Xhaferraj çon në SPAK punimet në rrugën e plazhit: Po goditet turizmi në mes të sezonit

297
Sigal

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike në Durrës Ferdinand Xhaferraj ka denoncuar punimet në një zonë mjaft të populluar në Durrës në mes të sezonit turistik.

Në një deklaratë për mediat ai tha se ka dërguar në SPAK denoncimin për punimet në rrugën e plazhit.

Xhaferraj u shpreh se në kohë kur shumë qytetarë durrsakë që mbështeten në zhvillimin e turizmit goditen në mes të punës nga punimet e bashkisë, e cila sipas tij ngushton rrugën për kalimin e automjeteve për interesat e saj.

“Punimet që po bëhen në rrugë janë një evidencë më shumë që tregon që i vetmi mekanizëm që i lëviz gjërat në bashkinë e Durrësit është korrupsioni.

Kjo rrugë është një rrugë pa studim jo në konsultim me qytetarët, jo në mënyrën e duhur dhe jo në kohën e duhur.

Rruga e makinave zvogëlohet dhe ajo e qytetarëve ngushtohet. Kjo është një rrugë që ka shumë biznese dhe askush nuk e dinte. Është kthyer në stres për qytetarët dhe burim aksidentesh.

Durrësi është goditur nga tërmeti dhe pandemia. Janë me qindra familje durrsake që në sezonin turistik të rregullojnë ekonominë. Por bashkia ndërhynë në kohën e gabuar. Muaj më parë ne denoncuam punën te rruga Taulantia.

Dje unë firmosa dhe sot ka mbërritur në SPAK denoncimi për rrugën e plazhit. Nga viti 2005 e deri tani janë harxhuar 6 mln euro. Është një grup që punon për denoncimet. Ashtu si për dy rastet, do të denoncojmë edhe këtë”, tha Xhaferraj.