht nuk ka punuar asnjë ditë normalisht. Bëri gradime në polici pa asnjë kriter, mjafton ta kesh mirë me ministrin. Brenda 2 viteve ka drejtues policie që kanë marrë 2 grada, ndërkohë që ato mundet të merren për 6- 7 vjet, nëse e fiton atë! Sulmoi që në fillim prokurorinë e gjykatat, nuk u ofroi bashkëpunim të sinqertë asnjëherë, pavarësisht problemeve që ka sistemi. Duket që Rama po e shet Tahirin. Duhet hetuar dhe pritur për të parë, nëse do të ketë më shumë se kaq. Në këto momente të vështira që po kalon vendi, ka nevojë për mbështetje të fortë nga të gjitha krahët e politikës për Policinë e Shtetit, pjesën e madhe të ndershme të saj. Ka nevoja të mëdha për trajtim financiar e mjete bashkëkohore, pasi është policia më e keq trajtuar në rajon e veçanërisht e tejpolitizuar. Edhe ato pak investime kanë shkuar dëm (uniforma model turk të dala boje, kamera trupi jashtë funksioni etj. I vetmi investim i duhur godinat, fasadat të paktën. Çdo gjë pozitive që bëhet për policinë dua ta përshëndes. Por mbi të gjitha, Policia e Shtetit ka nevojë urgjente të marrë në dorë kompetencat që i jep ligji për të kryer misionin e saj, jashtë çdo ndikimi politik.
Mithat Havari, ish- drejtori i Policisë Tiranë
Nuk e besoj, pasi nuk ka prova zyrtare për implikimin e Tahirit me trafikantët, ato janë thjesht biseda bërë mes tyre. Rama deklaroi se do të shkojnë hetimet deri në fund me të drejtë, aty del e vërteta dhe jo akuzat e opozitës me fjalë. Pra kur flet drejtësia, ligji, unë nuk e pengoj, domethënë nuk marr nën mbrojtje askënd kur shkel ligjin. Kështu e mendoj unë. 
Edi Paloka, nënkryetar i PD-së, Kryetar i Grupit Parlamentar 
Rama nuk po e shet Tahirin. Ai nuk ka mundësi ta mbrojë, nuk është më në dorën e tij. Por çfarë është më e rëndësishme. Rama është i tmerruar për vete, sepse nuk ka idiot që të besojë se Rama nuk ka qenë në dijeni të lidhjeve kriminale të ministrit të tij. E kundërta është e vërtetë. Rama ka qenë nxitja kryesore për këto lidhje. Prandaj sot është i tmerruar të paktën po aq sa Tahiri. Do quhej ironi e fatit sikur të mos ishte shumë më e rëndë se sa një ironi…Vetëm pak ditë më parë më erdhi ky “urdhër” nga Prokuroria e Përgjithshme, ku kërkohet që unë t’i paguaj Saimir Tahirit 50 mijë lekë, sepse Gjykata e Lartë më dënoi “për shpifje” ndaj pupilit të Ramës. Akuza ime ndaj pupilit të Ramës ishte pikërisht për lidhjet e tij me krimin dhe fajtor u shpalla unë. Të njëjtën akuzë kam bërë dhe ndaj Ramës dhe prapë Gjykata e Lartë më dënoi mua për shpifje. Sot lexova prononcimin e Ramës për Tahirin. Lexova dhe komente që e konsideronin këtë prononcim si “shitje” të Tahirit nga Rama. Megjithëse është tipike për Ramën, shtrydhja dhe flakja e atyre që i shërbejnë, ky nuk është rasti. Loja sapo ka filluar. Nuk keni parë asgjë akoma!
Nard Ndoka, deputet
Saimir Tahiri është shitur me kohë nga Edi Rama. Ai për këtë fakt nuk u fut as në kabinet. Unë mendoj se Saimir Tahiri pas gjithë kësaj ngjarje duhet të marrë statusin e “të penduarit” dhe duhet të flasë për peshqit e mëdhenj të trafikut të drogës. 
Fabian Topollaj, anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë
“30 mijë euro i do Saimiri”. Pavarësisht se të gjithë e njihnim situatën me kanabisin në kodrat dhe malet e Shqipërisë, shumë prej nesh nuk e besonim dot që lekët shkonin direkt në dorë të ministrit dhe e gjithë veprimtaria kriminale bëhej nën dirigjimin e të parit të rendit. Historia e përgjimeve të bashkëpunëtorëve të Saimir Tahirit vlen sot më shumë se për çdo gjë tjetër si provë paraprake që sa herë fqinjët kapin ngarkesa me kokainë, atje ka dorë vetë shefi i madh, Edi Rama. Sa herë ngrihen kulla betoni në Tiranë, pas secilës fshihet makutëria e Veliajt. Sa herë bëhen tenderë dhe koncesione, ka një ofiqar që nga zyra publike vjedh paratë tona, ngadalëson zhvillimin, thellon mjerimin dhe krimin në këtë vend.
Sigal