Vuçiç: “Shqipëria e Madhe” jo ide e së ardhmes, Serbia kërkon marrëdhënie të mira

385
Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç, para ardhjes në Tiranë, ka folur në një intervistë për “Kurir”, lidhur me marrëdhëniet me Shqipërinë. Ai shprehet se dëshiron marrëdhënie të mira me Shqipërinë dhe se marrëdhënie të tilla kontribuojnë në stabilitetin e përgjithshëm në Ballkan. Vuçiç thotë se për Serbinë ka shumë rëndësi stabiliteti, ndaj shtoi se është e domosdoshme që marrëdhëniet mes dy vendeve të jenë të qëndrueshme. 
I pyetur nëse në Tiranë do përmendet pavarësia e Kosovës dhe Shqipërisë së Madhe ai thotë se, “Stabiliteti në Ballkan do të thotë gjithashtu se Serbia nuk e pëlqen idenë e Shqipërisë se Madhe. Europa nuk kërkon ndryshimin e kufijve dhe Serbia është e vendosur për këtë”. Në këtë linjë ai vlerësoi se vizita në Tiranë është shumë e rëndësishme për stabilitetin e përgjithshëm në Ballkan dhe se marrëdhëniet e mira midis Serbisë dhe Shqipërisë, garantojnë paqen në Ballkanin Perëndimor. 
“Serbia dëshiron marrëdhënie të mira dhe komunikim më të mirë me Shqipërinë, zhvillimin e projekteve të infrastrukturës, ndërtimin e rrugëve dhe të hekurudhave. Gjithashtu, ne duam të ngremë një hekurudhë moderne, duam bashkëpunim më të mirë ekonomik, sepse ne besojmë se njerëzit e biznesit, por edhe dhomave tona të tregtisë do të sjellin të mira për të dy vendet”, tha Vuçiç. 
Sigal