Xhevat Mustafa/ Ku t’i kërkojmë dhe gjejmë “veprat” dhe “kryeveprat” e tua, zoti kryeministër. Nuk keni realizuar asnjë zotim

444
Sigal

Ku t’i kërkojmë dhe gjejmë “veprat dhe kryeveprat” e tua, Edi Rama?

Secili nga qytetarët që shikon realitetin dhe të vërtetat me sytë e tij, që analizon dhe gjykon me mendtë, xhepat dhe kuletat e veta dhe jo të “partisë dhe të kryetarit të zemrës”, do të bindet lehtë se fjalë-premtimet dhe veprat e vërteta të Edi Ramës janë larg si dy polet e globit apo, për tolerancë, sa Brukseli dhe Surreli.

Nga Xhevat Mustafa

Më 17 Nëntor, në ceremoninë e përurimit të “Air Albania Stadium” kryeministri Edi Rama, nën efektin e dozave të forta të zemërimit nga kori mijëra zërash “Rama ik!”, nga  numri i madh i komenteve kritikuese në rrjetet sociale për cilësinë, faturën e vërtetë të stadiumit dhe tersllëkun që mbart prania e tij në ndeshjet e ekipit kombëtar të futbollit, tha edhe një të vërtetë: “Fjalët i merr era, ndërsa ato që mbeten janë veprat!”. Nënkuptohet,  që ai vetë ka pandehmë, se ka hyrë dhe do të mbetet në histori për veprat. Duhet të ketë edhe listën e vet për veprat që ka kryer gjatë këtyre afro 6 viteve e gjysmë të qenies si kryeministër, që e nxisin që të ndihet fitimtar e krenar, si njeri i veprave. Ndërsa unë, si pjesë e shumicës së qytetarëve, do t’i bëj një listë veprash, të bëra e të pabëra, me të cilat ka hyrë dhe do të mbetet në histori për keq, si njeri që ka defekt të trashëguar apo ves të fituar, harresën e shpejtë edhe të fjalëve të tij, në formën e premtimeve, shumica e të cilave, për paaftësi e përgjegjësi të tij, nuk i janë shndërruar në “vepra dhe kryevepra”.

Shumëkujt duhet t’i kujtohen fjalimet e Edi Ramës para fitoreve të 23 qershorit 2013 dhe 25 qershorit 2017. Falë aftësisë së lindur për të folur dhe shkruar bukur, domethënë për t’i “dehur ” apo “droguar” ata që e rrethojnë, dëgjojnë, brohorasin, i puthin duart,  ai i bëri me krahë qindra mijëra socialistë-rilindës. Nëpërmjet premtimeve të tij të shumta, u injektoi doza të forta iluzionesh dhe shpresash edhe jo pak njerëzve nga ushtria e të pavarurve dhe e shoqërisë civile.

Për kursim kohe dhe vendi, do t’i përmbledh shkurt premtimet më të forta apo më marramendëse të Edi Ramës:

  • “ Do të bëjmë shtet ligjor të standardeve më të përparuara në Evropën Perëndimore.
  • Do t’ia nxijmë jetën korrupsionit e të gjithë të korruptuarve si dhe kriminalitetit dhe të gjithë kriminelëve.
  • Do t’i japim fund kultivimit dhe trafikut të kanabisit.
  • Do të ulim taksat dhe çmimet e shumicës së artikujve të konsumit të përditshëm jetik.
  • Do të hapim 300 mijë vende të reja pune  dhe do të ndalojmë lumin e emigracionit masiv të shqiptarëve, sidomos të atyre në mosha të reja e me arsim të lartë.
  • Do të rrisim vazhdimisht pagat, pensionet, mbështetjen sociale, nivelin e  mirëqenies së qytetarëve.
  • Do të sigurojmë furnizimin me ujë për 24 orë pa ndërprerje të qyteteve, sidomos të atyre turistike (Durrësi, edhe sot, pas 75 viteve qeverisjeje “të majtë” ka, në verë dhe dimër, vetëm rreth 1 orë ujë në ditë).
  • Do të përshpejtojmë procesin e anëtarësimit të vendit në BE, për nga plotësimi i kërkesave  dhe jo për mëshirë…”

