Vangjush Saro: Dilema e votës së Diasporës

91
Sigal

 

Në fakt, për këtë temë, zhurmë e madhe është bërë dhe po bëhet edhe në qarqe të Diasporës. Ka një përfshirje të paparë, që doemos nxitet nga Tirana; nga kapadainj tashmë të dështuar, por edhe nga politikanë në pushtet. (“Diktatorët, despotët, të çmendurit si dhe shumë politikanë demokratë e përdorin atë (patriotizmin – V. S.) për të ndezur pasionet popullore, me qëllim që të rrisin fuqinë e tyre.” Erik Margolis)

Disa mitingje të Kryeministrit Edi Rama jashtë vendit dhe anulimi ndërkaq i disa të tjerëve, ka sjellë sërish në vëmendje të publikut të gjerë çështjen nëse do të votojë Diaspora apo jo. Si në gjithçka tonën, mendoj, edhe këtu diferencat dhe përplasjet janë të dukshme, tema po trajtohet me një patriotizëm të sforcuar, në të ka emfazë dhe patetizëm, ka edhe ngut.

Ideja është e hershme, nuk u realizua asnjëherë gjer më sot, duke përjashtuar rastet sporadike kur emigrantët, sidomos ata që punojnë në vendet më të afërta, Greqi e Itali, kanë qenë me pushime në Shqipëri apo janë sjellë (nga pushteti i radhës) rëndom e të ‘paketuar’, me autobuzë, për të votuar; sikundër këto kohë, sillen nëpër mitingje. (Skena dhe skenarë që tregojnë prapambetje, por dhe fiksimet tona pas politikës.)

Në fakt, për këtë temë, zhurmë e madhe është bërë dhe po bëhet edhe në qarqe të Diasporës. Ka një përfshirje të paparë, që doemos nxitet nga Tirana; nga kapadainj tashmë të dështuar, por edhe nga politikanë në pushtet. (“Diktatorët, despotët, të çmendurit si dhe shumë politikanë demokratë e përdorin atë (patriotizmin – V. S.) për të ndezur pasionet popullore, me qëllim që të rrisin fuqinë e tyre.” Erik Margolis)

Në parim, nuk ka asgjë të keqe; përkundrazi, drejtimi i vëmendjes në çështje të tilla është i vonuar. Por mendoj se duhen saktësuar disa episode. E drejta për të votuar, për të zgjedhur drejtuesit e ardhshëm të një organizmi, të një qeverie, sa edhe e drejta për t’u zgjedhur, janë legjitime në një shoqëri demokratike. Por nëse ti jeton në një shtet tjetër, nëse ke gjithë jetën tënde përpara pikërisht atje, për më tepër me gjithë familje, e nuk ke ndër mend të ndërrosh sërish destinacion, atëherë, mendoj, kontributi yt vlen të merret në konsideratë pikërisht në atdheun e ri; ke nënshtetësinë që gëzon aktualisht, ke detyrime dhe të drejta që burojnë nga ligjet e atij vendi, shteti, kështu që nuk ka arsye ligjore, formalisht nuk ka të tilla, për të votuar edhe në një vend tjetër, edhe për një politikë tjetër, edhe për një qeveri tjetër. (“Kur je në Romë, bëj si romanët.” Servantes)

Mendoj që, përtej pasioneve, nuk ka sens të votosh dy herë, të zgjedhësh dy herë, të zgjidhesh dy herë, të kërkosh llogari nga dy shtete, nga dy qeveri, vetëm e vetëm se kështu mund të ndihmohen disa qarqe politike. Madje, mendoj, edhe shteti ku punon emigranti, nëse ky i fundit ka dokumentet dhe kushtet përkatëse – dhe perspektiva e tij është kjo – nuk duhet të jetë i interesuar dhe nuk ka pse të lejojë lojëra apo farsa politike, që rrjedhin nga një prapambetje e ngritur në mani në këto kohë tranzicioni. Besoj, shtetet ku aplikohet Sistemi i Demokracisë, nuk lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve të ‘delegura’ dhe krijimin e qendrave zgjedhore të dyfishta; dhe me të drejtë. Fundja, pse duhet të votojmë dy herë, të zgjedhim dhe të zgjidhemi dy herë, në dy shtete, në dy vende, për dy politikëbërje? Jemi më të mirë apo ndryshe nga amerikanët, kanadezët, britanikët, gjermanët, italianët, grekët? Jemi më të qytetëruar? Jemi më demokratë? Jemi më ‘patriotë’? Nuk them dot ‘Jo’, por edhe një ‘Po’ s’do të ishte e lehtë; dhe s’do të ishte e drejtë. Neve nuk na duhet patriotizmi i rremë; na duhet qytetaria, një qytetari e re, ndryshe nga ajo që propagandohet forcërisht.

Sot, një shumicë emigrantësh janë integruar në vendet ku punojnë. Megjithatë, në Diasporë ka ‘konferenca’ pa fund, ka shumë ekstremistë e militantë, të kohëve dhe brezave të ndryshëm, njerëz që nuk dinë t’i përmbajnë dufet politike; janë kaq të shtënë pas kësaj disipline, sa që habitesh pse nuk kthehen në atdhe e të përfshihen në atë që duan me kaq pathos, domethënë në politikë: të zgjedhin e të zgjidhen dhe të militojnë për atë forcë a perspektivë që kanë në mendjen e tyre. Por jo. Ata jetojnë e punojnë në vende perëndimore, por duan të ‘diktojnë’ në atdheun e parë; kjo nuk shkon.

Diaspora shqiptare është sot kaq e madhe, pothuaj sa vetë popullsia që jeton në Shqipëri. Ky ekuilibër është i brishtë; një pjesë e atyre që jetojnë jashtë pa le a dinë gjë se qysh shkojnë punët realisht, e ca mund të kenë hobi, por edhe mllefe, edhe urrejtje të vjetra, hatërmbetje e kushedi ç’tjetër, kështu që mund të devijohen interesat dhe ndjeshmëria e atyre qytetarëve që, mirë a keq, jetojnë aty ku u ka rënë koka dhe fati. Nga ana tjetër, duke qëlluar valencën e fenomenit, mund të eksportohen problemet dhe sherret e atjeshme e ‘të atdhetarshme’ në vendet respektive, duke krijuar atmosferë jo të mirë për bashkëqytetarët me tjetër kombësi, por dhe për brezat e rinj që, ndryshe nga prindërit e tyre të agjituar, duhet të mësohen me një mënyrë tjetër qasjeje në atë që quhet bashkëqeverisje; ata duhet t’i japin politikës aq vëmendje sa ajo meriton, jo më shumë. (“Nuk kemi kohë për ta shpërdoruar kohën.” Eugjen Jonesko)

Por… e vlen ta rithemi, mund të votojnë dhe duhet të votojnë ata qytetarë që ende nuk janë shtetas të shtetit ku jetojnë e punojnë, qytetarë të vendit ku i çoi fati, dëshira apo halli. Kanë gjithë të drejtën e Zotit e të Ligjit të thonë fjalën e tyre, të zgjedhin e të zgjidhen. Kësaj pjese të Diasporës, duhet t’i garantohet e drejta për të votuar; se si e qysh, e dinë administratat përkatëse. Pjesa e integruar dhe me nënshtetësi tjetër, mendoj, mund të jetë e pranishme në referendume për çështje kombëtare dhe, natyrisht, është e lirë të agjitojë për çfarë ka bindje apo anim; por vetëm kaq. Shpresoj që kjo bisedë të mos keqkuptohet dhe interpretohet si këmbëngulje apo fiksim; më në fund, janë institucionet që vendojnë.