“Nëse do të kisha qenë në pozicionin e Kryetarit dhe do të kisha pasur atë presion nga zonja ambasadore, do të kisha dhënë dorëheqjen, sepse nuk mundemi që shqiptari ta shesë shqiptarin, çfarëdolloj qoftë ai çmim.” Këtë gjykim bëri sot, z. Eriton Bleta, organizator i “Foltores” së z. Sali Berisha me shqiptarët në Florida, një veteran i ushtrisë dhe drejtues i Partisë Republikane në Floridën e Veriut, SHBA.
Tony Bleta siç e thërrasin në Amerikë, në një intervistë sot në “Kafe Shqeto” me gazetarët Dori Daka dhe Flavio Qarri, tregoi se si po punon për ta përfshirë diasporën shqiptare në SHBA në zhvillimet politike që po ndodhin së fundmi në Shqipëri, nën frymën e lëvizjes së nisur nga z. Sali Berisha.
Kafe Shqeto: Z. Bleta, kanë qenë 24 orë të lodhshme po dhe të frytshme për ju e për të gjithë ata që organizuan takimin e djeshëm virtual me z. Berisha. Pse i jeni bashkuar “Foltores” së z. Berisha në këto momente dhe a do të keni një strategji të përbashkët me z. Berisha dhe faktorë të tjerë për të sjellë ndryshime jo vetëm në PD, por edhe në arenën politike shqiptare?
Eriton Bleta: Arsyeja që e mbështeta “Foltoren” e z. Berisha ishte se kemi një armik të përbashkët, që edhe në SHBA po e luftojmë, po është edhe në Shqipëri, Xhorxh Sorros dhe është komplet ideologjia që po shkakton shkatërrimin e vendit si në Amerikë si dhe në Shqipëri. Deri më dje e kam ndjekur shumë politikën shqiptare, i kam ndjekur Foltoret e z. Berisha, kanë qenë shumë interesante dhe ajo që më bëri përshtypje, sigurisht e ka thënë edhe ai, futja e programit të Partisë Republikane, në Partinë Demokratike, duke e kthyer atë në një parti të vërtetë konservatore me ide të djathta që nga ideja e “primareve” me të cilat votojnë vetë anëtarët e partisë për kandidatët, kushdo ata qofshin, edhe për idenë që nëse fiton zgjedhjet PD-ja, Kryetari i partisë nuk do të jetë më kryeministri por do të ketë kandidatura që do të votohen për kryeministër, të cilat i zbatojmë edhe këtu në Amerikë. Për shembull, kushdo që garon për President në SHBA nuk është kryetari i Partisë Republikane apo kryetari i Partisë Demokratike. Po ashtu, për zgjedhjen e Këshillit Bashkiak, për zgjedhjen e Drejtorit të Policisë. Dhe është diçka shumë interesante aty që njerëzit aty nuk e dinë; ne i themi Sherif, në shqip është Drejtori i Policisë, zgjidhet vet nga njerëzit. Garojnë kandidatët, shkojnë në popull, flasin me njerëzit dhe zgjidhen. Edhe për prokurorin, edhe për gjykatësin, edhe për gjykatësit e lartë e po ashtu për zgjedhjen e vlerësuesit të taksës së pronës.
Kafe Shqeto: Z. Bleta, në këto fushata shumë nga kandidatët kanë qenë të financuar nga SOROS, kanë marrë poste publike…
Eriton Bleta: Më se e vërtetë, por dua të saktësoj diçka. Flasim gjithmonë për anëtarët e Partisë Demokratike e duhet të kemi parasysh që në Amerikë, partitë funksionojnë me fonde publike, pra me donacione, fonde dhe dhurime bashkë dhe këto bëhen vetëm nga persona që banojnë në SHBA. Nëse një person apo një kandidat kapet duke marrë para nga një donacion i huaj, ai përjashtohet direkt nga gara. Quhet “Hard Money and Soft Money”, ligj federal në SHBA. Dhe çfarë ka ndodhur?! Xhorxh Sorros duke e shfrytëzuar këtë, pasi ka një parim që duket i bukur, thotë që mbështes minoritetet se kanë gjithmonë të drejtë, pasi në SHBA ligji federal thotë se “shumica qeveris, por me të drejtat e pakicës” e je i detyruar të zbatosh të drejtat e pakicës – ai e ka kapur këtë koncept dhe e përdor në avantazhin e vet duke financuar kandidatë dhe kjo bëhet jo vetëm me financim fondesh për kandidatë të Partisë Demokratike, për prokurorë të cilët nuk zgjidhen, për liberalët e majtë që janë këtu në SHBA, por bëhet edhe me grante për studentët. Në SHBA, njësoj siç televizionet janë të krahut të djathtë dhe të majtë, kështu janë edhe universitetet. Në shtetet e veriut ku dominojnë liberalët dhe ideologjia e tyre e majtë, të gjitha universitetet dhe studentët që shkojnë atje janë të financuara me shumicën e parave të Xhorxh Sorrosit.