                                                                                                                                                           Secili nga qytetarët që i shikon të vërtetat me sytë e tij, që analizon dhe gjykon me mend, xhepat dhe kuletat e veta dhe jo të “partisë dhe të kryetarit të zemrës”, do të bindet lehtë se fjalë-premtimet dhe veprat e vërteta të Edi Ramës janë larg si dy polet e globit apo, për tolerancë, sa Brukseli dhe Surreli. Për qytetarët objektivë, të pa manipulueshëm me zhurmnajë mitingjesh festive dhe mediatike për “fitore historike” mbi bazë vjedhje-blerjet skandaloze të votave, “veprat dhe kryeveprat” e Edi Ramës dhe të qeverisjes së “Rilindjes”, gjykohen jo nga shifra dhe  lartësia e kullave dhe pallateve, edhe mbi objekte të trashëgimisë historike, monumentale, kulturore…; nga ngjyrat dhe figurat e fasadave; nga pllakat e shesheve dhe trotuareve, nga numri i drurëve të mbjellë, duke “harruar” mijërat e prerë e të djegur…

Këto mund të vlerësohen më mirë:

-Nga faturat e tyre rreth 2 fish më të larta në krahasim me 2013-n dhe me standardin gjerman e francez;

-Nga dobishmëria për rritjen e të ardhurave mujore dhe të nivelit të jetesës së qytetarëve;

-Nga “ushtria” me rreth 35.000 qytetarë që ka braktisur çdo vit Shqipërinë e nga rreth 300.000 aplikuesit për Lotarinë Amerikane në këto 6 vjet e gjysmë të qeverive Rama.

-Nga “ushtria” në rritje e të ikurve për në botën tjetër nga sëmundshmëria e lartë, nga ushqimet me nivele të larta skarciteti dhe lëndësh  të rrezikshme;

-Nga ilaçet pa efektshmërinë e duhur apo të skaduar, të importuar falas ose fare lirë, duke zbrazur magazinat e vendeve të tjera; nga vetëvrasjet me shkak depresionin prej papunësisë e varfërisë, nga krimi në formën e larjes së hesapeve mes bandave, të vrasjeve me pagesë…

Në vendet e para të “listës së gjatë” të veprave dhe kryeveprave të Ramës dhe “Rilindjes“së tij duhet të jenë:

  1. Rikthimi në pushtet i PS-së “të pushtuar” nga krimi, nga ish-burgaxhinj, biznesmenë të dyshimtë apo oligarkë me fuqi të madhe pasurore, por jo arsimore, kulturore dhe intelektuale;
  2. Kanabizimi i të gjithë vendit; kapja e shumicës së institucioneve të pavarura, të drejtësisë dhe prokurorisë si dhe “blerja” e disa ambasadorëve ndërkombëtarë; zgjedhjet e 30 qershorit 2019;
  3. Betimi për anëtare të Gjykatës Kushtetuese të Arta Vorpsit tek një notere;
  4. Fshehja e një borxhi në rreth 2.2 miliardë euro falur miqve të tij oligarkë nëpërmjet PPP-ve.

Për të bërë edhe më të qartë, se Edi Rama është më shumë njeri i fjalëve të bukura se i veprave  të përjetueshme, ndihmojnë fort edhe këto vlerësime të freskëta publike e të besueshme nga disa institucione vendore dhe ndërkombëtare.

-Sipas të dhënave të Fondit Monetar, në “Pasqyrën Ekonomike Globale” të tetorit 2018 dy shtetet shqipfolëse, Shqipëria dhe Kosova, renditen të fundit në Evropë për të ardhurat për frymë. Për vitin 2018, Shqipëria kishte të ardhura për frymë prej 5261 dollarësh dhe ishte në vend të 102 nga 191 shtete…

– Sipas një analize të Agjencisë së Depozitave, publikuar më 28.08. 2018, shumica dërrmuese e familjeve shqiptare, kanë të ardhura vetëm sa për konsum të përditshëm dhe nuk ia dalin dot të kursejnë para. Në total individët shqiptarë kanë 2.4 milionë llogari bankare. Por, pjesa dërrmuese e tyre janë llogari pagash e pensionesh ose depozita të vogla. Vetëm rreth 24 mijë qytetarë shqiptarë, ose më pak se 1% e popullsisë aktuale të vendit, ka fatin e mirë të ketë kursime bankare më të larta se sa 50 mijë euro.

