Vendimi i Kryesisë për Metën President, Rama mbledh deputetët

447
Ditën e sotme në orën 17:00 do të mblidhet Kuvendi i Shqipërisë për raundin e katërt të zgjedhjes së Presidentit pas dështimit të 3 raundeve rradhazi dhe pritet të zgjidhet Presidenti i Republikës, pasi tashmë ka një emër për të cilin edhe PS ka dhënë konsensusin.
Para fillimit të kësaj seance do të zyrtarizohet edhe kandidatura e Ilir Metës për President.

Po sot në mëngjes kryeministri Rama ka thirrur mbledhjen e grupit parlamentar, ku pritet të njohë deputetët me vendimin e marrë dje nga kryesia,

Mbrëmë LSI ndërmori hapin dhe propozoi dy emra për president, Petrit Vasilin dhe Ilir Metën. Në njoftimin zyrtar thuhet: “Bazuar në urdhrin nr. 39, datë 27.4.2017″>2017 të Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta dhe në vendimin nr. 10, datë 27.4.2017″>2017 të Konferencës së Kryetarëve, rendi i ditës është si më poshtë vijon:

1. Për zhvillimin e votimit të katërt për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. (neni 87, 88 të Kushtetutës, neni 109 Rregullore Kuvendi, votim me shumicë të cilësuar me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit) ”

Ndëra Partia Socialiste e ka konfirmuar dhe miratuar kandidaturën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për postin e presidentit të ri të vendit. Në një deklaratë për mediat, deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se grupi parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), ka propozuar emrin e kreut të kësaj partie politike, njëkohësisht kryetar i Kuvendit, Ilir Meta, dhe ministrin aktual të Drejtësisë, Petrit Vasili, si kandidatë për postin e presidentit të ri të vendit.

“Grupi parlamentar i LSI-së, pra struktura drejtuese e kësaj partie, na njohën me dy propozime shumë të mira: me propozimin e ardhur nga LSI për Petrit Vasilin dhe me propozimin tjetër, atë për Ilir Metën. Kryesia e PS-së pasi u njoh me propozimet e ardhura nga strukturat drejtuese të partisë LSI, vendosi në mënyrë unanime nga këto dy kandidatura të mbështesë kandidaturën e Ilir Metës”, theksoi Balla.

I ftuar në një emision kryeministri Rama tha se Meta është kandidati ideal, i prerë të jetë me të gjithë dhe me asnjë. “Nuk njoh askënd të jetë i prerë për të qënë me të gjithë e me askënd . Meta është një kandidat për president që vjen natyrshëm, sepse është situata e tillë që kërkon Ilir Metën president”, tha Rama.

Sipas Ramës, është një president që me siguri mund të kompensojë boshllëkun e madh që kemi patur deri më tani. “Është një President i lidhur me të gjithë. Ka akses tek të gjithë, flet me të gjithë dhe u thotë të gjithëve se çfarë mendon. Kjo është një zgjidhje ideale edhe për vetë PD”, tha ai.
Sigal