Vasili: Milionat e drogës trondisin kursin e euros

615
Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, u shpreh se qindra milionët e drogës po trondisin kursin e euros, ndërsa prokuroria nuk i sheh. “Kjo ishte reforma në drejtësi???”, shtron pyetjen Vasili. Sipas tij, prokurori i Antimafias, Nicola Grattieri, deklaron qartë që Shqipëria është vend i përfshirë nga droga dhe paratë e drogës blejnë zgjedhjet dhe janë futur në biznesin e ndërtimit. “Në Shqipëri është tronditur kursi i euros për shkak të qindra milionë euro të drogës që futen ne biznese ndërtimi, mu në mes të Tiranës. Fakt shumë i qartë dhe shkatërrues për shoqërinë, ekonominë dhe demokracinë shqiptare, që e sheh çdo shqiptar, nga ekonomistët e deri tek qytetari më i thjeshtë. Prokuroria “çuditërisht” nuk e sheh,nuk lëviz gishtin, bën sikur merret me gjithçka, por jo me këtë”, shtoi Vasili. Ai renditi edhe pyetjen se ku kanë përfunduar paratë e drogës. “A mos janë futur paratë e drogës këmbëkryq edhe në prokurori dhe ia kanë lidhur duart e i kanë mbyllur sytë. Sepse kullat e parave të drogës nuk ka nevojë as t’i hetosh, pasi shihen edhe nga dritaret e prokurorisë. Kjo heshtje është kriminale, sa edhe vetë droga”, nënvizoi Petrit Vasili. Shqetësimi për ndikimin e parave të drogës në rënien e euros është shprehur edhe nga ekspertë të ekonomisë. Eksperti Zef Preçi është shprehur se rënia e euros është rezultat i të ardhurave nga veprimtaritë kriminale dhe konkretisht nga kanabis sativa. “Oferta e lartë monetare në euro, si rezultat i stokut të të hyrave nga veprimtaritë kriminale (kanabis sativa) dhe konsumi i tkurrur në ekonominë tonë kombëtare po zhvleftësojnë ditë pas dite monedhën evropiane. Kjo dukuri mund të shpjegohet vetëm nga mekanizmi i kërkesë-ofertës dhe jo nga pozita të tjera”, shprehet Preçi. Sasi të mëdha lëndësh narkotike janë transportuar gjatë viteve të fundit nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe sipas ekspertëve, në këmbim në Shqipëri është rritur sasia e eurove që kanë hyrë. Kjo ka bërë, sipas tyre, që monedha evropiane të dorëzohet të prekë minimum historike.
Sigal