Xhafaj në Uashington: DEA të instalohet në Shqipëri

584
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, takoi në Uashington zëvendësdrejtorin e DEA (Agjencia amerikane për Luftën kundër Drogës), Antoni Uilliams dhe ekipin e tij të Drejtorisë Operacionale. Ministri Xhafaj bëri një ekspoze të arritjeve në luftën kundër kultivimit të kanabisit, duke u ndalur në masat dhe rezultatet e vitit 2017, të cilat bënë të mundur nxjerrjen e vendit nga harta e vendeve, që kultivojnë kanabis. Ai prezantoi disa nga masat kyçe të programuara për të garantuar këtë standard edhe gjatë vitit 2018. Xhafaj u ndal veçanërisht në punën e bërë nga strukturat e qeverisë dhe veçanërisht Policia e Shtetit, për të sensibilizuar fermerët dhe shoqërinë në tërësi, për pasojat negative që vijnë nga kultivimi i kanabisit. Në vijim, ministri Xhafaj falënderoi DEA-n për bashkëpunimin dhe kërkoi një intensifikim të këtij bashkëpunimi në të ardhmen, i cili duhet të fokusohet në shkëmbimin më të shpejtë të informacionit, ndërmjet Policisë shqiptare dhe Zyrës Rajonale të DEA-s, në Athinë. Ministri kërkoi të rritet kapaciteti i kësaj zyre, duke pasur një oficer të dedikuar për Shqipërinë, apo përmes intensifikimit të takimeve dhe operacioneve të përbashkëta, mes Policisë shqiptare dhe Zyrës Rajonale të DEA-s në Greqi. Më tej, drejtuesve të Agjencisë amerikane iu paraqit një përmbledhje e punës së bërë në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, identifikimit dhe analizës së grupeve kriminale në fushën e trafikut të drogës, hetimeve ndaj veprimtarisë dhe aseteve të tyre kriminale. Zëvendësdrejtori i DEA-s dhe Drejtori i Operacioneve, Uilliams u shpreh se “Plani i Veprimit dhe vetë operacioni “Forca e Ligjit”, është plani më i mirë i prezantuar ndonjëherë nga partnerët tanë të përbashkët, në luftën ndaj trafikut të drogës”. Ai vlerësoi maksimalisht angazhimin e qeverisë dhe të Ministrisë së Brendshme shqiptare në luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të drogës, duke shtuar se “jemi të gatshëm të rrisim më tej bashkëpunimin mes agjencisë sonë dhe agjencive ligj-zbatuese në Shqipëri”. Uilliams gjithashtu përgëzoi policinë shqiptare për rezultatet e këtij viti lidhur me sekuestrimin e kokainës dhe heroinës në territorin shqiptar, duke i konsideruar ato një sukses të merituar të organeve ligj-zbatuese shqiptare. Përfaqësues të DEA-s në nivel drejtues operacional, u shprehën të gatshëm për të gjetur mënyrat e duhura për një bashkëpunim më të efektshëm dhe të shpejtë në këtë nivel, sa u përket hetimeve të përbashkëta të trafikut të drogës dhe aseteve kriminale të përftuara nga ky aktivitet, mbështetjen me teknika të zhvilluara për ndjekjen dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale në këtë fushë. Gjithashtu u diskutua lidhur me mbështetjen që DEA mund të ofrojë për identifikimin e rrugëve të pastrimit të parave jashtë territorit të Shqipërisë dhe sigurimin e provave, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit për të zhvilluar hetime rreth transaksioneve financiare të këtyre grupeve kriminale, apo të personave zyrtarë të lidhur me ta. Në përfundim, u zhvillua një takim pune i ekipit të Policisë së Shtetit, drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe drejtuesve të Drejtorisë Operacionale dhe Zyrës Rajonale në Athinë, ku u diskutua rreth operacioneve të përbashkëta që janë në proces, ndërmjet dy agjencive, si dhe u prezantuan disa operacione të reja për të cilat u kërkua bashkëpunimi me DEA-n.
Sigal