Vasil Bendo: Qeverisja parlamentare

398
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në vendet e zhvilluara evropiane sot për sot i kushtohet një rëndësi parësore garantimit dhe vazhdimësisë të ushtrimit të pushtetit shtetëror gjatë ndryshimeve dhe tranzicioneve të qeverisjeve politike dhe parlamentare periodike, ose në raste krizash të paparashikueshme drejtuese të shtetit. Qeverisja parlamentare në vendet me demokraci të avancuar politike vazhdon normalisht pavarësisht se cila parti politike ose grupim partish zëvendësojnë njëratjetrën në drejtimin e shtetit. Këtë garanci mendoj se e siguron veprimtaria administrative e mirëthemeluar dhe administrata publike e mirëkoordinuar. Partia politike ose grupi politik ndërpartiak që zotëron pushtetin ligjvënës është përgjegjës edhe për mirëfunksionimin e pushtetit ekzekutiv, gjyqësor dhe prokurorisë. Ka ndarje të pushteteve, por edhe bashkëveprim ndërmjet tyre me qëllimin pozitiv, mirëqeverisjen parlamentare. Në vendin tonë veprimtaria administrative është një koncept dhe institut i të drejtës Administrative pak i shtjelluar teorikisht dhe praktikisht deri tani, në kuptimin e gjithëpërfshirjes të sajë në të tri pushtetet kushtetuese. Ligje që rregullojnë këtë veprimtari kemi patur që para vitit 1990, por më të konsoliduara kemi patur mbas atij viti, me asistencën e Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës, kur vendi yne u aderua në vitin 1995. Kjo asistencë ligjore dhe ky anëtarësim i vështirë kanë patur kushte angazhuese tepër detyruese për qeverisjen parlamementare të shtetit shqiptar. Detyra kryesore ishte përqasja (aproximimi) i legjislacionit kombëtar dhe i veprimtarisë administrative me direktivat dhe objektivat evropiane.

Titulli dhe përmbajtja e këtij artikulli kanë për qëllim të japin mendime modeste rreth gjithëpërfshirjes të veprimtarisë administrative në të tri pushtetet kushtetuese në republikën tonë parlamentare. Mund të kuptohet si një veprimtari primare që i përket vetëm piramidës qeverisëse të pushtetit ekzekutiv, por mendoj se nuk është plotësisht kështu, prandaj me këtë artikull shpreh disa ide, rezerva dhe propozime teorike e doktrinale. Veprimtaria administrative është një veprimtari shtetërore shumëplanëshe, përfshin administratën publike të përgjithëshme, atë parlamentare, ekzekutive, gjyqësore, të prokurorisë, institucioneve të pavarura kushtetuese dhe atyre të krijuara me ligj, organeve të qeverisjes vendore, prefektëve dhe shumë institucioneve të varësisë qendrore dhe vendore. Ajo përmbledh të gjitha aktet dhe veprimet administrative për qeverisjen e tri pushteteve të republikës parlamentare ashtu sic është ndërtuar sistemi qeverisës politiko-shtetëror i vendit tonë. Veprimtaria administrative efikase siguron stabilitetin qeverisës dhe balancimin e tri pushteteve kushtetuese, mjafton të mungojnë apo të mos funksionojnë elementë të caktuar të kësaj veprimtarie në njërin prej këtyre pushteteve dhe stabiliteti administrativ shtetëror është vështirësisht i menaxhueshëm. Jemi të detyruar që pushtetet tona kushtetuese t’i mbajme të ndara ashtu sic përcaktohet në Kushtetutë, por edhe njëkohësisht të balancuara me ato evropiane, t’i mbajmë në unitet, përndryshe krijohen kriza politike drejtuese qeverisëse, ekonomike dhe sociale që pengojnë drejtimin shtetëror kushtetues normal të vendit. Kush i vendos balancat e drejtimit shtetëror në qeverisjen parlamentare?

