Xhevat Mustafa: Pensionistët ‘viktima’ të çmimeve në stratosferë

120
Sigal

Pas krahasimit të përshpejtuar me Gjermaninë, një pyetje e logjikshme për “popullin e majtë” shqiptar, nëse ndjehen sadopak qytetarë e viktima të këtyre çmimeve stratosferikë në vendin e tyre! Edi Rama është për t’i kënduar apo për t`u mallkuar dhe mos u votuar???  

 Pas kryqëzatës së rritjes së çmendur të çmimeve, menjëherë pas 25 prillit 2021 dhe valës së re të rritjes nga agresioni rus në Ukrainë, edhe në fund vitin 2022 dhe në këto rreth 11 javë të vitit 2023, në hundën e Edi Ramës dhe të ministreshës së tij të financave dhe të ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka vazhduar me revan ky avaz, tashmë i vjetër. Nuk mund të kundërshtohet se kryeministri Rama, edhe sipas disa fotografive që poston për t’u reklamuar si kryefamiljar e si qytetar, shkon herë pas here me Lindën dhe Zahon nëpër dyqane…! Kjo i ka dhënë mundësi ta ketë vënë re rritjen e çmimeve mbi…re, këtu tek ne…! Kur ka shkuar nëpër supermarkete, ndoshta, kryeministri edhe mund të ketë përjetuar me nervozizëm disa befasi njëherazi. Por, “mund të jetë zemëruar me të vërtetë” me çka i kanë parë sytë e ballit. Ndoshta, mund t’i jenë mbushur me lotë, “duke qarë hallin” e qytetarëve të thjeshtë. Së pari, për arësyen se çmimet e shumicës së artikujve ushqimorë, të kozmetikës, higjenës së përditshme, i kanë këputur frerët dhe kanë vazhduar të ngrihen përtej Surrelit, drejt qiellit! Së dyti, se kërcënimet e tij gojore dhe me komisione të sajuara shpejt e shpejt apo të vjetra të ministres Ibrahimaj, sikur i ka mbuluar hiri, plehërat e inceneratorëve, lëkurat e bananeve të Ekuadorit…! Është bërë e dukshme sheshit se pronarët, bosët, oligarkët…ua kanë pirë fare lëngun këtyre kërcënimeve fjalareske dhe “ua kanë gjetur ilaçin” kontrolleve qeveritare! Ata i marrin këto kërcënime e kontrolle thjesht si shou për konsum mediatik e propagandistik apo për ndonjë emision humoristik! Mos vallë po na ndodh “mrekullia”, që edhe pse e shikon mirë dhe ka dijeni kryeministri, çmimet këpusin çdo lloj freri e kapistri??? Në këto kushte, ne si qytetarë, nuk na mbetet tjetër veçse t’i lutemi me përgjërim: aman, Edi Rama, mos u lodh më duke na qarë hallin për shumë mungesa, përfshirë edhe ato të mungesës së fuqisë punëtore nëpër biznese, të mungesës së fuqisë qeveritare për të ndalur marshimin drejt majëmaleve të çmimeve, të korrupsionit, kriminalitetit, emigracionit…Të lutemi, mos i justifiko rritjet e panumurta e të pandalshme si dukuri globale, si rrjedhojë e krizave të këtyre 3 viteve të fundit. Aq më tepër, mos i interpreto këto rritje si rrjedhoja paranoje apo “psikologjike”, sepse pronarët dhe bosët kanë të drejtë të kërcejnë nga gëzimi e lumturia edhe mbi tavolina e karrike! Ndërsa qytetarët me paga e pensione 10- 25 mijë lekë të reja në muaj, domethënë rreth 10- 15 herë më pak se në Gjermani ( një fëmijë merr 250 euro në muaj) e vende të tjera në Perëndim, bëhen për t’u shtruar në klinika dhe spitale neuro- psikiatrike…!!! Rritjet e çmimeve të artikujve të konsumit jetik të përditshëm në Gjermani, nuk kanë nivele të çmendura si në Shqipëri, me paga e pensione as sa një fëmijë 0- 18 vjeç, me 250 euro në muaj për fëmijët, nga dita e parë e lindjes dhe deri në mbushje të 18 vjetëve. Përgjithësisht ushqimet janë bio e të kontrolluara me rigorozitet e jo si në Shqipëri, edhe me përbërës të rrezikshëm për shëndetin dhe jetën e njerëzve, sidomos të fëmijëve! Natyrshëm, çmimet në këtë vend kanë pasur rritje rreth 25% gjatë këtyre 3 viteve, si rrjedhojë e krizave që kanë shpërthyer gjatë tyre. Por, qytetarëve gjermanë rritja e çmimeve u është rimbursuar ndjeshëm e disa herë nga qeveria e tyre shumëfish më tepër se ne qytetarëve shqiptarë nga qeveria “jo e jona”, por e ministrave dhe ministreshave, e drejtorëve dhe drejtoreshave; e oligarkëve dhe “investitorëve strategjikë”; e motrave dhe vëllezërve të tyre, e patronazhistëve…!? Krahas rimbursimeve me donacione të ndjeshme e jo qesharake si tek ne, qeveria federale dhe qeveritë e landeve kanë ndërhyrë edhe me vënien e tavanit, për të mos lejuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve, përtej limiteve të lejueshme. Kontrasti mes dy vendeve, nga det bëhet oqean, kur kujtojmë se ndërsa në Shqipëri çmimet njohin vetëm ngritje, në Gjermani ka filluar periudha e uljeve. Përveç kësaj, aplikohen ulje reale e të përjetueshme në 25-75% në javë të caktuara e përgjithësisht dy ditëve të fundjavëve! Pas krahasimit të përshpejtuar me Gjermaninë, një pyetje e logjikshme për “popullin e majtë” shqiptar, nëse ndjehen sadopak qytetarë e viktima të këtyre çmimeve stratosferikë në vendin e tyre! Edi Rama është për t’i kënduar apo për t‘u mallkuar dhe mos votuar???