Vasili: Drejtësia që po ‘prisnim’, 4 gjyqtarë me njëmijë dosje secili!

107
Sigal

Petrit Vasili, deputeti i PL, ka vënë gishtin sot në një nga plagët e reja që i është krijuar shoqërisë, mungesës së gjykatave dhe të gjyqtarëve, krahas mungesës së drejtësisë.

“Gjykata e Elbasanit është në kolaps ashtu si e gjithë reforma në drejtësi, – solli shembull sot Vasili në shënimin e tij në Fb. – Nga 18 gjyqtarë ka vetëm 4 gjyqtarë ku secili gjyqtar ka nga 1 mijë dosje për të gjykuar!!! Çfarë fituan qytetarët nga reforma në drejtësi?!

Nuk fituan asgjë dhe për fat të keq, humbën edhe atë minimum që kishin. Tani u duhen shumë e shumë vite që çështjet vetëm sa të preken me dorë dhe drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Cilësia është shumë e dobët sepse gjyqtarëve u duhet të gjykojnë mijëra çështje.

Për shkak të hartës gjyqësore, drejtësia është bërë realisht e paarritshme. Kolapsi i drejtësisë i shërben vetëm pandëshkueshmërisë së qeverisë së korruptuar që grabit çdo çast miliarda.

Dhjetëra milionë euro të BE dhe SHBA për reformën në drejtësi vetëm nuk prodhuan asgjë, por vetëm deluzion të qytetarëve. Çdo propagandë ka zero vlerë sepse faktet flasin vetë. Kjo nuk ishte drejtësia që qytetarët prisnin dhe zhgënjimi i tyre është shumë i thellë,” nënvizoi deputeti.