VIDEO/ Qytetari-Blendi Klosit: 8 vite nuk keni bërë asgjë, nuk jeni më për këtë punë

324
Sigal

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, gjatë një takimi që zhvilloi në Urën Vajgurore në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, u përball me irritimin e banorëve vendës.

Kandidati i PS-së në Qarkun e Beratit u kërkoi mbështetje për mandatin e tretë, teksa një qytetar i tha se qeverisja socialiste nuk ka bërë asgjë dhe duhet të hapë krahun.

“8 vite nuk keni bërë asgjë, lërja tjetrit, ju jeni të lodhur totalisht. Nuk jeni më për këtë punë, ka rini plot këtu”, i tha qytetari, duke e zënë ngushtë kandidatin e Partisë Socialiste.

Ish-sekretari i PD-së në Berat, Namir Lapardhaja, ka postuar në Facebook një video nga debati në takimin elektoral në Urën Vajgurore, bashki që tashmë do të mbajë emrin Dimal.

Namir Lapardhaja shkruan se pavarësisht se propaganda paraqet njerëz të lumtur dhe të kënaqur, e vërteta duket qartë në këtë video.

“Qytetarët: “po shembemi me taksa…!” Ka një irritim të përgjithshëm të banorëve në takimet publike me kandidatët e PS-së në qarkun e Beratit. Pavarësisht se propaganda paraqet njerëz të lumtur dhe të kënaqur, e vërteta duket qartë në këtë video.

Njerëzit nuk mashtrohen as me ndryshime emri të qytezës së tyre, as me mashtrime për taksa e as me projekte të nisura në prag fushate. Realiteti që ata prekin përditë është varfëria dhe mjerimi.

Pakënaqësia nuk lidhet me emra të përveçëm, por me një model dështimi dhe arrogance. Ndaj më 25 prill duhet ndryshim” shkruan Lapardhaja në rrjetin social.