Veliaj dhe Granoff vizitojnë Piramidën: Pikë turistike për Tiranën, në vjeshtë nisin kurset për fëmijët dhe të rinjtë

105
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe kreu i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, vizituan sot Piramidën e Tiranës, e cila pas përfundimit të punimeve së jashtme dhe të brendshme në godinë, do të pajiset edhe me mjetet e nevojshme për një qendër teknologjie.

Veliaj tha se Piramida, pak ditë nga hapja e saj, është shndërruar në objektin më të vizituar të Tiranës, por nuk la pa theksuar faktin se ajo do të kthehet në qendrën më të madhe digjitale në Ballkan. Pas pushimeve verore, tha Veliaj, qendra do të jetë gati të presë të rinjtë për kurse në teknologji.

“Sot është një ditë e jashtëzakonshme, ndërtesa e Piramidës është hapur, bashkë me disa nga kubat. Sigurisht, ajo mbetet ende kantier, sidomos për pjesën elektronike, për të cilën ne do të shfrytëzojmë periudhën e verës, teksa fëmijët shkojnë me pushime, – të mbarojmë edhe semestrin e qendrës TUMO te Stadiumi – që kur të rikthehen nga pushimet të gjejnë Piramidën e transformuar me të gjitha pajiset teknologjike për kurset e tyre. Sot jetojmë në një kohë kur teknologjia s’po ndryshon shumë shpejt dhe teksa ne përgatitemi për kodimin, tashmë ka dalë Chat GPT, inteligjenca artificiale. Ndaj, do e pasurojmë kurrikulën tonë me risitë më të fundit të teknologjisë dhe të sigurohemi që çunat dhe gocat e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, të marrin vërtet dijet për punët e të ardhmes,”- u shpreh Veliaj.

Në shtator, shtoi ai, gjithçka do të jetë gati.

“Në vjeshtë do të kemi mbledhjen vjetore të bordit të AADF-së dhe hapjen zyrtare edhe për kurset. Në këtë moment, kemi hapur vetëm atë që quhet ‘harduare’ dhe në fund të verës do të hapim edhe atë që quhet ‘softuare’, pra pjesa e nxënies dhe e mësimit. Jam shumë i lumtur që Piramida është kthyer në një ‘mini-Mekë’, një pikë e jashtëzakonshme turistike për ta parë Tiranën në 360 gradë; për të parë të gjitha shtresat e qytetit, edhe pjesën e vjetër, edhe pjesën e periudhës së komunizmit, edhe pjesën ultra moderne të Tiranës, por edhe bashkëjetesën fetare me Xhaminë e Madhe, me Katedralen Katolike dhe Ortodokse, dhe për të kuptuar si ky qytet është i destinuar të rritet,”- nënvizoi ai.