Vasili: Ramës i del përfundimisht boja, propozon mbyllje 100% të listave! Nuk i shpëton verdiktit të shqiptarëve

274
Sigal

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili duke marrë shkas nga zhvillimet e sotme në mbledhjen e Këshillit Politik për reformën zgjedhore, deklaron se Edi Rama mashtroi shqiptarët për listat e hapura.

në një reagim përmes rrjeteve sociale, Vasili shprehet se tashmë Ramës i del përfundimisht boja, pasi në draftin e prezantuar sot propozon mbyllje 100 për qind të listave.

“Ramës i del përfundimisht boja, propozon mbyllje 100% të listave!

Propaganda rilindase nxjerr fytyrën e vërtetë: Listat mbeten totalisht të mbyllura;

Mbeten të njëjtat lista me renditje të paracaktuara dhe të mbyllura më keq se më parë.

Gjithçka që rilindja ndryshoi në Kushtetutë ishte vetëm për të penguar koalicionet dhe realisht zero mundësi që shqiptarët të zgjidhnin si të mendonin kandidatët.

Kushdo shqiptar që mendoi dhe besoi se do të hapeshin listat sot e ka shumë të qartë që ky ishte thjesht mashtrim ordiner i rradhës i Edi Ramës.

Përballë shqiptarëve është një kryeministër, që përpëlitet në ethet e humbjes dhe mashtron pa u lodhur, por verdiktit të paracaktuar të shqiptarëve nuk i shpëton dot”, shprehet në reagimin e tij nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.