Vizita zyrtare në Itali, Presidenti Nishani pritet nga Presidenti italian Sergio Mattarella

395
Sigal

 

Gazeta Telegraf/


Në kuadrin e
vizitës zyrtare në Republikën Italiane u prit sot në Pallatin Quirinale nga
Presidenti italian, Sh.T.Z. Sergio Mattarella, 
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani.


Pas përshëndetjeve dhe
ceremonive të rastit, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më
pas kryesuan takimin e zgjeruar mes dy delegacioneve.

Presidenti Nishani shprehu që në fillim kënaqësinë për zhvillimin
e kësaj vizite zyrtare në Romë, duke e konsideruar një shprehje të qartë të
marrëdhënieve të shkëlqyera e të partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Presidenti Nishani, duke iu referuar marrëdhënieve dypalëshe në përgjithësi dhe
spektrit shumë të gjerë të bashkëpunimit u shpreh se “marrëdhëniet e
bashkëpunimit dhe të partneritetit mes dy vendeve, të cilat bazohen në
marrëdhënie shumë dimensionale historike, kulturore dhe ekonomike, vitet e
fundit janë intensifikuar dhe ngritur në një nivel edhe më të lartë dhe kanë
hyrë në një fazë të re dhe shumë dinamike, si në aspektin e bashkëpunimit
politik e institucional ashtu edhe në atë kulturor dhe ekonomik.”


Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë të
Shqipërisë dhe shqiptarëve për gjithshka Italia ka bërë për t’i ndihmuar në
kapërcimin e ditëve të vështira të pas rënies së regjimit komunist dhe vendosjes
së demokracisë, dhe veçanërisht në hapat e para të konsolidimit të shtetit të
së drejtës, ku një rol të rëndësishëm ka luajtur agjencia Kooperacionit Italian
për Zhvillim. “Asistenca e gjithanshme dhe e parkursyer e Italisë për
Shqipërinë dhe shqiptarët jo vetëm që ka ndihmuar në konsolidimin e shtetit të
së drejtës dhe të institucioneve demokratike në Shqipëri, por ka forcuar edhe
më shumë miqësinë mes dy popujve tanë.” – u shpreh Kreu i Shtetit. Presidenti
Nishani vlerësoi dhe rolin e madh që luan në këtë miqësi komuniteti i vjetër
arbëresh dhe ai shqiptar i pas viteve 90.


Duke iu referuar bashkëpunimit ekonomik, Presidenti Nishani
vlerësoi nivelin e arritur deri tani dhe theksoi se për Shqipërinë, Italia
është partneri i parë në shkëmbimet dypalëshe, por theksoi gjithashtu se
mundësitë e bashkëpunimit ekonomik e tregtar mes dy vendeve janë edhe më të
mëdha. “Është e rëndësishme që institucionet e të dy vendeve tona t’i kushtojnë
një vëmendje më të madhe bashkëpunimit ekonomik, pasi mundësitë e bashkëpunimit
në këtë aspekt janë ende të pashfrytëzuara siç duhet.” – theksoi Presidenti
Nishani. Gjithashtu, Presidenti Nishani bëri thirrje për një prezencë më të
madhe të investitorëve italianë, veçanërisht në sektorët strategjikë ekonomikë.

Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen edhe për mbështetjen e
dhënë nga Italia në fushën e drejtësisë dhe të punëve të brendshme, duke
ndihmuar në konsolidimin e institucioneve të specializuara shqiptare në luftën
kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale të çdo lloji.

 

Presidenti Nishani theksoi se përballja me krimin e organizuar e
veçanërisht me kultivimin dhe trafikimin e kanabisit është një sfidë shumë e
rëndësishme pasi ato janë shndërruar në një kërcënim në rritje si për qytetarët
shqiptarë, por po aq edhe për qytetarët italianë të cilët mund të vuajnë të
njëjtat pasoja.

 

Në këtë kontekst, Presidenti Nishani theksoi rëndësinë e
bashkëpunimit midis të gjitha llojeve të agjencive ligjzbatuese të të dyja
vendeve.

Lidhur me reformën në drejtësi, Presidenti Nishani vlerësoi
ekspertizën italiane si dhe theksoi se pas kalimit të ndryshimeve kushtetuese
me konsensus të plotë vjen hapi tjetër dhe më i rëndësishëm, ai implementimit
dhe monitorimit të këtij implementimi për të cilën ndihma italiane do të ishte
shumë e domethënëse, veçanërisht në moskapjen politike të mekanizmave të
drejtësisë.

Presidenti Nishani shprehu gjithashtu mirënjohjen edhe për
mbështetjen e vyer që Italia i ka dhënë Shqipërisë në kuadër të integrimit në
strukturat euroatlantike dhe evropiane. Në mënyrë të veçantë, Presidenti
Nishani vlerësoi mbështetjen dhe asistencën teknike në kuadër të procesit të
integrimit evropian dhe shprehu besimin se Italia do t’i japë një domethënie
substanciale procesit të Berlinit, të inicuar tre vite më parë për zhvillimin e
qendrueshëm të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe që në vitin e ardhshëm do të
organizohet nga Italia. “Mbështetja e Italisë për progresin e Shqipërisë drejt
aderimit në Bashkimin Evrpopian është e pazëvendësueshme dhe jemi besimplotë se
edhe në kuadrin e vendimit të hapjes së negociatave të aderimit në Union kjo
mbështetje do të jetë shumë domethënëse.” – u shpreh Presidenti Nishani.

Të dy bashkëbiseduesit i kushtuan një vemendje të veçantë
bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, zhvillimeve rajonale, si dhe sfidave dhe
kërcënimeve nga flukset e paprecedenta migratore dhe terrorizmi e ekstremizmi i
dhunshëm. Presidenti Nishani e informoi homologun e tij mbi rolin që Shqipëria
vijon të luajë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në të gjitha këto aspekte, duke
pasur dhe përgjegjësinë e të qenit i vetmi vend anëtar i NATO-s, nga gjatë
vendet e mbetura ende jashtë Bashkimit Evropian.

Presidenti italian Mattarella e siguroi Presidentin Nishani për
vijimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë të Italisë për Shqipërinë në të gjitha
aspektet, veçanërisht në kuadrin e integrimit evropian dhe hapjes së shpejtë të
negociatave të aderimit në BE.

Në kuadrin e vizitës zyrtare në Romë, Presidenti Nishani, zhvilloi
takime edhe me Presidentin e Senatit italian, Pietro Grasso, si dhe Kryetarin e
Komisionit të Jashtëm të Senatit, Pier Ferdinando Casini, me të cilët bisedoi
për forcimin e mëtejshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, duke
përfshirë dhe dimensionin parlamentar.