 

Politika interesative dhe ligjëbërëse në një republikë parlamentare sic është vendi yne, ndikon shumë në balancimin dhe/ose zhbalancimin e tri pushteteve kushtetuese sepse ka shumicën vendimmarrëse, por interesi ynë juridik si mendimdhënës është të gjejmë balancat ndërmjet tyre. Nuk mendoj se jap zgjidhje perfekte, por të paktën përpiqem të jap disa ide që mund të konsolidojnë veprimtarinë administrative në të tri pushtetet tona kushtetuese të ashtuquajtura të pavarura. Në qeverisjen e republikës parlamentare, ku mund dhe duhet të bashkëveprojnë dhe të jenë të ndara të tri pushtetet kushtetuese, normimi dhe menaxhimi i veprimtarisë administrative është celësi hapës dhe mbyllës i vendosjes së balancave kushtetuese të një shteti modern të së drejtës evropiane dhe rolin kryesor por edhe themelor në vendosjen e këtyre balancave e ka veprimtaria administrative që mund dhe duhet të shtrihet njëtrajtësisht dhe barazvlefshmërisht në këto tri pushtete. Opinionet politiko-juridike që jepen me termin “qeverisje parlamentare” që shënoj në titullin e këtij artikulli janë krejtësisht reagime e vlerësime personale dhe nuk pretendoj se ato përmbledhin një qëndrim doktrinal të konsoliduar kushtetues të vendit tonë. Vështirë se gjejmë një përcaktim juridik në legjislacionin apo doktrinën tonë kushtetuese apo administrative për qeverisjen parlamentare.Më shumë kjo qeverisje lidhet me drejtimin ose influencimin politik dhe organizativ të shtetit sesa me konstitucionalitetin apo mirëfunksionimin e tri pushteteve kushtetuese të një shteti demokratik me pushtete të ndara. Shtjellime dhe studime të hollësishme rreth formave të shtetit dhe formave të ushtrimit të pushtetit shtetëror, veprimtarisë ligjvënëse, ekzekutive dhe gjyqësore të shtetit, parimit të ndarjes së pushteteve ndërmjet tyre dhe veprimtarive së tyre administrative mund të merren tek librat dhe studimet e një profesori të mirënjohur të teorisë së shtetit dhe të së drejtës në vendin tonë, që e ka lëvruar përmbi 40 vjet këtë lëndë. Dëshiroj të citoj një paragraf që përcakton kuptimin e përgjithshëm të pushtetit shtetëror në qeverisjen parlamentare: “Pushteti shtetëror në një kuptim të përgjithshëm, është ai pushtet që ka mundësi të marrë vendime, të lëshojë urdhëra, të sigurojë zbatimin e tyre edhe me përdorimin dhe monopolin e shtrëngimit fizik, në rast se kjo është e nevojshme, të ndëshkojë ata që shkelin rendin e vendosur dhe të zgjidhë në rrugë gjyqësore edhe konfliktet e ndryshme shoqërore”. Megjithatë, këto dy faktorë themelor të funksionimit të shtetit, drejtimi normativ dhe dhuna shtetërore janë të lidhur pazgjidhshmërisht.

 