Kafe Shqeto: A keni një strategji të përbashkët, a jeni duke u koordinuar me z. Berisha dhe njerëzit e tij për ta vazhduar përpjekjen për ndryshimin e politikës në Shqipëri?
Bleta: Unë personalishtqë prej dy muajsh kam kontaktuar edhe kongresmenin e zonës sime, Xhon Radhërford, stafin e tij, me letra, me telefonata, kam një takim me të pas festave; kam qenë gjatë gjithë kohës duke i shkruar dy senatorëve që kjo çështje të shikohet dhe strategjia ime është që ne si republikanë vet, duke parë që aleatët pavarësisht kudo që janë, në Shqipëri dhe vende të tjera po i shkëpusin nga aleatët e SHBA, jemi të detyruar ta ndjekim këtë, ta çojmë këtë çështje edhe në Kongres, edhe në Senat, pasi është një kërcënim për ne.
Një vijë tjetër që unë po ndjek është të ndihmoj z. Berisha me krijimin e një … Me sa di, mund të krijohet një degë e PD-së në diasporën shqiptare dhe këtë do të bëj të mundur me personat që ju patë, me pjesëmarrësit e takimit tonë, që në të ardhmen kur të bëhen zgjedhjet në Shqipëri, të kenë mundësi edhe emigrantët të votojnë. Një arsye tjetër pse e bëj këtë është se dua t’i qartësoj njerëzit që diaspora shqiptare, sidomos në Amerikë, ka një potencial shumë – shumë të fuqishëm e të jashtëzakonshëm dhe mund ta ndihmojë Shqipërinë jashtë mase. Kjo është strategjia që unë do të përdor.
Kafe Shqeto: Si ishte reagimi i qytetarëve shqiptarëve me banim në Amerikë pas Foltores?
Eriton Bleta: Duhet të flas gjithmonë për qytetin ku banoj… Janë të gjithë në mbështetje të nismës së z. Berisha, janë në mbështetje të z. Berisha, e shikojnë si një mundësi me të vërtetë të artë që po bëhet kjo, po rigrupohet PD-ja, se e kanë ndjerë veten shumë të harruar dhe vërtet dje në atë takim nuk ishin aq shumë sa ç’ishin në Nju Xhersi pjesëmarrës, por në të ardhmen kuptohet, duhet dhe punë bindëse, duhen edhe më shumë takime me njerëzit, që të ndërgjegjësohen dhe të japin sa më shumë si për vendin tonë ashtu edhe kundër luftës që po bën Xhorxh Sorros aty.
Kafe Shqeto: Ju a keni ndërmend të koordinoheni edhe me republikanë të tjerë aty në SHBA, përmendet Nju Xhersin, po ka dhe shtete të tjera me shqiptarë që duan ndryshimin që ndoshta janë të gatshëm të bashkëpunojnë?
