“Virusi” që mori Ramën!

181
Sigal

Nga Gentian Çala

Duket se kohës së Ramës në krye të punëve të vendit i ka filluar numërimin mbrapsht. Ai jo vetëm e përqëndroi pushtetin në duart e tij, duke bërë hapa pas në shumë aspekte të jetës së vendit, por ai mori edhe rolin kryesor në menaxhimin e situatês së pas tërmetit dhe të menaxhimit të situatës nga pandemia e COVID-19. Duket se pandemia zbuloi zullumet dhe paaftësinë e një qeverisje jotransparente, të papërgatitur dhe abuzive me qytetarët. Duket se përpjekja për një garë për mandatin e tretë do të rezultojë thjesht një shkërrmoqje e strukturës dhe modelit që ai ndërtoi brenda një force politike dikur të majtë.

Do të jetë hera e parë në historinë tonë të tre dekadave të fundit, ku një forcë politike që ka rreth 90% të pushtetit në të gjitha nivelet, do të pësojë një humbje politike shkërrmoqëse, madje pasojat do t’i ndjejë për një kohë të gjatë. Po kush ishte “virusi” që mori Ramën? Mendoj se ka tre cilësi që ai nuk mundi ti kuronte dot te vetja dhe te ushtrimi i pushtetit: tendencën për të kontrolluar gjithçka, trajtimin e çdo gjëje si mall që shitet e blihet dhe mungesa e theksuar e një raporti emocional me vendin dhe njerëzit. Ndaj virusi që po merr Ramën është vetë Rama dhe mungesa e zërave kritikë apo e çdo forme kontrolli mbi pushtetin e tij. Ata që e rrethonin, në masën dërrmuese, bën një pakt të pandershëm me veten: në emër të privilegjeve personale, hoqën dorë nga integriteti i tyre. Kjo i bën ata bashkëfajtorë me Ramën.

Do të përpiqet dhe mundohet të bëjë çdo gjë për pushtetin e tij deri në fund, duke bërë gabim pas gabimi, duke thelluar humbjen e të tijëve. Rama lundron në anijen që shkatërroi dhe po e çon vetë drejt mbytjes. As propaganda dhe as aleancat lart e poshtë që mundohet të krijojë nuk do ta shpëtojnë. Madje as ndonjë përfshirje në ndonjë interes të caktuar gjeo-politik apo vasaliteti ndaj çdo “shërbimi” të tillë nuk mund ta shpëtojë Ramën nga humbja. As intrigat që thur, as blerja e mediave, as makinacionet nuk do ta shpëtojnë. Ato janë thjesht iluzioni në të cilën po jeton ai dhe një pjesē që e besojnë.
Ai do ta ketë një shfajësim: e kishte fajin virusi dhe kriza ekonomike!
Shumë vonë për gjithçka, edhe për shfajësime!