Vota e 25 Prillit, ndëshkim për keqqeverisjen e Ramës

228
Sigal

Intervistë me Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministër i PS: Rezultatin do ta japin zgjedhësit shqiptarë pas tre ditësh duke ndëshkuar keqqeverisjen ose qeverisjen mediatike dhe propagandistike që po shoqërohet me skandale elektorale. Mendësia e partisë-shtet, xhandarmëria e bashkive, qarqet me djemtë problematik ku kandidon Rama, pse Meta është mbrojtës i demokracisë institucionale dhe tejkalimi i kompetencave kushtetuese e ligjore nga kryeministri

/Gazeta TELEGRAF

Propabiliteti më i madh i deformimit të votës do të jetë në dy qarqet, ku kandidon Rama dhe do mblidhen “djemtë problematik”

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministër i PS në intervistën për  gazetën “Telegraf” , duke iu referuar kërkesës së SPAK që të sekuestrojë materialet e portalit që publikoi skandalin e vjedhjes të të dhënave personale të Rilindjes dhe jo të hetojë databazën e PS-së, pohon se SPAK-u është një levë leniniste e partisë-shtet, prandaj nuk heton as ndëshkon asjë krim zgjedhor të Rilindjes së Ramës. Prof. Sherifi thotë se në këto zgjedhje parlamentare Rama nuk ka aleat shqiptarët, por “Aleatët e vetëm të Ramës në këtë proces elektoral kanë qenë kryeministri Zajev dhe Presidenti Vuçiç”. Prof. Sherifi shpreh bindjen se më 25 prill “Rezultatin do ta japin zgjedhësit, duke e ndëshkuar keqqeverisjen, ose qeverisjen mediatike e propagandistike, që po shoqërohet me skandale elektorale edhe javën e fundit.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

– Prof. Sherifi, ju si e shpjegoni që SPAK të kërkojë sekuestrimin e servereve të portalit Lapsi.al dhe akoma nuk po kërkon sekuestrimin e database të Rilindjes, e cila ka vjedhur të gjitha të dhënat personale të shqiptarëve?

– SPAK u prit nga shqiptarët për luftën ndaj krimit, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës nga qeveritarët, politikanë dhe administrata e lartë shtetërore, si vaksina pfizer, ndaj covidit. Por, deri tani është KAPS dhe po vërteton me rastin që citoni dhe skandalet e tjera për deformimin e votës dhe procesit zgjedhor, se ngjason si një krah i djathtë i pushtetit. Prandaj nuk shkon te burimi ku administrohen të dhënat, por cenon të drejtat ligjore të medias së lirë, për mosdeklarimin e burimit të informacionit.

“Rezultatin do ta japin zgjedhësit shqiptarë pas tre ditësh, duke e ndëshkuar keqqeverisjen, ose qeverisjen mediatike e propagandistike, që po shoqërohet me skandale elektorale edhe javën e fundit”

– Me të tilla sjellje ligjore të SPAK, duke marrë parasysh edhe mosdënimin e krimit ligjor të dosjeve 184 dhe 339, a mund të pretendohet akoma se drejtësia u reformua?

– Regjistrimi i porosive që  drejtori i kadastrës u jepte në emër të kryeministrit specialistëve të legalizimeve dhe pranimi i faktit prej tij, me pretendimin se ngjarja ka ndodhur në 2017, është një tjetër provë e përdorimit të administratës shtetërore për qëllime elektorale, ashtu si po veprohet me dashje edhe në këto zgjedhje, si e tillë përbën vepër penale, por, vazhdon edhe pandëshkueshmëria  e këtyre veprave penale të krimit elektoral nga SPAK.

– Sipas jush, pse tensionohet kaq ekstremisht situata parazgjedhore, sa edhe gjak u derdh në zyrën elektorale të opozitës në Kavajë? 

-Në Kavajë edhe në 1923 në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetutese u vra një zgjedhës i dytë i opozitës, nga familja Kazazi. Duket që Kavaja është porta e demokracisë dhe sinjali i ndryshimeve të pushtetit, e si rrjedhojë shoqërohet me tension politik, nga humbësit e pushtetit.

– Prof. Sherifi, ju besoni, se rastësisht, autorët e krimit në Kavajë, por edhe në ngjarjen e Saukut, ku u plagosën 3 persona të një partie opozitare, janë nëpunësit e bashkive, të drejtuara nga Rilindja Socialiste?

– Nuk ka asgjë të rastësishme në këtë proces elektoral. Krimet elektorale janë pasojë e tmerrit të partisë për humbjen e pushtetit. Mendësia e partisë shtet e konsideron pushtetin, e në këtë rast komitetet ekzekutive të bashkive, levë leniniste të saj për mbajtje me forcë të pushtetit, e ata që nuk i binden, ndëshkohen nga “xhandarmaria e Bashkisë” !

“Meta i ka fituar me Ramën të gjitha akuzat, duke vërtetuar se subjekti që i ka tejkaluar kompetencat kushtetutese e ligjore është kryeministri, duke u kthyer në një problem madhor për demokracinë institucionale dhe qeverisjen”

– Sa besueshmëri kanë sondazhet e mbrëmshme, ku PS e nxjerrin parti të parë 47%, pas një qeverisjeje 8 vjeçare, të mbizotëruar nga korrupsioni i pandëshkuar i zyrtarëve të lartë, varfëri ekstreme dhe shpërngulje masive për shqiptarët nga Shqipëria?