Eriton Bleta: Patjetër, unë kam qenë në kontakt me zotërinë që organizoi Foltoren në Nju Xhersi dhe kemi bashkëbiseduar për disa projekte, brenda Partisë Republikane doja të thosha. Ne këtu në SHBA do të krijojmë Shoqatën e Republikanëve Shqiptarë apo Lidhjen e Republikanëve Shqiptarë. Arsyeja pse do ta bëjmë këtë është se duam që të afrojmë njerëzit me vlerat republikane, konservatore, sidomos brezin e ri, pasi kjo punë që po bëjmë ne sot do të reflektohet pas dhjetë apo njëzet vjetëve dhe duam që jo vetëm fëmijët tanë, fëmijët e emigrantëve që janë këtu ta shikojnë e të kenë dashuri për vendin, mos të ndihen të intimiduar vetëm nga çfarë jepet nga televizionet shqiptare, por që të jenë krenarë që janë edhe me bindje të djathta, edhe që janë shqiptarë dhe kështu në përgjithësi të gjithë së bashku të bëjmë diçka për veten tonë. Më ka ardhur gjithmonë keq se kemi 30 vjet që ngelëm duke lutur botën të na vijë për ndihmë. Shikoj shumë reagime njerëzish , shikoj shumë lutje njerëzish pse nuk vjen dikush, pse nuk afrohet dikush nga perëndimi?! Po këta që do të vijnë jemi ne, ne që jetojmë në emigrim. Është lobimi i gjithë diasporës shqiptare në Amerikë, në Angli, kudo qoftë…Unë kam qenë gjithmonë një partizan i mendimit që nëse nuk bëjmë të parët për vendin tonë, sado t’u lutemi të huajve, amerikanëve, Europës, ata do të na shikojnë me një sy tjetër e detyrimisht do të mendojnë: Nëse ju nuk bëni për veten tuaj, si ka mundësi që prisni ndihmën tonë?!
Kafe Shqeto: Duket sikur për diasporën shqiptare në Florida nuk ekzistojnë dy personazhe, Kryeministri i vendit dhe ish-kreu i PD-së Lulzim Basha. A keni një opinion për sjelljen e muajve të fundit të këtyre dy personazheve?
Bleta: Patjetër. Do ta nis me kryeministrin Rama. I gjithë komuniteti ynë këtu në Xheksonvill, bëhet fjalë për mijëra shqiptarë, vazhdimisht mbajmë lidhje edhe pse kemi shumë vite që jemi larguar, nuk e kemi harruar vendin tonë, sepse kemi të afërm aty, motra, vëllezër, motra, prindër dhe e vizitojmë vendin tonë gati çdo vit dhe sa herë që vijmë, kur bisedojmë me njeri tjetrin, fatkeqësitë, na vjen keq për gjendjen e mjeruar që është Shqipëria tani si nga ana sociale edhe nga ana ekonomike; po zbrazet vendi vit pa viti dhe kjo po na shtyn të bëjmë diçka për ta ndaluar këtë largim masiv të njerëzve. Më kuptoni drejt, unë nuk jam kundër emigrimit të ligjshëm, jam dhe vet emigrant por ka një ndryshim midis emigrimit të ligjshëm dhe largimit, shpopullimit të një vendi nëse mund ta quaj me një qëllim, me qëllim që të sjellim nga Bangladeshi apo nga Nepali, punëtorë siç shprehet kryeministri Rama. Është fatkeqësi e madhe.
Ndërsa për zotin Basha, opinioni im është ky: Duke e parë këto tetë vite udhëheqjen e tij, lë shumë për të dëshiruar, sepse ka filluar një iniciativë dhe e kanë lënë përgjysmë, si futja në Çadër e doli, bëri marrëveshjen e 17 majit me kryeministrin Rama; si lënia e parlamentit, dalja nga parlamenti; filloheshin protestat dhe pastaj liheshin përgjysmë. Populli aty, njerëzit, mbështetësit, me shumë që kam pasur kontakte, më kanë thënë që janë tepër të zhgënjyer nga ky lloj drejtimi, nga ky lloj lidershipi që kanë parë dhe kjo është një arsye e madhe pse e mbështesin zotin Berisha. Parimisht, unë vet si person jam pak si shumë atdhetar, disa e quajnë fatkeqësi, disa e quajnë gjë të mirë, por nëse do të kisha qenë në pozicionin e Kryetarit dhe do të kisha pasur atë presion nga zonja ambasadore në këtë rast, do të kisha dhënë dorëheqjen, sepse nuk mundemi që shqiptari ta shesë shqiptarin, çfarëdolloj qoftë ai çmim. Ky është mendimi im.