Maliq Sadushi, bir i Labërisë dhe luftëtar i vendosur për liri dhe çlirim kombëtar

1270
Prof. Dr. Ago Nezha
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Patriotizmi i ngjizur në një truall të shëndetshëm
Në fshatin Vajzë të Vlorës, një nga fshatrat e traditave dhe të vlerave të spikatura historike, ndër bijtë e saj të shquar zë vend dhe Maliq Sadushi, krahas figurave të tilla si Ali Asllani, Sulejman Rexhepi, Perlat Rexhepi, etj. Patriotizmi i tij është ngjizur në një truall të shëndetshëm me njerëz të penës dhe të pushkës, që i kanë kaluar kufijtë jo vetëm të fshatit e krahinës së Labërisë, por dhe më gjerë mbarë kombëtar. Lufta Nacionalçlirimtare e gjen Maliqin fare të ri, në fshatin e tij të lindjes. Ai u lidh fort pas luftës dhe ju krijuan mundësitë për tu rreshtuar me ilegalët e parë partizanë e për të kryer shërbime në interes të saj, si p.sh. shpërndarje traktesh, shoqërim ilegalësh nga njëra bazë e luftës në tjetrën, hyrja disa herë ilegalisht në qytetin e Vlorës me detyra të rëndësishme ndërlidhjeje, etj. Ishte vetëm 13 vjeç kur u krijua organizata e rinisë antifashiste duke qenë ndër të parët që u përfshi në radhët e saj. Ndërsa nga pranvera e vitit 1942, megjithëse fare i ri, pranohet në radhët e rinisë komuniste të krahinës, si dhe u rreshtua në fillim në çetat territoriale të fshatit. Ai ishte i pranishëm në aksionet dhe luftimet kundër forcave italiane në malin e Bardhë, te ura e Gjormit, si dhe në luftën tashmë të njohur si Epopeja e Gjormit 1942-1943 etj. Ndërsa në muajin Korrik të vitit 1943, Maliq Sadushi rreshtohet si luftëtar në batalionin partizan “Ismail Qemali” të Vlorës dhe prej 28 Nëntorit 1943, me formimin e Brigadës së Pestë, rreshtohet si partizan i thjeshtë dhe më pas komandant skuadre.
Lufta e burrëroi dhe trimëroi
Luftën Maliqi, e nisi i ri dhe në radhët e saj së bashku me moshatarët e tij u burrëruan, u formuan dhe u trimëruan. Erdhi Shtatori i vitit 1944, kur emërohet zëvendëskomisar kompanie. Lufta tashmë kishte marrë përmasa të mëdha në mbarë vendin, madje një pjesë e njësive luftarake në përbërje të dy divizioneve sulmuese kishin kaluar kufijtë administrativë të Shqipërisë, për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve kosovarë në luftën kundër forcave gjermano-çetnike. Maliqi në këtë kohë ishte luftëtar i rreshtuar në Brigadën XXV Sulmuese të Divizionit të 5-të Sulmues, të Ushtrisë Partizane Shqiptare. Është për t’u evidentuar dhe theksuar, se Maliqi në të gjitha luftimet ku mori pjesë u tregua i vendosur, luftarak dhe trim. Aktiviteti i tij luftarak është tepër i gjerë. Për t’u përmendur dhe veçuar janë: luftimet e ashpra të Gjormit në Dhjetor 1942 dhe në Janar të vitit 1943, lufta e Drashovicës më 14 Shtator – 5 Tetor 1943, Operacioni gjerman i Qershorit 1944 në Skrapar dhe Gramsh, luftimet në rrethinat e Tiranës, në Mullet, Tujan, Zall-Herr nga fundi i muajit Qershor-fillimi i muajit Korrik 1944, luftimet e Kukësit në Shtator 1944, lufta e Gjakovës si dhe luftimet e Sanxhakut në Jugosllavi në fundin e vitit 1944-1945, etj. Tashmë me veprimtarinë e tij gjithëpërfshirëse bëri që atë ta njohë jo vetëm Labëria, por gjithë Shqipëria. Kur citon aktivitetin luftarak të Maliqit dhe shokëve të tij në luftë në lulen e rinisë, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë por dhe jashtë saj deri në Jugosllavi, menjëherë pyet veten se çfarë idealizmi, ndërgjegje, atdhetarizmi kanë pasur këta të rinj, që vdekjen e kishin më të sigurtë se jetën. 

Ushtarak me performancë intelektuale
Me mbarimin e LANÇ-it, Maliqi vazhdoi të shërbejë në ushtri si oficer, me detyra të ndryshme si, komandant batalioni në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe më pas në Gjirokastër në Brigadën e 5-të Këmbësorisë, mandej shef shtabi brigade në Vlorë, komandant brigade në Laç, shef shtabi Divizioni në Shkodër e më pas shef shtabi korpusi përsëri në Shkodër. Kudo ku shërbeu në detyra të ndryshme ushtarake, me performancën e tij intelektuale, ai nderoi Labërinë dhe gjithë vendin dhe krenaria ju shtua kur mori diplomat shkëlqyeshëm në akademitë ushtarake më prestigjioze të kohës, duke marrë nder dhe respekt me vete në detyrat e shumta e me rëndësi të madha gjatë ringritjes së Ushtrisë Popullore. Në vazhdimësi, në vitin 1958-1961, Nënkolonel Maliq Sadushi, grada më e lartë që mori deri në vitin 1966, dërgohet për studime të larta ushtarake në Akademinë Ushtarake “Frunze” të Moskës, të cilën e përfundoi me sukses. Në Moskë, Maliqi u thellua në studimet e larta ushtarake dhe krijoi horizonte të reja për detyrat që do ta prisnin në të ardhmen në ushtri apo si pedagog në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Kështu ai mundi të zgjerojë dukshëm njohuritë e tija teorike e profesionale. Përveç studimeve ushtarake në Moskë, Maliq Sadushi ka kryer dhe studime në Kursin e Lartë Operativ në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë në vitin 1968-1969, çka shënon rritje të më tejshme të dijeve ushtarake. Kështu ai u formua si oficer i lartë, me gjykim të thellë dhe me mendime të pjekura për artin ushtarak dhe teorinë ushtarake në përgjithësi. Por Maliq Sadushi, u godit në vitin 1973 dhe u shkarkua nga detyra e shefit të shtabit të korpusit me akuza të padrejta. Ndaj dhe dënimi i tij u cilësua i gabuar dhe me vendim të posaçëm u emërua Zëvendësministër i Mbrojtjes. Këtë detyrë Maliq Sadushi e kreu deri në muajin Tetor të vitit 1982, kur filloi “Fshesa e dytë e hekurt” kundër kuadrove të larta të ushtrisë që kishin mbetur. 

Gjithmonë pranë Labërisë
Për veprimtarinë tij të pasur e të dobishme, ai ka qenë i zgjedhur për dy legjislatura rresht deputet i Vlorës dhe njëherazi anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Si bir i denjë i Labërisë, i njihte mirë zakonet, traditat, sjelljet atdhetare dhe luftarake të saj, dhe bëri ç’mos që këto në vitet e monizmit, të ridimensionoheshin dhe figura të shquara historike të zinin vendin që meritonin. Ai u gjend në çdo kohë pranë banorëve dhe fshatrave të Labërisë dhe kontribuoi për zhvillimin e tyre, përparimin e ekonomisë së kooperativave dhe ngritjen e mirëqenies së ekonomisë fshatare. 
Sigal