– Në këto zgjedhje ka inflacion të sondazheve e rezultatet e tyre nuk bindin asnjë krah politik. Rezultatin më të drejtë do ta japin zgjedhësit shqiptarë pas tre ditësh, duke e ndëshkuar keqqeverisjen, ose qeverisjen mediatike e propagandistike, që po shoqërohet me skandale elektorale edhe javën e fundit. Humbjen e deklaron vetë “Oratori i Rilindjes”!

– Sa besueshmëri mund të kenë fjalët e kryeministrit Rama, se pa qeverisjen e tij, shqiptarët nuk do kishin vaksina?

– Rama ka humbur sensin e kohës, duke vajtuar për të shkuarën “berishizmin”, nuk jep asnjë argument për të sotmen se çfarë ka plotësuar nga kërkesa për të mos patur asnjë në prehër e me timonin në duar dhe nuk mund të ngjallë shpresë për të ardhmen, jo vetëm se nuk ka aftësi për qeverisje demokratike, ku primare janë liritë themelore të qytetarëve, por, se ka punuar me program që të jetë arkitet i filozofise sureliste të së Drejtës për  të krijuar oligarkinë politikë, që dhuron pasurite publike për grupet e interesit, që ato ta “blejnë pushtetin” e njerëzve në nevojë, që ai të “mbretërojë”! Mendoj se goditjen më të fortë, me votë kundër do ta marrë nga banorët e dëshpëruar e dëmtuar nga tërmeti dhe mos menaxhimi i situatës së pandemisë. Shpenzimet për covidin u përballuan nga familjet e varfëra, të cilat i kanë shtuar borxhet dhe biznesi u rrënua, pasi qeveria vuri në mbështetje të tyre shumë më pak lekë, se edhe Kosova e Maqedonia e Veriut.

– Rastësi është sulmi i Presidentit Vuçiç kundër kryetarit të Opozitës shqiptare dhe ftesa e tij të votohet Edi Rama?

– Aleatët e vetëm të Ramës në këtë proces elektoral kanë qenë kryeministri Zajev dhe Presidenti Vuçiç. Asnjë shqiptar i vërtetë nuk është befasuar, kur Vuçiç recitoi vargjet dëshpëruese të Ramës, se pas Bashës qëndron Berisha e Meta.

– Ju si e gjykoni vendimin e Komitetit Teknik për të karantinuar pas 25 prillit, emigrantët shqiptarë, që do vijnë në Shqipëri?

– Komiteti teknik ka fol kur duhej të heshtëte e ka vepruar kur duhej të mendohej thellë, për pasojat e vendimeve që merr. Ai institucion ka bindur këdo se është levë e partisë, nenkupto “Lenini”, nga doli edhe kandidatja për deputet, pa ju nënshtruar asnjë procedure të “deputetit qëduam”.

“Mendësia e partisë shtet e konsideron pushtetin, e në këtë rast komitetet ekzekutive të bashkive, levë leniniste të saj për mbajtje me forcë të pushtetit, e ata që nuk i binden, ndëshkohen nga “xhandarmaria e Bashkisë” !”

– Prof. Sherifi. Kryeministri Rama sulmon më shumë Ilir Metën për aktivitetin e tij, duke e cilësuar si politizimin e Detyrës së Presidentit të Republikës. Cili është gjykimi juaj: A ka tejkaluat kompetencat Kushtetuese Ilir Meta si President i Republikës? 

– Nëse dëshironi të kuptoni se zgjedhjet Rama i ka të humbura, vëzhgoni me kujdes se ku i drejton shigjetat. Metën e “godet”  me Topin e Mato Grudës, që të “djeg Kullën e LSI-së”. Sepse ai e di shumë mirë, që bashkimi i shumë forcave në atë parti, do të jete shkaku qëe Rama do të dalë në opozitë. Si mund të artikulohet nga Rama, se Meta ka braktisur Presidencën, kur ai i shkatërroi të gjitha institucionet e shtetit, i udhehequr nga filozofia sureliste “më mirë djepi thatë, se shejtani brenda”, ngriti Komisionin Hetimor për ta shkarkuar Presidentin, deklaron çdo mëngjes, se “Presidenti ka mbaruar”, e në mbrëmje si” myslyman” i lutet, që të largohet nga Vlora, e të rikthehet në “bunker”. Meta i ka fituar me Ramën të gjitha akuzat e ngritura, duke vërtetuar se subjekti që i ka tejkaluar kompetencat kushtetutese e ligjore është kryeministri, duke u kthyer në një problem madhor për demokracinë institucionale dhe qeverisjen e shqiptarëve.

– Ku mendoni, se ditën e votimit, mund të cenohet vota?

– Procesi për zgjedhje demokratike sipas standardeve të Kopenhagenit po cenohen çdo ditë, me skandalet elektorale që po denocohen në vijimësi. Propabiliteti më i madh i deformimit të votës do të jetë në dy qarqet, ku kandidon Rama dhe do mblidhen “djemtë problematik”.

– Si e gjykoni ikjen e kryeministrit Rama nga intervista me gazetarin Babaramo?

– Nëse dëshironi të shikoni skena të ngjashme me atë që ofroi Babaramo, gjeni gazetar që të marrin premtimet e Ramës në fushata elektorale e në programet e qeverisjes, që sintetizohen te ligji i Buxhetit të Shtetit dhe t’i kërkojnë Ramës t’u thotë shqiptarëve si i ka plotësuar. Nëse kjo mund të ndodh, nuk do e shikoni Ramën në asnjë studio, por do të komunikojë me shqiptarët vetëm nëpërmjet TV Partiak RRTV, çbëre? Asgjë!

– Faleminderit!