Vlorë, prezantohet platforma e PD-së për shëndetësinë

453
Departamenti i Shëndetësisë në Partinë Demokratike bëri publike dhe debatoi platformën me mjekë dhe specialistë në qytetin e Vlorës. “Shëndet dhe dinjitet”, ishte moto e prezantimit të Platformës së Shëndetësisë në tryezën në të cilën ishin të pranishëm profesionistë të fushës së shëndetësisë, shoqëri civile dhe drejtues të PD-së në Vlorë. Në fjalën e tij kreu i Departamentit, Tritan Shehu, tha se sot vendi përballet me një sistem shëndetësor në të cilën nuk respektohen të drejtat e qytetarit për shërbim bashkëkohor dhe nuk mbrohet dinjiteti i personelit shëndetësor. “Kemi një sistem shëndetësor ku dhe depozitat shëndetësore të qytetarëve në Fondin e Sigurimeve “sekuestrohen” nga shteti për të mbushur deficitet e tij, në vend që këto 25 milion dollarë të investohen për përmirësimin e shërbimit”, tha Shehu. Më tej ai shtoi se në shërbimin tonë nuk programohet e financohet për specializimet, kualifikimet e personelit, për ngritjen e tij shkencore e cila është bazë e dinjitetit profesional, për hapjen e shërbimeve të reja etj. Karakteristikë e sistemit tonë është “varfëria falas” e tij, centralizmi shtetëror, keqmenaxhimi, mungesa e vizionit zhvillues, theksoi Shehu. Ai shtoi se duke e vendosur në qendër të sistemit pacientin e qytetarin, duke konsideruar thelbësor rolin e vlerat e personelit, ne mund t’i japim shoqërisë e kolegëve tanë atë që është thelbësore: Shëndet e dinjitet për të gjithë.
Sigal