Vetëvendosje: “Schengeni Ballkanik”, emri i ri i Serbisë

534
Sigal

Vetëvendosje del hapur kundër “Schengenit Ballkanik”, të Ramës: “Mini-Schengen”, emri i ri i sferës së Serbisë në Ballkan

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka reaguar lidhur me takimin trepalësh të kryeministrave Rama-Zaev dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç lidhur me idenë e krijimit të një aleance ballkanike të ashtuquajtur “Mini-Schengen”, duke e quajtur diçka propagandistike dhe në favor të ideve serbe në të kaluarën. Vetëvendosje me qendër në Tiranë i kujton qeverisë programin politik të forcave të deri djeshme opozitare në Kosovë dhe që pritet të formojnë qeverinë e re, lidhur me qëndrimin ndaj Serbisë. Nga ana tjetër, Vetëvendosje shprehet se mban qëndrimin e saj kritik dhe kundërshtues ndaj kësaj iniciative, duke radhitur edhe arsyet përkatëse. Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri: Projekti që sot quhet në mënyrë eufemike si “mini-Schengen”, është projekt i propaganduar prej përfundimit të luftës në Kosovë. Në atë kohë është quajtur krijimi i “jugosferës” e së fundmi është quajtur edhe projekt në frymën e një “Jugosllavie të Re”. Këto emërtime kanë ngjallur rezistencë, kështu që përfaqësuesit e Serbisë pas një kohe e kanë ndryshuar gjuhën, për aq sa kjo gjë u mundëson të arrijnë të njëjtat qëllime. Ata kanë rënë dakord ta quajnë simbolikisht këtë marrëveshje si “mini-Schengen”, ndërkohë që përmbajtësisht marrëveshje të tilla, thjesht vendosin edhe formalisht nën sferën e influencës së Serbisë vendet e tjera të Rajonit.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri: Projekti që sot quhet në mënyrë eufemike si “mini-Schengen”, është projekt i propaganduar prej përfundimit të luftës në Kosovë. Në atë kohë është quajtur krijimi i “jugosferës” e së fundmi është quajtur edhe projekt në frymën e një “Jugosllavie të Re”

Serbia është vendi që e dominon ekonomikisht Rajonin, duke krijuar deficite tregtare me vendet që e rrethojnë. Për të arritur këtë ajo përdor praktika tregtare ilegale si dampingu. Këto praktika ilegale të Serbisë e shkatërrojnë në mënyrë të planifikuar prodhimin vendas të ekonomive të shteteve të Rajonit. Përmes subvencionimit, produkteve serbe u mundësohet që të shiten nën kosto, duke eliminuar nga tregu produktet vendore të shteteve të Rajonit. Ajo çka e bën më të rëndë situatën është edhe fakti, se Tirana zyrtare nuk ka nxjerrë mësime këto vite në lidhje me Serbinë, e cila nuk i ka ndryshuar politikat e saj ekspansioniste ndaj shqiptarëve, nuk e pranon dhe nuk kërkon falje për të shkuarën e vet kriminale, dhe vazhdon të mos e njohë dhe ta luftojë shtetin e Kosovës. Sakaq, realiteti politik në Kosovë ka ndryshuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare që i kanë hapur rrugën koalicionit të ri qeveritar LVV – LDK të qeverisë Kurti. Të dy këto subjekte e kanë bërë të qartë gjatë fushatës zgjedhore, se do të kërkojnë e do të vendosin masa reciprociteti të plotë politik dhe ekonomik ndaj Serbisë. Tani që këto subjekte kanë fituar zgjedhjet dhe janë në prag të formimit të qeverisë së re Kurti e kanë bërë të qartë publikisht se këto masa reciprociteti do të jetësohen, pasi Serbia nuk ka ndryshuar dhe nuk ndryshon, duke iu përulur ekspansionit të saj. Tirana zyrtare e ka ditur këtë gjë por nuk është asnjëherë vonë të tërhiqet nga marrëveshje që dëmtojnë interesat kombëtare. Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë ta unifikojnë politikën e tyre të jashtme dhe atë tregtare në dobi të interesave dhe ekonomisë kombëtare drejt bashkimit dhe zhvillimit të prodhimit vendas. Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Tiranë mban qëndrim kritik dhe kundërshtues ndaj kësaj iniciative për këto arsye: Interesat kombëtare kërkojnë që Shqipëria të përfshihet në iniciativa diplomatike rajonale me Kosovën dhe duke marrë parasysh qëndrimet e kësaj të fundit. Shqipëria dhe Kosova nuk janë të lidhura vetëm historikisht, kulturalisht dhe emocionalisht me njëra tjetrën, por edhe ekonomikisht dhe në nivel diplomatik, sa u takon marrëdhënieve ndërkombëtare me shtetet e tjera. Tirana zyrtare gabon kur vepron në drejtim të normalizimit ndërkombëtar të Serbisë, para se Serbia të normalizojë vetveten.