Veliaj: “Vera e parë pas 30 vitesh, kur ky bllok s’do të ketë më pluhur; vijojmë investimet në çdo lagje”

102

Kryebashkiaku inspekton punimet në bllokun “Enver Preza”, rikonstruktohen 7 rrugë

Një tjetër bllok në zonën e Saukut i është nënshtruar rehabilitimit të plotë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po realizohen në këtë projekt, ku përfshihet rikonstruksioni i shtatë rrugëve: “Enver Preza”, “Abaz Fejzo”, “Andon Lufi”-1, “Andon Lufi-2”, “Besim Baxhaku”, “Lame Kreco” dhe “Ethem Gjinushi”.

Kryebashkaiku tha se ky është një tjetër xhevahir që del në dritë në këtë zonë, ndërkohë që siguroi se investimet do të vijojnë edhe me blloqet e tjera. “Ka qenë një punë e jashtëzakonshme, kemi filluar parvjet me Rr. “Hermann Gmeinner”, vazhduam vjet me Rr. “Danish Jukniu” dhe rikthehemi sivjet me bllokun “Enver Preza”, i cili ka filluar me sheshin para xhamisë, ku është bërë një kënd lodrash. Një tjetër xhevahir. Më vjen mirë që xhamia, e cila dikur ishte rrethuar me dhera dhe plehra, në këtë muaj të Ramazanit ka dalë në dritë. Fëmijët luajnë te sheshi përpara, teksa besimtarët do të kryejnë ritet e tyre pas pandemisë”, tha Veliaj.

Ndonëse shumë pranë qytetit, kjo do të jetë vera e parë për banorët e këtij blloku banimi në Sauk, që nuk do të kenë më rrugë me pluhur, ndërkohë që merr zgjidhje edhe çështja e kanalizimeve për ujërat e bardha dhe të zeza. “Jam i lumtur që një prej blloqeve të vendosura në Tiranë që në fillim të viteve ’90, me një miks familjesh autoktone dhe familjeve që i janë bashkuar më vonë, ka dalë sot në dritë. Besoj për 4-5 javë do të fillojmë me asfaltin dhe do jetë vera e parë pas 30 vitesh ku s’do ketë më pluhur në këtë lagje”, u shpreh kryetari i Bashkisë.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për mirëmbajtjen e këtij investimi, në mënyrë që puna të shtrihet edhe në blloqet e tjera. Ndërkaq, në këtë zonë do të vendosen edhe koshat e rinj për mbetjet. “Kërkesat për banorët janë këto: Nëse do i përgjigjemi siç i jemi përgjigjur me kanalizime, ujëra të bardha, ujëra të zeza, me trotuar, me gjelbërim, me asfalt, me ndriçimin LED, ata duhet të na përgjigjen vetëm për një gjë: ta mirëmbajnë! Do vendosim edhe koshat e rinj. Një qytet i cili është zgjedhur Qyteti Evropian i Rinisë në 2022 dhe që po del në lajme ndërkombëtare për risitë që sjell, qoftë për korsitë e biçikletave, qoftë si qytet miqësor ndaj fëmijëve, për shkollat e reja, ndërtimet pas tërmetit, por për ndërtimet ikonë siç do të jetë Teatri i Ri apo Piramida, duhet të jetë edhe një qytet i pastër. Nuk mund të jetë qytet i pastër vetëm në qendër, ndaj duhet të jetë qytet i pastër edhe në periferi”, theksoi kryebashkiaku.

Bashkia e Tiranës po vijon me një sërë investimesh të rëndësishme në kryeqytet, ku një vëmendje të posaçme ka edhe projekti i “100 lagjeve”.