Votë masive nga të burgosurit dhe paraburgosurit, deri në orën 18:00 kanë votuar 68% prej tyre

184
Sigal

Një votë masive është edhe ajo nga të burgosurit dhe paraburgosurit. Në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimit Penal procesi ka vijuar normalisht dhe deri në orën 18:00 ka një pjesëmarrje prej 68%. Kanë votuar deri në orën 18:00, një numër prej 1.801 të dënuar dhe paraburgosur, nga 2651 votues të kësaj kategorie në listat zgjedhore. Ka përfunduar votimi në 8 burgje, ndërkohë që qendrat e votimit do të mbeten të hapura deri në orën 19:00 për të pritur zgjedhësit e kategorisë së të dënuarve dhe të paraburgosurve që dëshirojnë të votojnë.

Prej orës 07:00 kur edhe nisi procesi i votimit, deri në orën 16:00, përfundoi procesi në burgun e Fierit. Mësohet se janë 186 të dënuar dhe të paraburgosur që kanë votuar në mjediset e burgut për qeverinë e katër viteve të ardhshme, nga 256 të burgosur me të drejtë vote.

Mësohet se 70 të dënuar me të drejtë vote nuk kanë pasur mjet identifikimi, kartë identiteti apo pasaportë biometrike, ndaj dhe nuk kanë mundur të votojnë. Një pjesë tjetër janë përjashtuar nga procesi i votimit, për shkak të ligjit të Dekriminalizimit. Kutitë e votimit do të dërgohen në qendrën e numërimit në Patos.

Si në burgun e Fierit, edhe në burgun e Drenovës në Korçë, përfundoi që në orën 16:00 procesi i votimit për zgjedhjet e Përgjithshme Parlamentare. Në total nga 465 të dënuar me të drejtë vote, mësohet se kanë votuar 110 të dënuar, ndërkohë që 183 të tjerë nuk kanë mundur dot. Kjo pasi i ka kapur ligji i dekriminalizimit. 158 të tjerë nuk kanë votuar sepse s’kanë qenë të pajisur me karta identiteti dhe për shkak të pamundësisë ekonomike nuk kanë mundur të aplikojnë për mjetin e identifikimit.