Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, akuzon kryeministrin Edi Rama se është ai përgjegjës për largimin masiv të të rinjve nga vendi drejt Britanisë. “Shpirt kazma ngelet shpirt kazëm! Ndërkohë që shqiptarët dhe te rinjtë fatkeqë po largohen nga Shqipëria me shpresën për të gjetur një punë për të jetuar, pikërisht për shkak të korrupsionit dhe politikave për të rrënuar e grabitur të Kryeministrit Edi Rama. Ai nuk po i lejon të jetojnë as jashtë Shqipërisë dhe kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ky palo Kryeministër, firmos me shumë kënaqësi marrëveshje me Qeverinë Britanike, për dëbimin e 13 mijë shqiptarëve nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë, sikur s’ka asnjë lidhje me këta shqiptarë, që largohen për shkak të tij. Dhe për këtë ai po realizon një bashkëpunim gjoja të “frytshëm”, për t’i përzënë shqiptarët nga atje. Në vend që, të hidhet urgjent në Angli, e të negociojë me Qeverinë Britanike dhe të kërkojë që shqiptarët atje, që mund të gjejnë një punë, të legalizohen dhe të jetojnë të lirë. Ai, as këtë nuk e bën. Ai nuk do t’ia dijë se çdo i ri që ka ikur andej me gomone apo kamion, i ka marrë paratë borxh dhe do kthehen në Shqipëri, të traumatizuar e të zhytur në borxhe. Policia angleze është hedhur në rrugët e Londrës duke ndaluar në masë shqiptarët dhe duke ju mohuar edhe të drejtat minimale të njeriut, në ndryshim nga emigrantët e tjerë, për të jetuar të lirë. Situata është alarmante dhe kërkon zgjidhje urgjente. Edi Rama që i bie përqark botës me çarter privat të shkojë urgjent në Angli dhe të mos lërë qytetarët shqiptarë në mëshirë të fatit siç ka bërë deri tani, por të negociojë me qeverinë angleze për situatën emergjente.