Vendimi i KE për vizat e shqiptarëve, flet ambasada holandeze: Krimi i organizuar…

504
Sigal

Vetëm pak orë pas publikimit të  vendimit të  KE-së, sipas të cilit është refuzuar kërkesën e Holandës për heqjen e vizave me Shqipërinë, ambasada e Holandës në Tiranë ka shpërndarë një reagim për mediat.

Në këtë reagim pasi flitet për kushte teknike që u morën parasysh nga Këshilli Europian, theksohet fakti se problematika e Shqipërisë me krimin e organizuar vazhdon që të mbetet e njëjtë dhe se vendi I tyre po vazhdon monitorimin e rreptë.

“Në datën 1 korrik, Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës ka marrë një përgjigje nga Komisioni Europian në lidhje me letër-kërkesën e dërguar në datën 31 Maj 2019. Në këtë letër, Komisioni ka dalë në përfundimin se kushtet teknike për të aktivizuar mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Por gjithsesi, në letër theksohet se Komisioni beson se Shqipëria duhet të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të adresuar çështjen e aplikimeve të pabazuara për azil dhe për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar.

Sinjali që vjen nga letër-kërkesa vijon të jetë i rëndësishëm. Holanda do të punojë me Shqipërinë për të parë se si shqetësimet tona në lidhje me krimin e organizuar, aplikimet e pabazuara për azil dhe klandestinët që përpiqen të kalojnë në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të Holandës mund të adresohen në mënyrë më efikase. Ne e vlerësojmë bashkëpunimin tonë të mirë me palën Shqiptare dhe e shohim si thelbësore adresimin e këtyre çështjeve”, thuhet në këtë reagim të ambasadës holandeze.