-Shqipëria renditet e fundit në Evropë dhe rajon për shpenzimet publike për sektorin e shëndetësisë në raport me PBB-në. Sipas të dhënave të Eurostat shpenzimet mesatare të vendeve të BE-së për sektorin e shëndetësisë arritën në 9.9 për qind të PBB në vitin 2017, ndërsa tek ne  ishin 2.8 për qind. Ose në rreth 3.5 herë më pak se Evropa, në rreth 3 herë më pak se Bosnja dhe në rreth dy herë më pak se Rajoni.

-Sipas INSTAT-it, Shqipëria ka prej vitesh pagën mesatare mujore neto më të ulët në Evropë, me rreth 290 euro, ose 40 mijë lekë të reja, ndërsa çmimet e shumicës së artikujve të konsumit të përditshëm kanë njohur vetëm rritje, deri në 100-200% në krahasim me 2013-n dhe në rreth 40-50% në krahasim me Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Greqinë, Italinë dhe Gjermaninë.

-Sipas anketës së KE për cilësinë e jetës, publikuar në mediat shqiptare më 10 korrik 2019,  rezulton se 81% e shqiptarëve nuk bëjnë dot as një javë pushime në vit, shifër kjo shumë më e lartë edhe se sa fqinjët tanë.

-Banka Botërore, në raportin e saj të fundit, “Vrojtimi

i sipërmarrjeve”, publikuar më 7 nëntor 2019,  informon se niveli i  ryshfetit në Shqipëri është rreth 36.1 % ose tre herë më i lartë se mesatarja e Evropës Lindore dhe të Azisë, e cila arrin në rreth 11.9 %, ndërsa ajo globale është rreth 17.4%.

-Gazeta kryesore e Zvicrës “Neue Zurcher Zeitung” në një artikull investigativ për drogën në Shqipëri, më 2 qershor 2019, nënvizon se Shqipëria prodhon 900 ton kanabis në vit, me një vlerë prej 4,5 miliardë Euro.

Këto shifra dhe fakte na ndihmojnë për të kuptuar edhe se nga shumica e treguesve të nivelit të jetesës, të  taksave, çmimeve, korrupsionit, kanabizimit, kriminalitetit, PPP-ve, kullave, nga plotpushtetizimi financiar, politik, qeverisës, mediatik i miqve dhe ortakëve oligarkë të qeverisë…pala e 2013-s  nuk është 100% njësoj më atë të 2019-s. Por, edhe se Franca dhe Macroni nuk u treguan plotësisht tendenciozë për “JO”-në e tyre më 18 tetor 2019 lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, mbështetur me të drejtë tek “veprat e Edi Ramës”, domethënë  tek mos kryerja e mirë e të gjitha “detyrave të shtëpisë”. Fare freskët në kohë, tërmeti i 1 qershorit në Korçë dhe Ersekë dhe ai i 21 shtatorit në Durrës, Kavajë, Tiranë ia kanë nxjerrë bojën edhe më shumë fjalëve, premtimeve dhe “veprave” të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Të nesërmen ai premtoi se “të gjithë të dëmtuarit do të dëmshpërblehen, pasi të bëhen vlerësimet brenda rreth dy javëve”. Kanë kaluar 2 muaj dhe ky premtim ‘fjalaresk’ ka mbetur vetëm në mendjet e të dëmtuarve, në arkivat mediatike dhe qeveritare. Familjarët kanë shkuar disa herë nëpër bashki e njësi bashkiake për t’i kujtuar për hallin  e tyre dhe premtimin e kryeministrit. Nga ana e zyrtarëve të qeverisjes lokale, “100%  rilindëse”, në Tiranë, Durrës, Kavajë janë dërguar ekspertë për të parë gjendjen dhe për të bërë  fotografimet dhe vlerësimet në vend. Por, deri sot, duket se fjalët e kryeministrit, sipas një tradite 75 vjeçare, i mori era  dhe i ka hedhur përtej …Surrelit.

Kështu që nuk më mbetet tjetër, veçse të bashkohem me një kor masiv popullor dhe të ulërijmë: Ku t’i kërkojmë dhe gjejmë “veprat dhe kryeveprat” e tua, në të mirë të shumicës së popullit e të kombit, Edi Rama?