Vila Nr. 30 në ish-Bllok, si hotel: Kalojnë natën biznesmenë e VIP-a

411
Sigal

Vila qeveritare Nr. 30, ose siç njihet ndryshe vila ku jetonte ish-kryeministri Mehmet Shehu dhe më pas edhe ish-Presidenti Ramiz Alia, është një nga rezidencat më të rëndësishme qeveritare edhe në kohët e sotme. E ndërtuar gati 90 vite më parë, ajo i është nënshtruar disa zgjerimeve dhe rikonstruksioneve duke u bërë një nga godinat më të mira në Tiranën komuniste. Fillimisht e zgjeroi dhe rikonstruktoi Mehmet Shehu, duke e bërë një godinë që rivalizonte edhe vilën 31, ku jetonte diktatori, Enver Hoxha. Për shumë vite pas rrëzimit të sistemit komunist, ajo do vijonte të shërbente si një vilë qeveritare për drejtuesit e shtetit, por koha e gjatë bëri që ajo të degradojë. Me ardhjen e socialistëve në pushtet pas vitit 2013, vila u hap fillimisht për qytetarët, duke u hequr gardhi rrethues i lulishtes përballë dhe më vonë iu nënshtrua një rikonstruksioni të plotë duke u përshtatur me të gjitha komoditetet e nevojshme. Qeveria e drejtuar nga Rama harxhoi miliona lekë nga paratë e shqiptarëve për ta shndërruar këtë godinë në një vilë dinjitoze për të pritur edhe zyrtarë e delegacione të huaja.  Por që prej atëherë, vila qeveritare është shndërruar në thuajse një hotel privat të Edi Ramës, i cili e përdor atë për qëllime të ndryshme, duke nisur nga takimet partiake, familjare, e tashmë së fundi edhe për të strehuar e rehatuar edhe miq e njerëz të njohur të tij. Zoom.al ka mësuar se tani në vilën 30 flenë biznemenë e ish-futbollistë të pasur, ndonëse aktiviteti apo qendrimet e tyre nuk kanë të bëjnë aspak me çështje protokollare apo detyrime qeveritare. Nisur pikërisht nga këto informacione, mediat iu drejtua me një kërkesë zyrtare Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në varësi të së cilës është edhe Vila 30. Ne i kërkuam të na vërë në dispozicion listën e personave që kanë fjetur aty. Me çfarë statusi janë ftuar të kalojnë aty natën si në hotel? A kanë paguar? Cilat kategori lejon protokolli? Çfarë procedurash janë ndjekur? Kërkesa jonë nuk mori përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Qeveritare, duke shtuar edhe më shumë misterin dhe dyshimet se vila 30 është kthyer vërtetë në një hotel që Edi Rama e përdor për të strehuar dhe kënaqur me të gjitha shërbimet miqtë e tij. Jo vetëm kaq, por për të plotësuar egot e tij dhe për të provokuar ndoshta edhe kundërshtarët politikë, kreu i qeverisë së fundmi ka vendosur që aty të strehojë edhe statujat e Leninit dhe Stalinit, i pari i njohur si një nga ideologët e komunizmit dhe i dyti si një nga diktatorët më të egër sovjetik./Zoom.al