E them këtë për dy fakte juridikë të vërtetuar gjerësisht: Pushtetet kushtetuese në një shtet me rregjim parlamentar krijojnë politika që kanë domininimin e qeverisë në shumicën parlamentare; Qeveria që rrjedh nga shumica parlamentare vendos politikat e ndërtimit dhe drejtimit në të gjithë piramidën aministrative dhe institucionale shtetërore dhe është përgjegjëse para publikut për politikat që ndjek e zbaton. Në një qeverisje parlamentare kuptohet që rolin parësor e ka Qeveria, pra veprimtaria ekzekutive për qeverisjen e përgjithshme, por studiues të mirënjohur për disa dhjetëra dekadash e kanë cilësuar qeverinë si “organi më i lartë që ushtron veprimtari ekzekutive urdhërdhënëse”. Jam dakord plotësisht me termin “veprimtari ekzekutive” por kam rezerva për termin “veprimtari urdhërdhënëse”. Natyrisht, mendoj se kjo rrjedh nga teoritë doktrinale te viteve 1970 të futura në literaturën tonë juridike universitare, por kjo nuk i ka penguar studiuesit pasues të mbanin një qëndrim kritik ndaj teorisë se “Qeveria është organi më i lartë që ushtron veprimtari urdhërdhënëse”. Unë kam patur dhe kam një qëndrim të ndryshëm, kjo sepse në kohën e sotme moderne qeveria ka tri detyra që mendoj se vështirësisht mund t’i përballojë normalisht nëpërmjet veprimtarisë urdhërdhënëse gjatë krizave parlamentare, e shprehur me tri pyetje: Të ruajë apo të vendosë balancat ndërmjet tri pushteteve kushtetuese nëpërmjet parlamentit ku miratohen ligjet? Të koordinoje iniciativat ligjhartuese dhe ligjrreformuese ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare, por edhe brenda raporteve parlament-qeveri? Të sigurojë materialisht dhe financiarisht kryerjen e reformave në drejtim të reformimit të vendit drejt BE-së?. Kam patur dhe kam mendimin se në një republikë parlamentare, qeveria që siguron dominimin parlamentar, drejton procesin ligjbërës, ekzekutimin e këtij procesi dhe drejtimin e shtetit në të gjithë komponentët përbërës, parlamentar, ekzekutiv dhe gjyqësor. Kërkohet vullnet politik, koordinim gjithëpërfaqësues politik, ekspertizë juridike dhe teknike për përqasje apo aproximim. Qeveritë tona ndryshojnë periodikisht dhe/ose rastpasrasti, shpesh herë përshtaten me koniukturat politike të zgjidhjeve momentale, por nuk mendojnë për zgjidhje afatgjata të qëndrushmerisë të veprimtarisë administrative, si bazë e funksionimit të shtetit demokratik evropian. Veprimtaria administrative mendoj se mund të marrë rol themelor në balancimin e tri pushteteve kushtetuese duke ndaluar ndikimin politik mbi të, për aq sa mundet dhe lejohet. Ajo mund dhe duhet të jetë e pavarur, e pandikuar dhe e padyzuar politikisht, e ndërgjegjësuar për funksionet që kryen, në mënyrë që t’i shërbejë drejtimit të stabilizuar administrativ qeverisës të shtetit në përgjithësi dhe të shtetit të së drejtës në vecanti. Ndërkombëtarët gjithmonë kanë bërë thirrje duke nisur që nga pragfillimi i viteve 2010 dhe kanë vendosur kushte të padiskutueshme të asocimit evropian, forconi aministratën publike në të tri pushtetet kushtetuese në mënyrë që veprimtaria administrative të vendosë dhe mbajë jetëgjatësinë dhe stabilitetin e qeverisjes parlamentare.

Për raportet e ndërlikuara me konflikt interesi ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe pushtetit ligjvënës në procesin ligjhartues dhe ligjmiratues nuk dëshiroj kurrësesi të marr pozita politike dhe t’i jap mendimin tim politikës qeverisëse sesi të vendosë balancat e tri pushteteve kushtetuese, por dua të theksoj se veprimtaria administrative është një funksion themelor i administratës publike në një republikë parlamentare, kjo me qëllimin pozitiv që të koordinojë pushtetet kushtetuese dhe të vendosë balancat ndërmjet tyre. Nevojitet forcimi i rolit të saj në politikën koordinuese, menaxhuese dhe ligjbërëse të qeverimit të vendit tonë si një republikë parlamentare që synon një veprimtari administrative të konsoliduar në të tri pushtetet kushtetuese dhe pa ndikimin politik nga partitë që zotërojnë shumicën e qeverisjes parlamentare. Megjithatë, këto nuk janë cështje të ndara njëherë e përgjithmonë, ato varen nga politikat zhvillimore drejtuese të cilat janë të ndryshueshme sipas drejtimit dhe orientimit politik të shtetit të së drejtës evropiane dhe zgjedhjes të publikut votues të emancipuar e demokratik. Mendoj se, në republikën parlamentare sic është vendi ynë, qeverisja ushtruese e pushtetit shtetëror që zotëron shumicën parlamentare ka të gjitha përgjegjësitë për organizimin dhe drejtimin e shtetit në të tri pushtetet e pavarura kushtetuese dhe asnjëri prej tyre nuk mund t’ia ngarkojë përgjegjësitë njëritjetrit për keqqeverisje parlamentare, në mënyrë të vecantë në raportet dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.