Vangjush Saro: Pse në fund Shqipëria?

157
Sigal

Prej dekadash, mes shumë studimeve e kërkimeve të tjera, bëhet edhe një aso që tregon shkallën e lumturisë e të mirëqenies së vendeve; (zakonisht një listë prej rreth 150 të tilla). Raporti Botëror për Lumturinë është i përvitshëm; për realizimin e tij, Kombet e Bashkuara mbështeten në disa platforma dhe, në këtë përvojë, pak gjë ndryshon nga koha në kohë. “Lumturia” nuk transplatohet me lehtësi. Sigurisht, ngjarjet e rëndësishme ndikojnë në përpilimin e këtij raporti, në lëvizjen e vendeve më lart a më poshtë; por në përgjithësi renditja vjen si një konstante që përsëritet… Ja një pasqyrë (pa detaje) e kësaj renditjeje për vitin 2021. Në dhjetë vendet e para, gjenden: Finlanda, Danimarka, Islanda, Zvicra, Hollanda, Luksemburgu, Suedia, Norvegjia, Izraeli dhe Zelanda e re. Më tej, në vendin e 11-të është Austria, pastaj Australia, Irlanda, Gjermania, Kanadaja, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Çekia, Belgjika dhe Franca që mbyll njëzetëshen e përzgjedhur. Ku jemi ne? Në pozicionin e 91-të. Ndër vendet me histori të ngjashme politike, Çekia (vendi i 18-të) dhe Sllovenia (vendi i 29-të) gjenden më pranë kuotave “të lumturisë”. Por gjithsesi, renditja nuk i cilëson “të palumtura” edhe vende të tjera gjithaq të afërt me ne, në histori e rrethana: Rumania në vendin e 45-të, Serbia në vendin e 47-të, Hungaria në vendin e 52-të, Greqia në vendin e 67-të, etj. Në fakt, është e dhimbshme të kujtosh dhe të pranosh që në këto reshtime ne përherë gjendemi diku nga fundi. Kush e merr përsipër të shqyrtojë arsyet e kësaj prapambetjeje (!) Mbase ato janë listuar herë pas here nga ekspertë të fushave të caktuara apo edhe publicistë (përfshi autorin e këtyre radhëve) por kjo nuk ndryshon asgjë? Ani. Nëse mund të themi që të vjen turp të shikosh ku je, kjo nuk fajëson vendin dhe as ty, që po e vë në dukje. Këtu bëhet fjalë për një tranzicion të gjatë e të mundimshëm dhe për një klasë politike që (ajo e para) është e prapambetur. Klakerët gjithfarësoj të partive, politikanëve e zyrtarëve, janë gjithashtu më “të dalluarit” në këtë prapambetje. Më kujtohet, në universitet, krahas lëndëve tona bazë – gjuhë dhe letërsi, e vendit dhe e botës – merrnim disa njohuri edhe nga jeta sociale dhe ekonomike; ndonjëherë, në mënyrë të veçantë, lakohej fjala mirëqenie. Dhe profesori na kujtonte që kjo e fundit matet në mënyra të ndryshme: një vend pretendon se është më i lumturi për këtë sukses, një tjetër për këtë të dhënë e, në këtë pikë, bie fjala, Bullgaria mbahej fort pas prodhimit të parfumeve; për Shqipërinë gjithashtu bëhej jo pak propagandë në këtë temë, derisa në vitet ‘80 edhe ata më të bindurit e më të zellshmit nuk po gjenin më argumente… Por përtej qasjeve patetike, duket se të ardhurat për frymë, niveli nën kontroll i krimit dhe korrupsionit, oraret e punës, shërbimet sociale, liritë, jetëgjatësia, këto mund të jenë disa nga termat më të besueshme për sa po tregojmë. Sikundër thuhet në studimin në fjalë, finlandezët shfaqën dyshime minimale për korrupsionin e qeverisë, norvegjezët kanë arritur një ekuilibër inspirues punë-jetë, duke punuar mesatarisht 38 orë në javë. (41.5 orë në javë e ka SHBA-ja këtë tregues.) E kështu më tej… Tani t’i kthehemi edhe njëherë vendit të 91-të. I hedh një sy treguesve të viteve të mëparshme dhe nuk shoh ndonjë ndryshim. Ose mund të vëresh qartazi oshilacione rreth të njëjtit fat: Bie fjala, aktualisht jemi pak më lart se në reshtimin e vitit 2015, kur ndodheshim në vendin e 109-të, por  ishim te 112-ta në raportin e vitit 2018, etj. Sigurisht, kjo është një temë shumë e gjerë, që përfshin një sërë fusha, parime, kritere, asish të përgjithshme dhe vetjake. Sidoqoftë, ka pak gjasa që renditja e përgjithshme të jetë ndonjë gjë me hile, e përkohshme, e agjituar, etj. Faktet janë kokëfortë, më kokëfortë se zyrtarët dhe politikanët e lartë të vendit, që fshehin të metat e sistemit tranzicional, që nuk pranojnë asnjë gabim, asnjë ngecje, asnjë vjedhje… shikojnë në ëndërr vetëm duartrokitje, pasuri e pushtet. Krahas disa pak zhvillimeve pozitive, janë abuzimet, krimi, tkurrja e popullsisë, shtrenjtimi i jetës, konfliktualiteti politik, mosbesimi te politika etj., që vazhdojnë të ngjyrosin me gri jetën e vendit. Dhe vështirë të bëjmë teori se qysh e tek mund të dalim nga gjendja. Në këtë temë janë konsumuar shumë argumente; ndër ta, edhe fakti që përgjithësisht gjithnjë kemi qenë në fund e të vonuar. Por duhet gjetur mënyra për të kërkuar më shumë llogari, jemi të detyruar të ndryshojmë; mospërputhja ndërmjet pritshmërisë qytetare nga njëra anë dhe qeverisjes e politikës në tërësi në anën tjetër, është e papranueshme, në mos e frikshme.